KOHA.net

Поддржете го TIME. Зачувајте ја вистината.
KULTURA

„Светлината на тишината“ го овековечува моментот како монументален чин

Ekspozita “Drita e heshtjes” e Blerta Syla-Surroit është cilësuar si hapësirë intime dhe poetike ndërmjet kujtesës personale, artit dhe përditshmërisë së heshtur

Ekspozita “Drita e heshtjes” e Blerta Syla-Surroit është cilësuar si hapësirë intime dhe poetike ndërmjet kujtesës personale, artit dhe përditshmërisë së heshtur

Në bardhezi e edhe në shkrepje me ngjyra të tjera, Blerta Syla-Surroi sikur monumentalizon çastin. Pushimi me familjen në bregdet, hamendësimet duke parë veprat në qeramikë e momente të tjera të përditshmërisë, s’janë veç dokumentime. Marrin rolin e njëfarë monumentaliteti. “Drita e heshtjes”, të zakonshmes që kalon pa u vënë re, ia jep peshën e një monumenti të përjetshëm

Mund të shihen si shkrepje të një çasti të përditshmërisë. Por shpejt vërehet se s’janë veç imazhe për të dokumentuar një moment a një tjetër. Prapa fotoaparatit është menduar për dritën, hijen, kompozicionin e mbi të gjitha për ndjesinë që meriton një shkrepje. Kësisoj, përditshmëria apo çasti marrin tjetër peshë në shkrepjet e Blerta Syla-Surroit. Si artiste shumëdimensionale, e cila kohën e ndan midis aktrimit, pikturës e qeramikës, të mërkurën mbrëma, Syla-Surroi është prezantuar edhe me ekspozitën e parë të fotografisë, “Drita e heshtjes”. Në ambientet e galerisë “Qahili” në kryeqytet, Blerta Syla-Surroi vjen në një tjetër medium. Në bardhezi e edhe në shkrepje me ngjyra të tjera, ajo sikur monumentalizon çastin. Pushimi me familjen në bregdet, hamendësimet duke parë veprat në qeramikë e momente të tjera të përditshmërisë, s’janë veç dokumentime. Marrin rolin e njëfarë monumentaliteti të përditshmërisë. 

Kuruar nga Elton Koritari, përzgjedhja e fotografive është bërë nga shkrepjet ndër vite.

“Jam shumë e lumtur që sonte hapet ekspozita e fotografisë, një gjuhë e imja në një tjetër medium. Ky cikël është i përditshmërisë sime. I disa momenteve që shpesh na kalojnë pa i vënë re. Por unë, përderisa mendoj se çfarë të punoj, i kap ato çaste dhe i përjetësoj në fotografi. Ndihem mirë. Ndihem e përmbushur, më bën përshtypje drita shumë, kompozicioni”, ka thënë artistja Syla-Surroi. Ka treguar se sapo sheh një dritë mbi një objekt, një hije, një lëvizje, menjëherë nxitet që ta fotografojë e ta përjetësojë atë çast.

“Duke qenë se jam qeramiste, aktore e piktore, këto të tria janë të ndërlidhura dhe më kanë formësuar si artiste dhe më kanë bërë më të guximshme dhe më kërkuese në shprehjen time artistike. Teatri më ka mësuar fjalën dhe lëvizjen, qeramika më ka mësuar ta përdor materialin dhe formën, piktura më ka mësuar kompozicionin dhe ngjyrën, kurse fotografia çastin”, ka thënë ajo. Dhe çasti në shkrepjet e saj, edhe në ato bardhezi, duket shumëngjyrësh. E ka atë peshë. Silueta e saj vjen në shkrepjet që ua ka bërë qeramikave për të cilat njihet jo veç në vend, por edhe përtej. Në këto fotografi vjen si person që përshkon punën e saj për të menduar mbi vazhdimësinë dhe ai moment është i rëndësishëm për të.
“Një artist jeton me punën e tij, me krijimin e tij dhe gjithmonë është në kërkim të idesë për ta vazhduar krijimtarinë e vet. Këto fotografi që janë të ekspozuara e ku janë edhe qeramikat e mia, janë me një dritë të perëndimit nga prapa, ku unë kam zënë edhe siluetën time. Për mua ishte një moment, një gjetje dhe një frymëzim për një punë të re”, ka thënë Blerta Syla-Surroi.

Si artiste shumëdimensionale, e cila kohën e ndan midis aktrimit, pikturës e qeramikës, të mërkurën mbrëma, Blerta Syla-Surroi është prezantuar edhe me ekspozitën e parë të fotografisë, “Drita e heshtjes”

Në konceptin kuratorial të Elton Koritarit, ekspozita “Drita e heshtjes” e Syla-Surroit ndërton një hapësirë intime dhe poetike ndërmjet kujtesës personale, artit dhe përditshmërisë së heshtur. Sipas tij, përmes imazheve bashkëkohore, autorja krijon një dialog të ndjeshëm mes njerëzve të saj të afërt, terakotave dhe fragmenteve të jetës që zakonisht mbeten jashtë vëmendjes.

“Drita në imazhet e Blertës nuk është vetëm si element vizual, por si gjuhë emocionale që zbulon heshtjen e brendshme dhe gjurmët e kohës, ku fotografia bëhet një hapësirë meditimi, ku intimiteti shndërrohet në përvojë universale. Në qendër të konceptit qëndron ideja e transformimit simbiotik, balta që merr formë dhe flet, figurat njerëzore akrobatike dhe objektet e zakonshme që fitojnë dimension simbolik konceptual”, ka shkruar Koritari. Sipas tij, autorja i qaset fotografisë si një proces i ngjashëm me qeramikën, ngadalshëm, prekshëm dhe të ndërtuar përmes ndjeshmërisë ndaj dritës dhe kohës. Në leximin e tij, imazhet e saj krijojnë një estetikë të qetë bashkëkohore, ku kufijtë mes dokumentares dhe poetikes treten, ndërsa jeta e përditshme paraqitet si një ritual i heshtur ekzistence.
“Kjo ekspozitë është një reflektim mbi praninë njerëzore në një botë të mbingarkuar nga zhurma dhe dinamika. Përmes kompozimeve minimale, tonaliteteve të ndjeshme dhe atmosferës introspektive, ekspozita fton shikuesin të ndalet përballë fragjilitetit të çasteve të vogla dhe të rikthejë vëmendjen te bukuria e heshtur e jetës”, ka shkruar Koritari. Në kontekstin e artit bashkëkohor vizual, sipas tij, kjo qasje krijon një narrativë autentike, ku fotografia funksionon si memorie dhe poezi vizuale njëkohësisht. Memoria është aty, sikurse edhe poezia vizuale, bashkë me shumë rrëfime që fshihen brenda kornizave e përtej tyre. Shkrepjet e reflektojnë këtë.

Ekspozita, e hapur në bashkëpunim me festivalin ndërkombëtar të fotografisë “Fotoist”, pos që shpalos multidimensionalitetin e artistes Blerta Syla-Surroi, vjen edhe si thirrje për vëmendje më të madhe për përditshmërinë

Profesori universitar i pikturës, Hajrush Fazliu, ka thënë se e njeh krijimtarinë artistike të Blerta Syla-Surroit, pasi ka qenë edhe studente e tij.

“Thjesht më ka befasuar që edhe në fushën e fotografisë di të sjellë një art të vërtetë, një art me estetikë shumë të bukur, ku gërsheton edhe elemente të qeramikës së saj me raportin e dritëhijes, që fotografinë e bën më karakteristike dhe interesante. Jam i befasuar për të mirë”, ka thënë ai. Sipas Fazliut, “Qahili” po sjell art të veçantë me emra të njohur edhe ndërkombëtarisht, por edhe me ekspozitën e Syla-Surroit solli një punë me të cilën karakterizohet ajo.

“Duke e ditur se Blerta është vërtet një artiste multidisiplinare, një aktore e shkëlqyeshme, një piktore e mirë e veçmas në fushën e qeramikës, me fotografinë e plotësoi opusin krijues. Uroj të vazhdojë, pasi ka çfarë të thotë, është një artiste e gjeneratës së re dhe puna e saj vërtet do të jetë edhe më e ndritshme, duke krijuar individualitetin e vet në fusha të caktuara të artit pamor”, ka thënë ai.

Piktori e njëherësh profesori universitar nga Maqedonia e Veriut, Burhan Ahmeti, ka thënë se është kënaqësi të jesh prezent në këtë ekspozitë të fotografisë.

“Galerinë sonte e zbukuroi kjo ekspozitë. Kjo galeri di çdo herë të na befasojë me ekspozita. Blerta na befasoi me këtë ekspozitë, pasi jemi mësuar ta shohim me artin e qeramikës, grafikës, pikturës e aktrimit. Më pëlqeu shumë përzgjedhja e fotografive dhe koncepti i ekspozitës. E uroj Blertën që të përqendrohet më shumë te arti i fotografisë dhe të na sjellë befasi të reja”, ka thënë ai.

Ekspozita, e hapur në bashkëpunim me festivalin ndërkombëtar të fotografisë “Fotoist”, pos që shpalos multidimensionalitetin e artistes Blerta Syla-Surroi, vjen edhe si thirrje për vëmendje më të madhe për përditshmërinë. Për procesin e të menduarit për vazhdimësisë së punës. Dhe për artin që fshihet në të.