KOHA.net

Поддржете го TIME. Зачувајте ја вистината.
колона

Предизвикот во недела

Sfida reale e listës studentore nuk është fitorja e kësaj të diele, por vazhdimi i asaj që Gjingjiqi la në gjysmë. Ai nuk deshi tokë më të madhe për Serbi, por jetë më të mirë për serbët. Prandaj ky është edhe parakushti për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën. Pa një Serbi fillimisht normale për qytetarët e saj në Beograd, Nish dhe Novi Sad, kurrë nuk do të këtë Serbi në paqe me kroatët, shqiptarët dhe boshnjakët

Këtë javë Serbia shkon në zgjedhje më të paparashikueshme në pesëmbëdhjetë vjetët e fundit. Viti 2012 ishte hera e fundit kur Serbia ishte në një garë kaq të paparashikueshme. Atëkohë Vuçiqi erdhi për herë të parë në pushtet me fitore prej vetëm 1.98% dallim. Ajo ishte hera e fundit që demokracia serbe ka përjetuar garë reale demokratike. Në çdo palë zgjedhje, që nga atëherë, partia e Vuçiqit ka fituar bindshëm me minimalisht 24% dallim. Kjo nuk ishte rastësi, por inxhiniering i dizajnuar politik i Vuçiqit, i cili e ktheu demokracinë serbe në një laborator të demokracisë iliberale.

Në demokracinë e Vuçiqit, opozita u bë subjekt i masave të sigurimit të shtetit. Çdo qelizë opozitare, e cila tentoi t’i bëjë opozitë Vuçiqit, përjetoi të njëjtin skenar të kërcënimit, frikësimit dhe dhunimit. Në vitin 2024, Amnesty International vlerësoi se shoqëria serbe jeton me një “burg digjital” të ngritur nga ana e policisë serbe dhe sigurimi i shtetit. Kur opozitari Xhorxhe Miketiq kërcënoi pushtetin e Vuçiqit në Beograd, tabloidet e afërta me pushtetin publikuan videon e tij intime private për të poshtëruar publikisht. Miketiq u tërhoq nga gara. Tani vetëm javën e fundit kuptuam që edhe Rektori i Universitetit të Beogradit – kundërshtarë i Vuçiqit – ishte nën masa të përgjimit nga ana e shtetit serb. Opozitarë të tjerë sikur Dragan Xhillas, Borko Stefanoviq dhe Nikola Sanduloviq u dhunuan fizikisht për bindjet e tyre politike. Po kështu çdo tubim më i madh i opozitës është ballafaquar me dhunë shtetërore, e cila kulmoi edhe me përdorimin e topit zanor në mars të vitit të kaluar.

Ky represion nuk ishte i rezervuar vetëm për opozitën politike, por për çdo kë, i cili kundërshtoi partinë e Vuçiqit. Kësisoj të njëjtin fat e kanë pasur edhe institucionet e pavarura. Kur kryeprokurori për krimin e organizuar, Mladen Nenadiq, filloi hetime kundër regjimit të Vuçiqit, fotografitë nga jeta e tij personale u shfaqen në të gjithë tabloidet e pushtetit, ndërsa zyrtarët e lartë të partisë së Vuçiqit e quajtën atë dhe kolegët e tij “bandë e organizuar kriminale”. Dhe kjo nuk ishte vetëm punë narracioni apo diskursi, Vuçiqi ndërmori edhe ndryshime ligjore në sistemin prokurorial për të kufizuar pushtetin e tyre. Prokurorët e ndërgjegjshëm dhe me integritet sikur Bojana Savoviq dhe Jasmina Paunoviq u degraduan dhe praktikisht u larguan nga sistemi prokurorial. Tani së fundi kuptuam që shteti kishte përgjuar edhe prokurorin Rade Bajiq, i cili ishte përgjegjës për hetimin e investimeve të ndërlidhura me familjen e Trumpit. Për të kuptuar se sa të kapura janë institucionet e Serbisë nga partia e Vuçiqit, na shërbeu edhe deklarata e kryetarit të Gjykatës Kushtetuese serbe, Vladan Petrov, i cili arsyetoi veprimet e Vuçiqit, duke thënë “që nëse nuk keni asgjë për të fshehur, atëherë nuk duhet të jeni të brengosur nëse ju përgjon dikush apo jo”. Ai nuk u ndal aty, ai bëri thirrje për largimin e të gjithë gjyqtarëve që kundërshtojnë regjimin e Vuçiqit. Nuk ishte vetëm Prokuroria dhe Gjyqësori subjekt i represionit të Vuçiqit. Këtë fat e ka pasur edhe policia. Kur policët Slobodan Milenkoviq dhe Milan Isakov zbuluan se shteti kishte në mbrojtje plantacionin më të madh të marihuanës në Evropë të quajtur “Jovanjica” ata u degraduan dhe u përndjekën nga regjimi i Vuçiqit. Të njëjtin fat e kanë pasur edhe gazetarët dhe aktivistë të shoqërisë civile.

E gjithë kjo dhunë nga ana e regjimit ka pasur gjithmonë një qëllim të qartë – ultra pasurimin e oborrit privat të Vuçiqit. Nga rasti “Savamala” e deri te rasti i fundit i EXPO-së, shteti serb ka destinuar qindra miliona euro drejt projekteve infrastrukturore, të cilat kanë pasuruar individë dhe kompani të afërta me Vuçiqin. Kjo krijoi situatë komike, ku njerëzit sikur Zvonko Veselinoviq dhe Milan Radojiçiq (në listë të zezë nga SHBA) gjeneruan më shumë profit nga vetëm dy kompanitë e tyre përmes kontratave me shtetin serb se miliarderi më i pasur serb, Mirosllav Mishkoviq, me gjashtëdhjetë kompanitë e tij në sektorin privat.

Arsyeja pse e bëra këtë rikujtim të anomalive dhe skandaleve të qeverisjes së Vuçiqit është për të bërë të qartë shkallën e problemit me të cilën do të ballafaqohet fitorja eventuale e listës studentore në Serbi. Për herë të parë pas gati pesëmbëdhjetë vjetësh, ekzistojnë gjasat reale që Vuçiqi të humbasë zgjedhje. Por sfida e vërtetë e listës studentore nuk është fitorja e zgjedhjeve, por dita e nesërme. Ajo që studentët do të trashëgojnë është një shtet i kthyer në parti, i cili nga dita e parë do të fillojë të mbrojë vetën nga reformat që studentët do të synojnë. Thënë ndryshe, ata do të luftohen nga vetë shteti i tyre. Prandaj ata duhet të vazhdojnë aty ku Gjingjiqi e la në gjysmë. Ai nuk deshi tokë më të madhe për Serbi, por jetë më të mirë për serbët. Ky është edhe parakushti për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën. Pa një Serbi fillimisht normale për qytetarët e saj në Beograd, Nish dhe Novi Sad, kurrë nuk do të këtë Serbi në paqe me kroatët, shqiptarët dhe boshnjakët.