Albumi “Murmuration Mountain”, debutimi i “Liburn Jupolli Ensemble” është prezantuar në “Defy Them” përmes një bisede të hapur midis kompozitorit Liburn Jupolli dhe Arif Muharremit. Në qendrën për kulturë alternative është diskutuar rreth muzikës së albumit, procesit krijues dhe mënyrës së bashkëpunimit me 23 muzikantët dhe bashkëpunëtorët që kanë marrë pjesë në realizimin e tij. Përmes nëntë veprave, “Murmuration Mountain” ka ndërtuar një univers të larmishëm tingullor, ku kompozimi i shkruar është ndërthurur me improvizimin, shtresat e krijuara individualisht në studio dhe regjistrimet e ansamblit.
Albumi është krijuar përgjatë viteve 2023 dhe 2026 dhe ka sjellë nëntë vepra – “Sulfuric Thoughts”, “The Destructive Imperative”, “Brittle Fables”, “Prishttina”, “Flying Textile Championship”, “80s and 90s and 90s and 90”, “Djegü”, “Imbecilësia” dhe “Lápŷanóids”. Të ndryshme në strukturë dhe në ngjyrat e tyre tingullore, ato kanë mbajtur të përbashkët një qasje që nuk është kufizuar në një zhanër të vetëm.
Në muzikën e “Liburn Jupolli Ensemble” janë takuar elektronika eksperimentale, xhazi, muzika popullore shqiptare e ballkanike, metali, muzika industriale, kompozimi klasik bashkëkohor, noise-i dhe forma të nxjerra nga pop-i.
Kjo lëvizje midis zhanreve ka qenë e shoqëruar edhe me një qasje të veçantë ndaj instrumenteve. Në “Murmuration Mountain” është përfshirë edhe “Octo”, instrumenti i krijuar nga Liburn Jupolli në vitin 2010. Krah tij janë dëgjuar instrumente tradicionale e bashkëkohore, nga kavalli, okarina, fyelli i shokës dhe flauti, te instrumentet frymore, kitarat, pianoja, bateritë, zërat, laptopët dhe efektet. Instrumentet popullore janë marrë nga koleksioni i mjeshtrit të ndjerë të punimit të instrumenteve, Shaqir Hoti.
Jupolli ka treguar se synimi ka qenë që ndikimet e tij muzikore të mos shfaqen si pjesë të ndara, por të rrjedhin natyrshëm brenda një materiali ku edhe interpretuesit kanë pasur hapësirë për ta formësuar muzikën.
исто така
„ДАМ“ се враќа со младински оркестар како потсетник и порака
“Jam munduar të nxjerr një material i cili i përfshin gjithë influencat e mia që të rrjedhë në mënyrë sa më natyrale, duke i bërë vetë këta njerëz të kontribuojnë në mënyrën e vet. Ka njerëz që dinë të lexojnë nota e që nuk dinë. Me secilin është dashur të merrem në mënyrë të veçantë, të krijoj njëfarë gjuhe të bashkëpunimit”, ka thënë Jupolli.
Vepra e parë, “Sulfuric Thoughts”, ka nisur nga një material që Jupolli e ka shkruar për një shfaqje në Paris, pak para shpërthimit të pandemisë. Tingujt janë zhvilluar në një atmosferë të errët e medituese, e cila herë pas here është ndërprerë nga tinguj më të vrazhdë që kanë futur tension dhe e kanë zgjuar veprën nga qetësia e saj fillestare.
Vetë Jupolli ka treguar se një prej elementeve që e ka mbajtur në mendje ka qenë tingulli i një zileje, të cilën e kishte krijuar për shfaqjen.
“Zilen që e dëgjonit është një pjesë që e kam shkruar për një shfaqje në Paris, pak para pandemisë, para se të mbes dy muaj në Paris kur krisi pandemia. E kam bërë muzikën për një shfaqje, siç ndodh shpesh, që shumë pjesë mund të mos i pëlqejnë regjisorit. Por më pati pëlqyer kjo zile, ka qenë interesante. Ka pasur pjesë elektronike brenda”, ka thënë ai.
Në këtë vepër, sipas Jupollit, është vendosur edhe një prej parimeve kryesore të albumit – që muzikantët të mos jenë vetëm interpretues të materialit të shkruar, por pjesëmarrës në krijimin e tij.
“Është një material që më ka pëlqyer, janë disa njerëz që më pëlqejnë me qasjen e tyre estetike, dhe i ftoj të marrin pjesë në këtë vepër. Jo veç të incizojmë, por edhe të marrin pjesë. E kemi edhe Matt Hollenberg të cilin edhe nuk mund të besoj se e kemi si instrumentist. Ai ka qenë shumë i hapur t’i bëjë kitarat për disa pjesë dhe ka incizuar në New York. Të gjitha incizimet që i keni dëgjuar janë të tij nga New York”, ka treguar Jupolli.
Kjo mënyrë e punës është shtrirë përgjatë gjithë albumit. Secili prej instrumentistëve ka marrë materialin e Jupollit dhe e ka përkthyer atë në mënyrën e vet, duke krijuar një marrëdhënie që ka kaluar përtej interpretimit mekanik të notave.
“Secili prej instrumentistëve në këtë ndërmarrje është një njeri i cili udhëton me atë material që ia dërgoj. Ata i kanë dëgjuar pjesët dhe janë ulur t’i shkruajnë. Disa vetëm janë ftuar në incizim sepse me disa njihemi shumë moti. Lidhja me muzicientë është edhe me llojin e muzikës që e dëgjon sepse ata e dinë se çfarë duam nga njëri-tjetri”, ka treguar ai.
“The Destructive Imperative” ka sjellë një tjetër kontrast. Vepra ka nisur me tinguj të butë e harmonikë, përpara se vokali të hyjë me frazën “ku je nisë” dhe muzika të shndërrohet gradualisht në një kaos ku kitarat, bateritë dhe vokali kanë marrë pozicionin qendror. Zëri i Arta Jasharit i ka dhënë këtij shpërthimi edhe më shumë dramë, ndërsa vetë struktura e veprës ka krijuar ndjesinë e një shkatërrimi që zhvillohet para dëgjuesit.
исто така
Косово во политичките науки се изучува со перспективи што минуваат низ Белград.
Para ekzekutimit të saj, Jupolli e ka lidhur këtë vepër me një përvojë shumë konkrete të jetës në Kosovë.
“Më është lidhur gjithë përvoja me idenë kur zgjohesh tepër mirë në mëngjes në Kosovë. Kënaqesh, janë disa mëngjese që thua ‘çfarë kënaqësie’. Dhe pastaj del rrugëve të Prishtinës dhe tash e kuptoni se çfarë ndodh”, ka thënë ai.
Ndërsa “The Destructive Imperative” ka sjellë një shpërthim të drejtpërdrejtë të kaosit, “Brittle Fables” ka krijuar një atmosferë më të mjegullt dhe misterioze. Tingujt e saj kanë ngjarë të ilustrojnë një natë të errët në një pyll të mbushur me kafshë, mjegull dhe prani të panjohura. Ashtu si edhe në vepra të tjera të albumit, muzika ka krijuar përshtypjen e një skene filmi, duke e shtyrë dëgjuesin që tingullin ta përjetojë edhe përmes imazheve.
“Prishttina”, siç sugjeron edhe titulli, e ka vendosur albumin në një hapësirë të lidhur drejtpërdrejt me qytetin, ndërsa “Flying Textile Championship” ka vijuar këtë lojë të Jupollit me titujt dhe format, duke e vendosur materialin muzikor në një kontekst të pazakontë. Janë lëshuar edhe veprat “80s and 90s and 90s and 90”, “Djegü” dhe “Imbecilësia”, ndërsa është mbyllur me “Lápŷanóids”, duke e përfunduar ciklin prej nëntë veprash me një tjetër hapësirë eksperimentale.
Karakteri vizual i kësaj muzike ka qenë një prej pikave të diskutimit në “Defy Them”.
Për Arif Muharremin, aktivist kulturor, tingulli i Jupollit shpesh ka qenë i pamundur të përjetohet pa imazhe.
“S’e di pse kam nevojë ta përjetoj vizualisht muzikën. Disi, si të jetë një skenë filmi, si skenë post-apokaliptike. Atë ndjenjë ma jep”, ka thënë Muharremi.
Ai ka vënë në pah edhe përmasën kolektive të projektit.
“Është e pamundur të injorohet gjatësia e veprës si produkt i tingullit sepse fillimisht është i bërë prej 17 vetash. Së dyti është proces i ko-krijimit, si të është i tillë, për mendimin tim, është diçka që respektohet, qoftë nëse pëlqehet ose jo. Duhet respektuar përpjekja për të bërë diçka në kontekstin tonë. Në diskursin publik ka krijime që nuk më pëlqejnë, po flas për vete”, ka thënë Muharremi.
исто така
„Секое време“ ја добива наградата „Срце на Сараево“ за третман на болка и тага
Edhe për psikologen Nora Konjuhi, përfshirja në këtë proces ka qenë një përvojë personale, përmes së cilës ka parë një tjetër dimension të muzikës së Jupollit. Ajo ka folur për ndjesinë e një shkatërrimi që nuk ka përfunduar vetëm në rrënoja, por ka krijuar mundësinë e një fillimi të ri. “Për mua, kjo ka ardhur si diçka shumë personale, shumë autentike. Na ftove në botën tënde, në procesin tënd duke treguar për gjithë procesin dhe për mua, sikur ishte pak vështirë ta marr personale duke e paramenduar gjithë procesin. Arrita ta shoh një pjesë autentike tënden sikur përshkrimi dhe gjithë dinamika që ka ardhur brenda veprës, si një shkatërrim. Paramendoja sikur gjithçka po përfundonte në rrënoja. Shumë vuajtje, por në të njëjtën kohë sikur një proces që përshkon shkatërrimin për të rilindur. Të paktën për mua ka qenë kështu”, ka thënë ajo.
Me “Murmuration Mountain”, ansambli i Liburn Jupollit ka sjellë albumin që e ka trajtuar zhanrin më shumë si material pune sesa si kufi estetik.