KOHA.net

Поддржете го TIME. Зачувајте ја вистината.
KULTURA

„Скршено време“ го идентификува невидливото за паралелен свет

Ekspozita "Koha e thyer", Osman Demiri

Në ekspozitën “Koha e thyer”, Osman Demiri luan me ato që shumicës nuk i bëjnë përshtypje. Jep këshilla, shtron pyetje e shfaq brenga

Ekspozita e Osman Demirit ka kthyer te galeria “Qahili” një ngjarje ku fotografia është në fokus. Por kësaj radhe, një tjetër lojë imazhesh. Aso që luan me detaje që janë pjesë e një tërësie që s’shihet. Imazhet e tij, nëpërmjet abstraksionit, krijojnë një botë paralele. Të padukshmes i jep tjetër kuptim. Nëpërmjet saj ai rrëfen. “Edhe pse duken si fotografi abstrakte për shikuesin, për mua janë gjëra shumë konkrete, pasi për çdo moment e di se kur e kam shkrepur fotografinë dhe çfarë kam pasur në kokë e çfarë brenge kam pasur brenda”, ka thënë ai

Janë imtësi që tash vijnë në format të madh. Krijojnë një mozaik ku secila pjesë ka veçantinë e vet. Rrëfimin e vet. Kryesisht detaje arkitekturore që, të fotografuara nga pozita të ndryshme e të paraqitura në galeri njëra pas tjetrës, shndërrohen në fragmente shumëdimensionale. Osman Demirit, si fotograf, nuk i intereson veç tërësia. Në ekspozitën “Koha e thyer” ai luan me ato që shumicës nuk i bëjnë përshtypje. Jep këshilla, shtron pyetje e shfaq brenga. Nga larg, fotografitë duken edhe si piktura ku zënë vend imazhe gjeometrike. Ekspozita, e hapur të martën mbrëma në galerinë “Qahili”, në shikim të parë paraqet abstraksione. Por më pas detajet flasin zëshëm.

“Është një vazhdimësi e punës sime shumëvjeçare. Titullimi është i kuratores dhe mendoj se është titull shumë i qëlluar, pasi janë disa fragmente e thyerje në periudhën 20 a 30-vjeçare të këtij nënqielli. Se sa ia kam arritur qëllimit që të tregoj brengën time dhe mesazhin tim, do ta tregojnë shikuesit. Mirëpo, edhe pse duken si fotografi abstrakte për shikuesin, për mua janë gjëra shumë konkrete, pasi për çdo moment e di se kur e kam shkrepur fotografinë dhe çfarë kam pasur në kokë e çfarë brenge kam pasur brenda”, ka thënë Demiri nga Maqedonia e Veriut. Sipas tij, artisti gjithmonë ka një hall brenda.

“Fotografia abstrakte ose arti abstrakt nuk sjell asgjë nga jashtë, çdoherë del nga brenda. Mjafton një detaj i vogël për ta bërë këtë simbiozë e për ta prezantuar këtë brengë. Pastaj, shikuesi a e merr si këshillë, si lutje a si mesazh, është punë e vetë shikuesit”, ka thënë ai.

Kolegu i tij nga Kosova, Burim Myftiu, ka thënë se ky cikël ka të bëjë me një botë tjetër nga ajo që shihet në jetën e përditshme.

“Detajet që Osmani i sheh, ne nuk i shohim. Këto janë ato lojërat e imëta të detajeve nga qyteti, dita, dhoma e vendi ku jeton. Është lojë e dritës dhe hijes dhe dialogu mes dritës e hijes që ndonjëherë ndërpritet. Titulli është shumë simbolik dhe është mënyra se si Osmani flet në gjuhën e tij vizuale”, ka thënë Myftiu.

Gjuha vizuale e Demirit është sa sqaruese, aq edhe me shumë pyetje. Në konceptin kuratorial e bija e tij, Vlora Demiri shkruan se “Koha e thyer” lind nga vetëdija se tërësia nuk është një gjendje përfundimtare, por një ekuilibër gjithmonë i ekspozuar ndaj ndryshimit.

“Në përvojën bashkëkohore, kjo paqëndrueshmëri nuk mbetet vetëm një kusht abstrakt i qenies, por bëhet pjesë e vetë mënyrës së përjetimit të realitetit. Vazhdimësia humbet karakterin e saj të vetëkuptueshëm, ndërsa e tashmja ngarkohet me një ndjesi të vazhdueshme përkohshmërie dhe pasigurie, sikur rendi mbi të cilin mbështetet të ishte gjithmonë i ekspozuar ndaj çrregullimit”, shkruan kuratorja. Sipas saj, në këtë kontekst, fragmenti nuk shfaqet si mbetje e një tërësie të humbur, por si forma përmes së cilës paqëndrueshmëria bëhet e dukshme. Ka shkruar se brenda fotografive të Osman Demirit, forma nuk mbyllet plotësisht në vetvete, por ndërpritet, zhvendoset dhe riformulohet përmes dritës, hijes dhe boshllëkut, duke krijuar një realitet vizual në të cilin tërësia nuk është më e dhënë, por vetëm e sugjeruar.

“Drita, në këto imazhe, nuk vepron thjesht si mjet i zbulimit, por si një forcë që ndan, thekson dhe transformon. Ajo shpesh e çliron objektin nga funksioni dhe identiteti i tij fillestar, duke e kthyer në sipërfaqe, ritëm, drejtim apo shenjë. Në të njëjtën mënyrë, hija nuk është vetëm mungesë e dritës, por një prani më vete, një formë e heshtur që e zhvendos perceptimin dhe e bën të dukshëm kufirin ndërmjet asaj që paraqitet dhe asaj që mbetet jashtë fushës së shikimit”, shkruan Demiri. Sipas saj, raporti ndërmjet dritës dhe hijes shndërrohet në një raport ndërmjet pranisë dhe mungesës. Pikërisht në këtë tension, fotografia e Demirit pushon së qeni vetëm regjistrim i dukshmërisë dhe bëhet një hapësirë ku vetë perceptimi vihet në dyshim.

“Reflektimi, në këtë ekspozitë, nuk funksionon si pasqyrim besnik i reales, por si një formë e dytë e tij, një prani paralele që lind nga e njëjta sipërfaqe, megjithatë nuk i përket plotësisht asaj. Ai e vendos shikimin përballë një realiteti që duket i njohur, por që njëkohësisht është zhvendosur nga vetvetja, sikur çdo imazh të mbante brenda tij jo vetëm atë që është, por edhe mundësinë e një versioni tjetër të së njëjtës gjë”, shkruan Demiri.

Nga larg, fotografitë duken edhe si piktura ku zënë vend imazhe gjeometrike. Ekspozita, e hapur të martën mbrëma në galerinë “Qahili”, në shikim të parë paraqet abstraksione. Por më pas detajet flasin zëshëm.

Fotografitë e artistit kanë njëfarë marrëdhënieje të qëndrueshme me njëra-tjetrën, jo veç estetike, edhe pse secila ka botën e vet. Ai sikur ndal kohën te një detaj që për të ka rëndësi të madhe. Sipas kuratores, kufiri ndërmjet reales dhe pasqyrimit humbet qartësinë e tij, duke e kthyer imazhin në një hapësirë ku e dukshmja nuk mund të merret më si e mirëqenë.

“Ajo që shfaqet para syrit nuk është më domosdoshmërisht një e vërtetë e qëndrueshme, por një marrëdhënie e lëvizshme ndërmjet sipërfaqes dhe thellësisë, pranisë dhe iluzionit, objektit dhe gjurmës së tij”, shkruan kuratorja. Sipas saj, fotografia e Demirit e tejkalon funksionin e saj përfaqësues dhe hyn në një zonë ku realiteti nuk dokumentohet, por vihet në provë. Imazhi nuk na thotë çfarë është bota, por na përball me faktin se ajo që shohim është gjithmonë e ndërmjetësuar, e fragmentuar dhe e kushtëzuar nga vetë akti i të parit.

“‘Koha e thyer’ nuk kërkon ta rindërtojë tërësinë, por të qëndrojë brenda çarjes së saj. Pikërisht aty ku forma humbet sigurinë, ku koha pushon së qeni e qetë dhe ku realiteti shfaqet si një ekuilibër i përkohshëm, fotografia gjen hapësirën e saj më të vërtetë, jo si dëshmi e asaj që është, por si gjurmë e asaj që mund të humbasë”, shkruan kuratorja Vlera Demiri.

Ekspozita e Osman Demirit ka kthyer te “Qahili” një ngjarje ku fotografia është në fokus. Por kësaj radhe, një tjetër lojë imazhesh. Aso që luan me detaje që janë pjesë e një tërësie që s’shihet.