KOHA.net

Поддржете го TIME. Зачувајте ја вистината.
KULTURA

Почит кон Мајка Тереза ​​со албанска и полска музичка традиција

Филхармонија

Në pjesën e dytë, vëmendja është përqendruar te oratoriumi “Homagium Matri Teresiae” i kompozitorit Mendi Mengjiqi, vepër monumentale kushtuar Nënë Terezës. Me Korin e Filharmonisë dhe solistëve sopranos Adelina Paloja, mexosopranos Ivana Hoxha, tenorit Matias Xheli dhe basit Bledar Domi, vepra ka zgjeruar përmasat e koncertit, duke bashkuar orkestrën dhe zërat në një shprehje muzikore në frymën sakrale (Foto: Arben Llapashtica)

Programi i koncertit të së shtunës mbrëma në Atelienë e Pallatit të Rinisë dhe Sporteve në Prishtinë ka bashkuar vepra të kompozitorëve shqiptarëv e polakë, duke ndërthurur tradita të ndryshme muzikore në një mbrëmje të kurorëzuar me oratoriumin “Homagium Matri Teresiae”. Përmes veprave të Krzysztof Pendereckit, Fahri Beqirit, Karol Szymanoëskit dhe Mendi Mengjiqit, programi ka sjellë udhëtimin midis gjuhëve të ndryshme muzikore, nga tingujt e përmbajtur e solemnë deri te shprehet e gjera simfonike e vokale të atij që konsiderohet oratorium monumental

Tradita muzikore shqiptare dhe ajo polake janë gërshetuar të shtunën mbrëma në Atelienë e Pallatit të Rinisë dhe Sporteve në Prishtinë, në koncertin e Filharmonisë së Kosovës, i cili i është kushtuar Nënës Terezë. Përmes veprave të Krzysztof Pendereckit, Fahri Beqirit, Karol Szymanowskit dhe Mendi Mengjiqit, programi ka sjellë udhëtimin midis gjuhëve të ndryshme muzikore, nga tingujt e përmbajtur e solemnë deri te shprehet e gjera simfonike e vokale të atij që konsiderohet oratorium monumental. 

Programi është hapur me “Ciaccona” nga “Rekuiemi polak” i kompozitorit Krzysztof Penderecki, vepër kushtuar Papa Gjon Palit II. Me një vijë melodike të ngadaltë e të përqendruar, kjo pjesë ka ndërtuar atmosferë meditimi, në të cilën tingujt e orkestrës kanë fituar peshë përmes përsëritjeve dhe zhvillimit gradual të frazave muzikore. Karakteri solemn i veprës ka qenë ndër kryefjalët e një mbrëmjeje që, përtej bashkimit të traditave muzikore, ka pasur në qendër kujtesën dhe homazhin.

Programi ka vazhduar me poemën simfonike “Skënderbeu” të Fahri Beqirit. Vepra e ka sjellë në plan të parë gjuhën orkestrale të kompozitorit shqiptar, përmes shtrirjes muzikore që ndërthur melodi dhe ngjyra të ndryshme instrumentale. Për dirigjentin polak, Wojciech Czepiel, njohja me këtë kompozim ka qenë mundësi për të zbuluar një tjetër dimension të krijimtarisë së Beqirit.

Ai ka treguar se vepra është shkruar kur kompozitori ishte ende i ri, por ka theksuar se ajo është mbresëlënëse për mënyrën se si është ndërtuar për orkestër dhe për momentet e saj muzikore.

“Si krijim i një kompozitori të ri, është vërtet mbresëlënës. Ka shumë momente të shkëlqyera, është shkruar shumë mirë për orkestër dhe tingëllon në mënyrë madhështore. Për mua, ishte shumë interesante ta njihja këtë vepër të re. Natyrisht, ky kompozim është interpretuar shumë herë nga Filharmonia e Kosovës. Mendoj se ata e kanë interpretuar ndryshe nga mënyra ime, por besoj se është mirë që një vepër të interpretohet në mënyra të ndryshme, në mënyrë që të ofrohen interpretime të ndryshme të së njëjtës kompozitë”, ka thënë dirigjenti Wojciech Czepiel.

Pjesa e parë e koncertit është përmbyllur me “Koncertin për violinë dhe orkestër nr. 1” të Karol Szymanowskit, një prej veprave të rëndësishme të repertorit koncertal të shekullit XX, e cila është interpretuar për herë të parë në Kosovë. Në këtë vepër, violina ka marrë rolin kryesor në rrjedhën muzikore me ngjyra të pasura, ku pjesa solistike ndërthuret me tingujt e orkestrës, herë duke u veçuar përmes frazave të zgjatura, e herë duke u bërë pjesë e një hapësirës së përgjithshme tingullore.
Soliste ka qenë violinistja polake, Joanna Konarzewska. Orkestrës së Filharmonisë së Kosovës i janë bashkuar edhe pesë instrumentistë të Filharmonisë së Krakovës, në kuadër të bashkëpunimit mes dy institucioneve, të nisur këtë vit.

Dirigjenti ka thënë se të dyja veprat polake janë interpretuar për herë të parë nga Filharmonia e Kosovës dhe se përgatitja e tyre ka kërkuar punë intensive.

“Është e vërtetë se dy veprat polake i interpretuam për herë të parë. Jam shumë i kënaqur me punën që bëmë me orkestrën për përgatitjen e tyre, sepse vepra e Karol Szymanowskit është shumë e vështirë, ashtu si edhe ajo e Krzysztof Pendereckit. Megjithatë, orkestra i interpretoi shumë mirë të dyja veprat. Kemi punuar shumë dhe kemi mbajtur prova edhe një javë më parë. Gjithçka ishte përgatitur dhe interpretuar shumë mirë. Jam i lumtur që pata mundësinë t’i prezantoja këto vepra këtu në Kosovë, me shumë gjasë për herë të parë në historinë e Filharmonisë suaj”, ka thënë ai.

Në pjesën e dytë, vëmendja është përqendruar te oratoriumi “Homagium Matri Teresiae” i kompozitorit Mendi Mengjiqi, vepër monumentale kushtuar Nënë Terezës. Me Korin e Filharmonisë dhe solistëve sopranos Adelina Paloja, mexosopranos Ivana Hoxha, tenorit Matias Xheli dhe basit Bledar Domi, vepra ka zgjeruar përmasat e koncertit, duke bashkuar orkestrën dhe zërat në një shprehje muzikore në frymën sakrale.

Përmes ndërthurjes së pjesëve korale meato solistike, oratoriumi ka krijuar kontraste midis momenteve të fuqishme dhe atyre më të përmbajtura, ku zërat kanë dalë në plan të parë. Gjuha muzikore e Mengjiqit, e cila në disa segmente bart edhe ndikime të folklorit të Kosovës, ka ndërthurur traditën me shprehje bashkëkohore, duke i dhënë veprës identitetin e saj të veçantë.

Dirigjenti ka vlerësuar se Mengjiqi ka gjuhën e vet muzikore, pavarësisht ndikimeve që mund të ketë marrë gjatë formimit të tij, veçanërisht nga profesori i tij, kompozitori i madh polak, Krzysztof Penderecki. 

“Ndoshta është ndikuar pak nga profesori i tij, por Mendi Mengjiqi ka gjuhën e vet muzikore, e cila ndikohet edhe nga folklori i Kosovës. Në disa pjesë të këtij kompozimi mund t’i dallojmë qartë këto ndikime”, ka thënë ai.

Për dirigjentin dhe orkestrën, rikthimi te kjo vepër nuk ka qenë përvojë e re. Oratoriumi ishte interpretuar edhe vitin e kaluar, çka ka ndihmuar që përgatitja e tij të zhvillohej mbi njohjen paraprake të strukturës dhe kërkesave muzikore. 

Mexosopranoja Ivana Hoxha ka thënë se është ndier e lumtur që ka interpretuar një vepër të kompozitorit shqiptar, të cilën e ka cilësuar si një krijim të bukur e madhështor.

“Është një oratorium shumë i bukur dhe madhështor, ndër të tjera edhe për faktin se kërkon angazhimin e një orkestre dhe të solistëve. Ndihem jashtëzakonisht e privilegjuar që më është besuar ky rol”, ka thënë Hoxha.

Ajo ka treguar se interpretimi ka qenë sfidues, pasi roli ndryshonte nga veprat e tjera oratorike që kishte kënduar më parë. Megjithatë, këtë përvojë e ka konsideruar një mundësi për t’u përballur me kërkesa të reja artistike.

Edhe sopranoja Adelina Paloja e ka cilësuar interpretimin e oratoriumit si një përgjegjësi të veçantë. 

“Mbrëmje koncertale me një oratorium fantastik të kompozitorit tonë, njërit prej kompozitorëve më të mirë që kemi, i cili ka kompozuar edhe himnin e Kosovës, siç e njohim të gjithë. Ky oratorium kishte mbetur diku në arkiva dhe nuk ishte interpretuar në Kosovë që nga koha e kompozimit të tij, në vitet nëntëdhjetë. Vepra ishte krijuar me rastin e 600-vjetorit të Akademisë së Krakovës. Kur u rikthye për herë të parë vitin e kaluar, e ndjeva një përgjegjësi të jashtëzakonshme dhe një nder të madh që isha përzgjedhur nga profesori Mendi për ta interpretuar. Jam dyfish e lumtur që po rikthehem me Filharmoninë e Kosovës, ku jam rritur artistikisht”, ka thënë ajo. 

Paloja ka treguar se rikthimi i veprës në skenë vitin e kaluar, kur ishte përzgjedhur për ta interpretuar, e kishte bërë të ndihej e nderuar, por edhe e vetëdijshme për përgjegjësinë artistike që merrte përsipër.

“Jam dyfish e lumtur që po rikthehem me Filharmoninë e Kosovës, ku jam rritur artistikisht”, ka thënë ajo.

Për rolin e sopranos, Paloja ka shpjeguar se ai kërkon angazhim të vazhdueshëm vokal, pasi pjesët solistike shtrihen pothuajse përgjatë gjithë oratoriumit. 

“Së bashku me kolegët tanë, solistët mysafirë dhe dirigjentin, e përjetuam këtë mbrëmje si një përvojë të veçantë artistike. Mendoj se e kurorëzuam atë edhe si homazh për Nënë Terezën dhe arritëm, ndoshta, t’ua preknim zemrat të gjithë të pranishmëve, duke përcjellë kështu misionin që ka arti”, ka thënë Paloja.

Koncerti i së shtunës ka shërbyer si pikëtakimi midis dy traditave muzikore, por edhe si prezantim i asaj çfarë do të prezantojë institucioni më pas në një hapësirë të denjë interpretimi. Bashkëpunimi midis Filharmonisë së Kosovës dhe asaj të Krakovës do të vazhdojë po në këtë qytet polak ku i njëjti program do të prezantohet më 16 dhe 17 tetor.