KOHA.net

Поддржете го TIME. Зачувајте ја вистината.
KULTURA

Светот на Ван Гог во Приштина како уникатно искуство надвор од визуелната уметност

Ван Гог - Длабока вселена

Veprat mbulojnë njërin nga katër muret dhe gjysmën e dyshemesë së “Deep Space”, hapësirës ku, prej së martës, për dy javë ofrohet mundësia për “Van Gogh immersive experience”

“Van Gogh immersive experience” s’është një ekspozitë tradicionale e pikturave, por emërtimi që përdoret për disa ekspozita audiovizuale që e prezantojnë artin e piktorit përmes projektimeve digjitale në shkallë të madhe, muzikës dhe hapësirave ku vizitori mund të ecë brenda një mjedisi të krijuar nga pikturat e tij. Këtë eksperiencë unike e sjell edhe në Prishtinë, dhe arti i mjeshtrit postimpresionist vjen në një tjetër format midis artit dhe teknologjisë

S’janë veprat origjinale, por bëhet fjalë për një eksperiencë unike. Veprat e impresionistit holandez, Vincent van Gogh, pos që pushtojnë hapësirën, vijnë në kombinim me muzikë – kësaj radhe edhe shqiptare – bashkë me lëvizjet që rrisin interaktivitetin dhe përjetimin. Shkëlqimi i yjeve, i dritave, i së verdhës dhe i së kaltrës, që bashkë me ngjyrat e tjera identifikuese të artistit vijnë të fuqishme, e plotësojnë përjetimin. Është hyrje në botën e artistit me nam, i cili jetoi prej vitit 1853 deri më 1890. Loja e penelit të tij, kësaj radhe, siç po ndodh në tërë botën, vjen nëpërmjet teknologjisë. 

Në rastin e Kosovës, veprat mbulojnë njërin nga katër muret dhe gjysmën e dyshemesë së “Deep Space”, hapësirës ku, prej së martës, për dy javë ofrohet mundësia për “Van Gogh immersive experience”.

Printimet e veprave në hollin hyrës janë njëfarë njoftimi për atë që e pret vizitorin. “Van Gogh immersive experience” s’është një ekspozitë tradicionale e pikturave, por emërtimi që përdoret për disa ekspozita audiovizuale që e prezantojnë artin e piktorit përmes projektimeve digjitale në shkallë të madhe, muzikës dhe hapësirave ku vizitori mund të ecë brenda një mjedisi të krijuar nga pikturat e tij. Vizitori gjendet në një sallë ku muret, dyshemeja dhe, nganjëherë, varësisht nga hapësira, edhe strukturat e tjera mbulohen me imazhe të animuara të veprave të Van Goghut. Lulet e lulediellit, qielli me yje, peizazhet, portretet dhe krijimet e tjera të tij projektohen në përmasa gjigante, të shoqëruara me muzikë dhe efekte lëvizëse. Kjo formë njihet si “immersive art” ose, në shqip, art gjithëpërfshirës. Ky lloj projektimi i zhbën kufijtë, duke e futur vizitorin në botën e Van Goghut.

Në Prishtinë, këtë e ka mundësuar “Prishtina Music Conference”, bashkë me Komunën e Prishtinës dhe Ambasadën e Holandës në Kosovë.

“Normalisht që kushdo që ka shkuar në Amsterdam ose në vende të tjera ka pasur mundësi të shohë vepra të këtij artisti. Por ne kemi punuar goxha për ta sjellë një ekspozitë të tillë në Prishtinë. Në këtë hapësirë mund të shfaqen edhe ekspozita të tilla, që janë pak më ndryshe nga ato që jemi mësuar të shohim. Është shumë e rëndësishme që të shihet diçka e tillë në Prishtinë”, ka thënë Kushtrim Dushi, i cili udhëheq “Deep Space”, që gjendet në ndërtesën e ish-shtëpisë së mallrave “Gërmia”, në sheshin “Skënderbeu”.

Ambasadorja e Holandës në Kosovë, Astrid de Vries, ka thënë se promovojnë shumë diplomacinë kulturore dhe se, nëpërmjet kulturës, mund të krijohen ndërlidhje të vërteta përtej kufijve e brezave.

“Dhe kjo është arsyeja e sjelljes së kësaj ekspozite në Prishtinë. Marrëdhënia jonë me Kosovën është e bazuar në bashkëpunim e vlera të përbashkëta. Dhe kjo është ajo që duam të tregojmë edhe me këtë ekspozitë”, ka thënë ajo. Sipas saj, në Kosovë ka shumë të rinj dhe arti e teknologjia u ofrojnë mundësi audiencave të reja.

“Kjo është edhe ajo që ofron ky projekt. Mendoj se i forcon lidhjet tona, pasi kultura na bashkon”, ka thënë ajo. Sipas Astrid de Vries, Van Goghu është pjesë e kulturës dhe identitetit të holandezëve dhe njerëzit atje rriten me veprat dhe ndikimin e tij.

Ministrja e Kulturës dhe Turizmit, Saranda Bogujevci, ka thënë se gjërat që mësohen në shkollë, gjatë rritjes, duhet t’i përjetojnë sa më shumë edhe përmes përvojave të tjera.

“Unë i mbaj mend përvojat që kam pasur apo ballafaqimin me punën e një artisti. Është një pjesë transformuese në zhvillim dhe në mënyrën se si e sheh botën dhe e kupton artin. Kosova ka qenë më e izoluar në krijimin e këtyre përvojave. Kjo që është prezantuar sot është diçka që po ndodh në krejt botën dhe më vjen mirë që e kemi në Kosovë, pasi ka nevojë për këtë”, ka thënë ajo. Sipas Bogujevcit, projektet e tilla i nxisin punonjësit institucionalë që t’i zhvillojnë institucionet më tej.
“Programi i artit në shkolla duhet të zgjerohet dhe të jetë më i pranishëm. Unë historinë time për përjetimet gjatë luftës së pari e kam treguar nëpërmjet artit. Këtë ma ka mundësuar arsimtarja e artit. Arti ka dimensione të ndryshme dhe na mbetet ta zhvillojmë më tej. Jam shumë e lumtur që jemi në fazën e finalizimit të strategjisë së industrisë ose ekonomisë kreative”, ka thënë ajo.

Për të parin e kryeqytetit, kryetarin Përparim Rama, ky projekt ka domethënie të madhe.

“Është kënaqësi të jemi në ekspozitën imersive të Van Goghut. Kemi punuar për dy vjet për ta pasur këtë ekspozitë nga Muzeu i së Ardhmes dhe për t’ua mundësuar këtë eksperiencë të gjithë vizitorëve. Është një përjetim i artit në aspekte të ndryshme e jo vetëm në aspektin pamor. Sot Prishtina është një prej gjashtë qyteteve në botë që e mundëson këtë teknologji. Ftoj të gjithë që të vijnë e ta shohin këtë ekspozitë”, ka thënë ai. Por ky projekt po shfaqet në qytete gjithandej botës, edhe me mundësi për përjetim në 360 shkallë, gjë që, në rastin e Prishtinës, nuk është e mundur.

Diçka e tillë ka nisur më 2008 në Francë, nëpërmjet projektit të titulluar “Imagine Van Gogh: The Immersive Exhibition”. Ai u krijua nga artistja dhe regjisorja e ekspozitave gjithëpërfshirëse Annabelle Mauger, duke u mbështetur në konceptin “Image Totale”, të zhvilluar më herët nga Albert Plécy. Më 2016 pati një shpërthim në Kinë nën emrin “Meet Vincent van Gogh Experience”, ndërsa më 2018, në Napoli, “Van Gogh: The Immersive Experience” nisi një tjetër histori, kur u iniciua si projekt në Itali. Me premierën më 2018, ai mori vëmendje të madhe. Më pas u përpunuan edhe versione të tjera, të cilat u përhapën masivisht në nivel ndërkombëtar më 2022, në disa kontinente. Ky projekt ka qenë edhe në rajon, para se të vinte në Prishtinë.

“Deep Space” bashkon veprat e Van Goghut, përfshirë autoportretet e tij, të cilat, së bashku me muzikën, e fusin vizitorin në një botë iluzore që mund ta krijojë vetëm fuqia e artit.