KOHA.net

Поддржете го TIME. Зачувајте ја вистината.
KULTURA

Речиси половина милион книги се упатени кон затворите во Велика Британија

Затворски книги „Агенција за читање“

Nisma, e realizuar nga organizata bamirëse “Reading Agency” në kuadër të programit të saj “Quick Reads”, parasheh shpërndarjen e kopjeve të 11 librave, titujt e të cilëve janë përzgjedhur me kontributin e të burgosurve dhe të personelit të burgjeve. Një libër do t’i shpërndahet çdo qelie në të gjithë sistemin e burgjeve, ndërsa kopje të tjera do të dërgohen në bibliotekat e burgjeve

Gati gjysmë milioni libra do të shpërndahen këtë vjeshtë nëpër burgjet e Anglisë, Uellsit, Skocisë dhe Irlandës së Veriut, në kuadër të një fushate të mbështetur nga shkrimtari i romaneve bestseller, Lee Child. 

Nisma, e realizuar nga organizata bamirëse “Reading Agency” në kuadër të programit të saj “Quick Reads”, parasheh shpërndarjen e kopjeve të 11 librave, titujt e të cilëve janë përzgjedhur me kontributin e të burgosurve dhe të personelit të burgjeve. Një libër do t’i shpërndahet çdo qelie në të gjithë sistemin e burgjeve, ndërsa kopje të tjera do të dërgohen në bibliotekat e burgjeve.
Child, laureati i parë britanik për leximin në burgje, ka treguar se nisma synon të trajtojë problemin e “derës rrotulluese”, njerëzit që dalin nga burgu, por që e kanë të vështirë të përballen me jetën jashtë tij dhe përfundojnë duke u kthyer sërish në burg.

“Nëse arrijmë të parandalojmë kthimin në burg të një në dhjetë prej këtyre njerëzve, kjo do të ishte një arritje e madhe”, ka thënë ai. “Kjo do të ishte e dobishme për shoqërinë në tërësi, jo vetëm për të burgosurin dhe punëdhënësin e tij të ardhshëm”.

Statistikat e Ministrisë së Drejtësisë për vitin 2024–2025 tregojnë se 65 për qind e rezultateve të vlerësimeve fillestare në burgjet publike të Anglisë, të bazuara në testet e kryera me rastin e pranimit në burg, ishin në nivelet 1–3 të hyrjes, pra nën standardin  që pritet të ketë një nxënës i zakonshëm që i nënshtrohet provimeve GCSE.

Child tregoi se njerëzit që dëshirojnë ta ndryshojnë jetën e tyre pas daljes nga burgu mund të përballen me pengesa të njëpasnjëshme nëse kanë vështirësi në lexim.

“Përfituesi i qartë do të ishte dikush që ndodhet [në burg] për shkak të ndonjë gabimi apo rrethane fatkeqe për të cilën pendohet dhe që dëshiron të ecë drejt në jetë pas daljes nga burgu, pa u kthyer më kurrë atje”, ka thënë ai. “Por ky person përballet me problemin e gjetjes së një pune nëse ka një dënim penal dhe, përveç kësaj, mund të ketë edhe aftësi të dobëta të shkrim-leximit”.

Ai ka thënë se edhe detyrat e përditshme mund të shndërrohen në pengesa.

“Nuk mund ta lexosh kontratën e qirasë nëse dëshiron të marrësh me qira një banesë; nuk mund të merresh me shërbimet utilitare apo me licencën televizive nëse nuk mund t’i lexosh njoftimet zyrtare”.
Përmbledhja e librave të programit “Quick Reads” përfshin vepra të zhanrit kriminalistik dhe triller, kujtime autobiografike, libra për mirëqenien dhe një udhëzues për shkrimin krijues. Ndër titujt artistikë janë “High Heat”, i shkruar nga vetë “Child”, “Cell One”, një triller që zhvillohet në Lagos, nga Leye Adenle dhe “Darkness Rising”, pjesë e serisë Harry Virdee, nga shkrimtari i letërsisë kriminalistike AA Dhand, me bazë në Bradford.

Librat e tjerë përfshijnë kujtimet autobiografike të Lemn Sissayt, “My Name Is Why”, “Today Everything Changes”, nga Andy McNab si dhe “The Mind Manual”, nga Alex George. Në mesin e autorëve të përfshirë janë edhe Dreda Say Mitchell, Fiona Cummins, Cathy Rentzenbrink dhe Alex Wheatle.
Child, i cili që nga fillimi i punës së tij si laureat vitin e kaluar ka vizituar burgjet 30 deri në 40 herë, ka thënë se një nga shpjegimet më të shpeshta që kishte dëgjuar nga njerëzit që nuk lexonin ishte se librat që u ishin dhënë në shkollë ishin të mërzitshëm. Sipas tij, programi “Quick Reads” ofron një alternativë.

“Këta janë libra të mirëfilltë, të shkruar nga rrëfimtarë të mirëfilltë, dhe nuk kanë asgjë të thjeshtëzuar apo fëmijërore në vetvete. Ata janë thjesht të shkurtër”, ka thënë ai.

Ai shtoi se përmirësimi i qasjes në libra nuk duhet parë si një qasje tolerante ndaj kriminalitetit, por si një mënyrë praktike për të mbështetur rehabilitimin dhe për të zvogëluar përsëritjen e veprave penale.

“Problemi me reagimin e publikut ndaj nismave të tilla është reagimi disi i nxituar, sipas të cilit kjo do të thotë ‘të jesh i butë ndaj krimit’”, ka treguar ai. “Pikëpamja ime është se jo, në të vërtetë kjo është një qasje e ashpër ndaj krimit. Ajo përqendrohet te vendet ku duhet të orientohen realisht buxheti dhe vëmendja”.

Krahas shpërndarjes së librave, organizata “Reading Agency” do të organizojë punëtori të udhëhequra nga autorët, aktivitete të shkrimit krijues, materiale për Radion Kombëtare të Burgjeve, si dhe burime për bibliotekat e burgjeve, ekipet arsimore dhe mbështetësit nga radhët e vetë të burgosurve. Nisma financohet nga fondacioni “Henry Smith”, një organizatë jofitimprurëse e përqendruar te luftimi i varfërisë.

AA Dhand, libri i të cilit “Darkness Rising” është përfshirë në përzgjedhje, ka deklaruar: “Librat duhet të jenë të qasshëm për të gjithë, pavarësisht rrethanave në të cilat ndodhen apo marrëdhënies që kanë pasur më parë me leximin”.

Dhand shtoi: “Në burg, leximi mund të ofrojë shumë më tepër sesa një arratisje të përkohshme nga realiteti. Ai mund të ndërtojë vetëbesimin, të krijojë ndjeshmëri ndaj të tjerëve dhe t’u japë njerëzve mundësinë ta shohin botën dhe veten ndryshe. Nëse libri i duhur arrin te personi i duhur në momentin e duhur, ai mund të hapë një derë që përndryshe mund të kishte mbetur e mbyllur”. 

Karen Napier, drejtoreshë ekzekutive e “Readinf Agency” ka deklaruar se programi ishte hartuar me synimin për t’u dhënë njerëzve në burg mundësinë të zgjedhin vetë se çfarë dëshirojnë të lexojnë.

“Kur ia vendosim një libër drejtpërdrejt në duar dikujt, ne po i ofrojmë më shumë sesa fjalë në një faqe”, ka thënë ajo. “Leximi mund të ofrojë arratisje nga realiteti, lidhje me të tjerët dhe hapësirë për reflektim, duke mbështetur njëkohësisht mirëqenien, vetëbesimin dhe të nxënit. Dëshirojmë që sa më shumë njerëz të kenë mundësinë të gjejnë një libër që i tërheq dhe të zbulojnë se ku mund t’i çojë leximi”.