KOHA.net

Поддржете го TIME. Зачувајте ја вистината.
колона

Затемнето Косово

Eklipsi ynë po zgjat qe 18 a 19 a sa të duash muaj. Dhe e gjithë skena politike do të mund të ishte objekt i një studimi shkencor. Më parë klinik do të thosha. Një grusht politikanësh, kush më shumë e kush më pak, vuajnë nga kompleksi i superioritetit me doza sadizmi. Ndryshe nuk ka se si shpjegohet insistimi që të vazhdohet me thellimin e krizës politike, që ka efekt zinxhir, ndërkohë që kënaqen duke e parë një popull të tërë duke i vuajtur pasojat e papërgjegjësisë së tyre

Kishte mbi një muaj që paralajmërohej ngjarja, e cila nuk kishte ndodhur në Spanjë mbi një shekull: në 36 provinca do të shihej eklipsi i diellit.

Nuk kishte ditë që nuk flitej për të dhe për të gjitha përgatitjet që ishin të ndërlidhura me të: qoftë informata të sakta për vendbanimet ku do të mund të vrojtohej ky fenomen; për mundësitë e reja që po krijoheshin për t’i vendosur e ushqyer turistët; për llojin e syzeve që duhej blerë (ISO 12312-2:2015) për t’u mbrojtur nga verbërimi; për studimet shkencore që do të bëheshin brenda asaj kohe të shkurtër terri (107 sekonda qe intervali më i gjatë “te pika 0”) për efektin që e ka te shtazët, shpezët, peshqit, njerëzit, etj., etj. përfshirë edhe rrezatimin që prodhon dielli...

E gjithë dita e mërkurë kaloi me mbulimin e gjendjes para, gjatë dhe pas eklipsit në mediumet kryesore audiovizuale: interesimi qe aq i madh, saqë, për shembull, një fshat me 100 banorë, u kishte bërë konak 800 të huajve – bëhej shansi i vetëm që një fenomen natyror t’u sillte të hyra financiare që normalisht nuk mund t’i realizojnë.

Vetëm një ditë pas ngjarjes epokale, (e cila do të përsëritet edhe më 2027 e 2028 sërish në Spanjë, por tash në pjesën jugore të saj), Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe e Afarizmit doli me këtë shënim në lidhje me ngjarjen: rreth 450 mijë “astro” turistë që kishin ardhur nergut për ta parë mbulimin e diellit, i kishin shpenzuar nja 340 milionë euro vetëm për akomodim, ushqim dhe argëtim.

Ndërkohë, nga Ministria e Shkencës, Inovacionit dhe Universiteteve u tha se eklipsi e krijoi një laborator shkencor gjigant, që ndër të tjera u mor me “studimin e misterit të madh të kurorës diellore, pra atmosferës së jashtme të Diellit që është miliona gradë më e nxehtë se sipërfaqja e tij, gjë që mbetet një sfidë e madhe për fizikën solare”; më tej, “shkencëtarët përdorën teknologjinë më të fundit digjitale dhe të dhënat astrometrike të satelitit Gaia për të ritestuar Teorinë e përgjithshme të Relativitetit të Einsteinit. Matën devijimin e dritës së yjeve nga graviteti i Diellit kur mbulohet nga Hëna” dhe, “Rënia e prodhimit të energjisë fotovoltaike (diellore) gjatë eklipsit u studiua në kohë reale për të parë se si ndikohet dhe si reagon rrjeti elektrik kombëtar kur drita fiket brenda pak minutave”...

исто така колона Вековниот пресврт во американската политика

* * *

E pra. Kurrgjë Spanja çka është Kosova. S’ka kush na e kalon. Eklipsi ynë po zgjat qe 18 a 19 a sa të duash muaj. Dhe e gjithë skena politike do të mund të ishte objekt i një studimi shkencor. Më parë klinik do të thosha.

Një grusht politikanësh, kush më shumë e kush më pak, vuajnë nga kompleksi i superioritetit me doza sadizmi. Ndryshe nuk ka se si shpjegohet insistimi që të vazhdohet me thellimin e krizës politike, që ka efekt zinxhir, ndërkohë që kënaqen duke e parë një popull të tërë duke i vuajtur pasojat e papërgjegjësisë së tyre.

E mërkura e eklipsit kosovar qe shfaqja më e madhe e cirkut të përhershëm, të quajtur Kuvend. Deputetët e dy partive opozitare u mblodhën për ta shprehur protestën e tyre për moscaktimin e vazhdimit të seancës konstituive përtej afateve që i përcakton Rregullorja e Kuvendit.

Dy argumente që i përsërisnin ishin të sakta: afati kushtetues për konstituimin e Kuvendit ka skaduar dhe, afati prej më së shumti 48 orë ndërmjet seancave apo vazhdimeve të tyre, gjithashtu ishte shkelur.

Kërkonin konstituimin e Kuvendit dhe formimin e institucioneve – kërkesë absolutisht legjitime dhe e domosdoshme për funksionimin demokratik të shtetit. Institucione që prej kohësh janë “ushtrime detyrash” e improvizime me vendimmarrje shpesh ilegjitime dhe jo pak kundërkushtetuese.

E tash, a kanë mundur t’i paraqisnin kërkesat e tyre në formë më të butë e të kulturuar, ajo është tjetër temë. Fundja, nuk mund të kërkojmë mirësjellje të kuruar, kur Kuvendi që nga themelimi në fakt ka qenë pasqyra e vetë neve si shoqëri.

Këta janë pikërisht “përfaqësues të popullit”, sepse sikurse edhe populli në përgjithësi, kanë mungesë kulture të përgjithshme dhe komunikim të nivelit dëshpërues. Këtyre duhet shtuar “shfrenimin gjuhësor” që ua mundëson pozita që e mbajnë, super mirë e paguar për punë pak apo aspak; mungesa e respektit bazik ndaj votuesve si dhe bindja se janë zotë të paprekshëm.

E gjithë ngjarja u shndërrua në një tiradë.

Mori formën e një dite pazari; e një gare bërrylash dhe një bateri deklaratash demagogjike. Hyrja dhe dalja e Haxhiut nga salla e Kuvendit në përcjellje të truprojave ishte kulmi i absurdit – në shtëpinë e popullit, rrethuar nga deputetë, administratë e gazetarë (të cilët mezi i lejuan të hynin brenda në sallë), prej kujt frikohet? Prej kujt duhet ruajtur?

Po çuditem se si nuk i ka shkuar dikujt në mend deri tash që ta bëjë një qasje për xhipa të zinj direkt në sallë. Do të ishte vula e fundit e shkapjes nga realiteti. Do të ishte shenja përfundimtare e ndarjes së botës sonë të vogël mes “xhipashave” në njërën anë dhe popullit në anën tjetër.

Како и да е.

Kulminacioni i ditës qe hyrja e mërgimtarëve në sallën e Kuvendit. Kjo qe faza përfundimtare e cirkut – me njerëz që mendonin se përse kanë hyrë në Kuvend, automatikisht e gëzojnë edhe imunitetin. Dhe u çua një, çka t’i thuash, i marrë a naiv, me deklaratën se Haradinajn duhej pushkatuar. Në mbrëmje përfundoi i arrestuar. Dhe po qe se ka drejtësi, me gjithë pendimin apo edhe faljen eventuale – do të duhej ta kalonte një kohë në burg. Sepse atë që e ka thënë është ftesë direkte për dhunë. E dhunë jemi ngirë qysh moti.

исто така колона гордост

* * *

Aty në atë tollovi u gjend edhe Avni Dehari, kryesuesi i seancës. Katastrofal kishte qenë pas zgjedhjeve të shkurtit të vjetëm, kurse tash ia ka dalë ta tejkalojë vetveten.

Nuk e kuptoj se pse shndërrohet në mashën e partisë së vet dhe vepron sipas instruksioneve që ia japin: “Seanca nuk vazhdon derisa të mos arrihet marrëveshja politike. Afati ka kaluar, po sanksion nuk ka, prandaj, deri në marrëveshje s’ka seancë”.

Gjakftohtësia dhe noshalanca me të cilat kalohet nëpër shkeljen e Kushtetutës, në rend të parë, është skandaloze. Imponimi arrogant i një qëndrimi nuk është parim. Është abuzim me pushtetin.

VV-ja po harron se të gjitha metodat konvencionale e jokonvencionale që i ka zbatuar për t’u imponuar si subjekt udhëheqës politik, në fakt paraqesin precedenca. E këto, kurdo, për njësoj motive zgjedhore apo të tjera, do të përdoren nga të tjerët që, herët a vonë, do të vijnë në pushtet në vend të saj.

Kalkulimi për zgjedhje të reja në vend se njëmend të kërkohet një zgjidhje për problemin që nuk është dashur të ekzistonte, ai i zgjedhjes së kryetarit të shtetit, është, më së buti thënë, i gërditshëm. Shtyrja për kohë të pacaktuar të vazhdimit të një seance konstitutive është synim i qartë: zgjedhje në fund të dhjetorit. Atëherë kur mërgata vjen e voton. Mërgata edhe mund të vijë – por problemi do të jetë sa rezidentë do të votojmë, kur jemi gërditur nga proceset zgjedhore veç për qejfe e ambicie individuale të politikanëve të papërgjegjshëm.

Është evidente se PDK-ja kërkon zgjedhje duke shpresuar shumë se shtatori mund t’ua kthejë ish-liderët nga Haga. Kjo gjithsesi do të nënkuptonte tjetër imazh të partisë dhe punë shumë më të madhe në terren, pra edhe më shumë vota. Por nëse aktgjykimi i Hagës do të jetë tjetër nga ky që e presin në PDK, partia rrezikon të dobësohet edhe më. Është bast i madh gjithsesi me pasoja të mëdha.

Aleanca prej fillimit e ka bërë të qartë se zgjedhjet janë opsioni i vetëm. Mbase me idenë se ka lider të ri, synon rritjen, edhe pse numri më i vogël i votuesve mund ta sjellë në pozitë të palakmueshme që të mos e kalojë pragun.

LDK-ja doli për të treguar se nuk i beson VV-së. Dhe se për shkak të mosbesimit refuzon të hyjë në koalicion, pas një sërë deklaratash jo fort të qëlluara të Abdixhikut gjatë kohës së bisedimeve për ndarjen e pazarit, përkatësisht posteve.

Pra, pos nëse ndodh mrekullia e gjendet kandidati/ja konsensual/e, na presin zgjedhjet e reja.

* * *

Ndërkohë, Ministria jonë e shkencës, nuk ka çka merret me koordinime e studime shkencore. Se nuk ekziston. Është veç një SH në akronimin zyrtar. S’ka çka merret me to, se nuk duhesh me qenë shkencëtar për të konstatuar se fizika e vetme që na intereson neve është shpejtësia me të cilën lëviz uji hedhur nga shishet në sallën e Kuvendit. E sa për Teorinë e relativitetit, ne ia kalojmë edhe Ajnshtajnit, ngase “krejt çka është parimore, është joparimore dhe anasjelltas” dhe se përderisa zgjat eklipsi ynë, rrjeti elektrik kombëtar funksionon me metodën e tahminit – me fikje dritash nja 10 sahat këtu, e dhjetë atje, pa zgjedhur ditën, orën, lagjen, fshatin a qytezën. Edhe nëse të bën vaki e nuk e paguan faturën, shkyçja e rikyçja mund të të kushtojnë 35 euro, ani që faturën mund ta kesh më të vogël. Si në teorinë e Ajnshtajnit.

исто така колона Косово мора да продолжи да ја поддржува Украина безрезервно

Çfarë dëshpërimi! Nuk ka fjalë të mjaftueshme për ta përshkruar.

[заштитена по е-пошта]