Gjatë viteve të fundit, disa nga institucionet kryesore kulturore në Kosovë janë mbyllur për renovim, ndërsa të tjera pritet të mbyllen së shpejti. Nick Awde raporton mbi atë që ndodh me skenën teatrore të një vendi kur gjithnjë e më pak hapësira mbeten të disponueshme për të vënë në skenë vepra artistike
Nick Awde
Kultura ka nevojë për një shtëpi dhe kujdesi për atë shtëpi është detyrë e shoqërisë. Në Kosovë, ku shumica e objekteve kulturore janë në pronësi të shtetit dhe ekonomia është ndër më të varfrat në Evropë, është e natyrshme që pjesa më e madhe e këtij kujdesi të vijë nga shteti (dhe ndoshta nga partnerët e tij të mëdhenj në biznes). Por gjatë katër viteve të fundit, Qeveria e Kosovës ka ndërmarrë një program të paprecedentë reformash kulturore në nivel lokal dhe kombëtar, i cili ka rezultuar njëkohësisht si akt mbytjeje artistike sa edhe një përpjekje për shpëtimin institucional.
Problemi është se rreth 80 për qind e hapësirave kulturore janë mbyllur ose janë në prag të mbylljes për shkak të renovimeve. Si pasojë, jo vetëm që janë ndërprerë karrierat e shumë profesionistëve të kulturës, por artistët janë ndarë edhe nga publiku i tyre.
Institucione kyçe si Teatri Kombëtar dhe Muzeu Kombëtar – të dyja monumente të mbrojtura me ligj – kryesojnë listën ku përfshihen edhe teatri “Oda” në Prishtinë, teatrot e Pejës dhe Ferizajt, si dhe kinemaja “Lumbardhi” në Prizren. Punimet pritet të nisin së shpejti edhe në Teatrin e Gjilanit dhe muzeun “Burgu i idealit”, ndërsa Galeria Kombëtare, e restauruar së fundmi, u rihap në korrik. Tashmë Ministria e Kulturës planifikon të nisë restaurimin edhe të Bibliotekës Kombëtare të Kosovës.
“Skena teatrore në kryeqytet është paralizuar pothuajse plotësisht”, thotë Jeton Neziraj, drejtor i Qendrës “Multimedia”.
“Aktualisht kemi vetëm një teatër gjysmëfunksional, teatrin për fëmijë dhe të rinj, “Dodona”, por edhe ai është bërë jofunksional për shkak të procedurave burokratike të vendosura nga Komuna e Prishtinës”.
Kjo zhdukje e hapësirave funksionale kulturore është një ngërç infrastrukturor që prek drejtpërdrejt karrierat njerëzore. Regjisori, filmbërësi dhe shkrimtari Besim Ugzmajli thotë: “Siç ndodh shpesh në vendin tonë, gjërat nuk planifikohen dhe nuk mendohen deri në fund. Renovimi i objekteve kulturore pa siguruar më parë hapësira alternative ka qenë shkatërrues për jetën artistike dhe kulturore në Kosovë. Imagjinoni të rinovohen spitalet pa u ofruar ambiente alternative pacientëve dhe mjekëve. Artistët do ta humbin ritmin, gjendjen krijuese dhe motivimin”.
исто така
„Маригона“ го запечатува 35-годишното поглавје „Засекогаш“
Përpjekja për të ndërtuar një realitet të qëndrueshëm kulturor ka krijuar një realitet paralel të afateve të shtyra vazhdimisht dhe një gjendje pezull për artistët.
“Ekziston klisheja se 'arti nuk ka moshë', por në realitet zhvillimi artistik lidhet ngushtë me periudha të caktuara të jetës”, thotë Adrian Morina, drejtor artistik i “Prizren Fest”.
“Si mund ta luajë një aktor Hamletin nëse mes moshës 20 dhe 30 vjeç, vitet më të rëndësishme për zhvillim, teatrot janë të mbyllura? Si mund të bëhesh Zhulieta në të dyzetat? Kush ka luksin të presë mjaftueshëm për të interpretuar Mbretin Lir?”
Ai shton se kishte bërë shaka duke thënë se shfaqjet mund të zhvendoseshin në skenën e muzeut “Burgu i Idealit”, por iu përgjigjën se edhe ajo hapësirë do të mbyllej për renovim.
“Kjo ngre pyetjen shqetësuese: a kemi një skenë kulturore në rindërtim apo një skenë të mbyllur? Pasojat janë të njëjta”.
Nuk është çudi që hapësirat alternative janë tejmbushur. Mbyllja e teatrit “Oda” detyroi dy kompanitë e pavarura teatrore të përdorin ambientet e Teatrit Kombëtar, i cili vetë është zhvendosur përkohësisht në një amfiteatër të vogël në Pallatin e Rinisë dhe Sporteve – hapësirë që shfrytëzohet edhe nga Baleti Kombëtar i Kosovës.
“Imagjinoni një hapësirë që në rastin më të mirë do t'i shërbente një shfaqjeje studentore, sot pret prodhime të katër trupave teatrore”, thotë gazetari i artit Shaban Maxharraj.
“Nuk ka fare kapacitet për produksione të mëdha, ndaj idetë janë zvogëluar për t'iu përshtatur skenës. Në këtë pikë, karrierat nuk po zhvillohen më, ato thjesht po mbijetojnë”.
Qendra “Multimedia”, një nga organizatat kulturore që përdorte hapësirat e teatrit “Oda”, mori vetëm dhjetë ditë afat për të larguar skenografinë dhe kostumet. Një pjesë e tyre përfunduan në shtëpitë private të anëtarëve të trupës, të cilët duhet të organizojnë transportin sa herë kanë shfaqje.
Askush nuk kundërshton nevojën për rinovim dhe përmirësim të infrastrukturës kulturore. Por sigurimi i hapësirave alternative nuk u planifikua, duke ua mohuar artistëve mundësinë për të ushtruar profesionin e tyre dhe duke dëmtuar veçanërisht zhvillimin e artistëve të rinj.
“Na duhen urgjentisht hapësira alternative, edhe nëse nuk janë ideale”, thotë Ugzmajli.
“Ato nuk ofrojnë cilësinë artistike të një teatri të mirëfilltë, por janë shumë më mirë sesa ta lëmë jetën kulturore të Kosovës të ndalet plotësisht”.
Artistët në Kosovë kanë treguar gjithmonë rezistencë, por rezistenca nuk duhet të ngatërrohet me qëndrueshmërinë, shton Morina. Shumë janë detyruar të krijojnë skena të improvizuara ose në ambiente të hapura, por kjo kërkon ndërtim nga e para, ndriçim, zë, video, masa sigurie dhe mbetet gjithmonë e rrezikuar nga kushtet atmosferike.
Kështu, zgjedhjet krijuese shndërrohen në detyrime infrastrukturore.
исто така
„Косоварја“ – почит кон силата и отпорот
“Njerëzit kanë vetëm një zgjedhje: të mos lejojnë që vendi të mbetet pa prodhime artistike”, thotë Maxharraj. Ai kujton se Kosova ende nuk ka një sallë koncertesh funksionale.
“Një projekt dështoi pasi u shpenzuan mbi një milion euro, ndërsa një tjetër ende nuk ka përfunduar. Ndërkohë, premiera e Operës së Kosovës me një reprizë kushtoi 400 mijë euro, ku gjysma e buxhetit, sipas organizatorëve, shkoi vetëm për ndërtimin e një skene të improvizuar në një hapësirë private”
Një problem tjetër është vonesa kronike e renovimeve. Punime të planifikuara për dy vjet zgjasin katër ose më shumë, ndërsa po shtohen shqetësimet se shumë projekte realizohen pa ekspertë të arkitekturës teatrore, akustikës dhe teknologjisë skenike.
“Sa teatro kemi ndërtuar që nga Lufta e Dytë Botërore?" pyet Morina.
"Përgjigjja është: asnjë. Prandaj, mbi çfarë tradite po mbështetemi kur flasim për rindërtim?
Rrezikojmë të kemi objekte që duken të reja, por që nuk u shërbejnë nevojave reale të artistëve dhe publikut”.
Kosova kishte tashmë rënie të audiencës teatrore pas pandemisë së COVID-19, dhe kjo periudhë pa shfaqje rrezikon ta largojë publikun edhe më shumë nga teatri. Rikthimi i publikut dhe i entuziazmit të artistëve do të jetë një sfidë e madhe.
Ndikimi është i dukshëm edhe në bashkëpunimet ndërkombëtare. Për shkak të mungesës së hapësirave, festivale si ai në Ferizaj detyrohen të improvizojnë, ndërsa bashkëprodhime ndërkombëtare janë zhvendosur jashtë Kosovës. Një projekt i Qendrës “Multimedia” në bashkëpunim me teatro nga Gjeorgjia, Ukraina dhe Suedia është transferuar nga Prishtina në Shkup.
“Shkëmbimi kulturor nuk ka të bëjë vetëm me idetë artistike, por edhe me besueshmërinë dhe infrastrukturën”, thotë Morina.
“Kur partnerët e huaj pyesin ku do të zhvillohet një shfaqje dhe në çfarë kushtesh, ne ose detyrohemi të bëjmë kompromise, ose humbasim bashkëpunimet”.
Edhe prezantimi i veprave jashtë vendit vuan nga mungesa e kushteve profesionale. Kur produksionet zhvillohen pa skena, pajisje teknike dhe vazhdimësi provash, cilësia bie dhe kjo reflektohet në mënyrën se si priten ndërkombëtarisht.
Kur teatrot të rihapen, dramaturgu argumenton se do të ishte gabim të mos hartohej një plan i qartë rimëkëmbjeje, i mbështetur nga institucionet dhe financimi publik, që do t'u japë përparësi artistëve karrierat e të cilëve janë ndërprerë dhe të rinjve që ende nuk kanë pasur mundësi të ngjiten në një skenë profesionale.
исто така
„Расчистувањето“ ја отвора заборавената рана на жените на колонијалните плантажи
Megjithatë, Jeton Neziraj shprehet skeptik: “Kam frikë se sapo hapësirat të rihapen, njerëzit thjesht do të nxitojnë t'i zënë ato, pa reflektuar për dëmin që kjo mbyllje e gjatë u ka shkaktuar artistëve të rinj. Nuk po flasim më për zhvillim, ide apo bashkëpunime ndërkombëtare. Po flasim për të drejtën bazë për të ushtruar profesionin tonë. Edhe kjo na është mohuar. Njëzet e shtatë vjet pas përfundimit të luftës, ne ende luftojmë për kushte elementare pune, të bllokuar nga paaftësia e qeverisë për të zgjidhur një problem kaq bazik”.
(Marrë nga “SeeStage”)