Mbështetja nga Kosova nuk do të jetë vendimtare për Ukrainën për ta fituar luftën. Ndërsa mosnjohja nga Ukraina nuk do ta rrezikojë shumë pavarësinë e Kosovës. Kosova duke mbështetur Ukrainën, është vënë në anën e drejtë të historisë dhe kështu duhet të mbetet. Presidenti i Ukrainës, Zelensky, ka bërë një gabim edhe nga aspekti moral, edhe politik, por edhe juridik. Ai i ka bërë më shumë dëm Ukrainës sesa Kosovës dhe së paku në këtë pikë është rreshtuar në anën e Rusisë dhe kundër aleatëve kryesorë që kanë dhënë qindra miliarda euro ndihmë Ukrainës që të mbrohet. Zelensky ka rënë në grackën e presidentit të Serbisë, Vuçiq, i cili vizitën e tij në Beograd e ka vetëm argument për të përfituar nga BE-ja, ndërkohë që qytetarëve të Serbisë si lajm kryesor nga kjo vizitë ua servon deklaratën për mosnjohje të pavarësisë së Kosovës
Së pari duhet thënë disa fakte: Ukraina asnjëherë nuk e ka njohur Kosovën dhe asnjëherë nuk ka dhënë sinjale se do ta bëjë këtë. Madje para agresionit gjithëpërfshirës të Rusisë ndaj Ukrainës ky shtet ka qenë edhe më i ashpër sesa vetë Rusia në kundërshtimin e pavarësisë së Kosovës. Është shfaqur kjo edhe përmes refuzimit të Ukrainës që në territorin e saj të mirëpresë edhe sportistët nga Kosova. Kjo nuk ka ndryshuar dhe përmes diplomatëve dhe zyrtarëve të tjerë Ukraina është shprehur vazhdimisht se „nuk e ndryshon qëndrimin e saj rreth pavarësisë së Kosovës“. Këtë e ka bërë Ukraina njësoj siç bën edhe Spanja, Rumania, Greqia, Sllovakia, Irani, Rusia, Bosnjë e Hercegovina dhe disa shtete të tjera që nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës.
Kur ka nisur agresioni gjithëpërfshirës i Rusisë ndaj Ukrainës Kosova është rreshtuar me botën e lirë demokratike duke mbështetur Ukrainën me aq mundësi sa ka pasur. Dhe në fillim të këtij agresioni, presidenti i Rusisë bëri krahasime të Krimesë, një territor të Ukrainës të okupuar dhe aneksuar nga Rusia. Bota e lirë demokratike hodhi poshtë këto krahasime duke rikujtuar se si Kosova është një rast i veçantë dhe nuk mund të krahasohet me Krimenë. Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, kundërshtimet e Perëndimit ndaj këtyre krahasimeve i quajti hipokrizi. Dhe Serbia, duke vazhduar politikën e saj të jashtme të uljes në disa karrige, u shpreh se „mbështet sovranitetin dhe integritetin territorial të Ukrainës siç pret që të tjerët ta mbështesin sovranitetin dhe integritetin territorial të Serbisë“. Në këtë grackë ra presidenti i Ukrainës Zelenski kur në pyetje të gazetares, me gjasë të parapërgatitur si skenar, tha se Ukraina nuk e ndryshon qëndrimin ndaj shpalljes së njëanshme të pavarësisë së Kosovës.
Zelenski është një lider që udhëheq një popull në luftë dhe një vend të cilit tash e katër vjet i është kanosur zhdukja. Në gjendje të tillë Zelenski nuk mund të jetë gjithmonë racional dhe të matë mirë secilën fjalë që flet. Dhe ai duke pranuar krahasimet mes Kosovës dhe pjesëve të okupuara dhe të aneksuara të Ukrainës i ka bërë, me apo pa dashje, një shërbim të mirë propagandës së Rusisë, që në Evropë me sukses përhapet edhe përmes Serbisë. Mediat e ndaluara në Evropë kanë gjetur mikpritje në Serbi dhe nga aty veprojnë pa u penguar.
Ka shumë ngjashmëri dhe shumë dallime mes situatës në Kosovë dhe asaj në Ukrainë. Të dyja vendet dhe të dy popujt ishin viktimë e sulmeve nga fqinji më i madh dhe më i armatosur me qëllim të shfarosjes. Sikur Serbia që në fund të viteve nëntëdhjeta të shekullit të shkuar kreu krime të luftës dhe bëri fushatën për zhdukjen e shqiptarëve nga Kosova, ashtu edhe Rusia deshi të zhbëjë Ukrainën dhe popullin e saj. Serbia dhe Rusia përdorën në masë të madhe të njëjtin model. Duke shfaqur pretendime territoriale, duke përdorur fenë, duke pretenduar se po mbrojnë popullin e rrezikuar (serb në Kosovë dhe rus në Ukrainë). Dhe në të dyja rastet bota perëndimore doli edhe kundër Serbisë sikur më vonë edhe kundër Rusisë.
Por ka edhe shumë dallime. Kosova u çlirua dhe në territorin e saj u krijua një shtet me vullnetin e shumicës së madhe të popullit të saj. Kjo liri dhe pavarësi e Kosovës ishte edhe fund i procesit të zhbërjes së ish-Jugosllavisë, pjesë përbërëse e së cilës ishte edhe Kosova. Dhe në fund Kosovën e njohën shumica e madhe e shteteve të lira e demokratike të botës dhe Gjykata e OKB-së dha mendimin se shpallja e pavarësisë së Kosovës nuk ka shkelur normat e së drejtës ndërkombëtare.
Kosovën nuk e okupoi askush dhe nuk e aneksoi ndonjë shtet tjetër siç bëri Rusia me Ukrainën. Madje Kosova në Kushtetutën e saj e ka se nuk mund të bashkohet me territore të ndonjë shteti tjetër dhe këtë e ka pikërisht me kërkesë të bashkësisë ndërkombëtare, të atyre që sot fuqishëm mbështesin Ukrainën. Pavarësia e Kosovës u shpall si shprehje e vullnetit të lirë të popullit të saj, pas një procesi ndërkombëtar, e jo me trukime të votimeve çfarë organizoi Rusia në territoret e okupuara të Ukrainës.
Ukraina nuk ka kryer spastrim etnik të Krimesë e as të Donbasit apo ndonjë pjese tjetër të saj siç ka bërë Serbia në Kosovë. Asnjë shtet demokratik i botës nuk e ka njohur as Krimenë e as Donbasin as si shtete të pavarura e as si pjesë të Rusisë. Ndërsa kanë njohur Kosovën. Krimeja e Donbasi nuk janë anëtarësuar në asnjë organizatë ndërkombëtare, as në Bankën Botërore, as në FIFA e UEFA, as në Komitetin Olimpik ndërsa Kosova po. Asnjë Gjykatë ndërkombëtare nuk është shprehur se aneksimi i Krimesë apo pjesëve të tjera të Ukrainës nuk kanë shkelur të drejtën ndërkombëtare, ndërsa në rastin e Kosovës e kanë thënë këtë. Prandaj, pretendimi se integriteti territorial i Serbisë me Kosovën si pjesë të saj është njësoj sikur ai i Ukrainës me Krimenë është gabim i madh dhe shkon në dëm para se gjithash të Ukrainës.
исто така Четири лекции од четиригодишната руска агресијаMbështetja nga Kosova nuk do të jetë vendimtare për Ukrainën për ta fituar luftën. Ndërsa mosnjohja nga Ukraina nuk do ta rrezikojë shumë pavarësinë e Kosovës. Kosova duke mbështetur Ukrainën është vënë në anën e drejtë të historisë dhe kështu duhet të mbetet. Presidenti i Ukrainës, Zelensky, ka bërë një gabim edhe nga aspekti moral, edhe politik, por edhe juridik. Ai i ka bërë më shumë dëm Ukrainës sesa Kosovës dhe së paku në këtë pikë është rreshtuar në anën e Rusisë dhe kundër aleatëve kryesorë që kanë dhënë qindra miliarda euro ndihmë Ukrainës që të mbrohet. Zelensky ka rënë në grackën e presidentit të Serbisë, Vuçiq, i cili vizitën e tij në Beograd e ka vetëm argument për të përfituar nga BE-ja, ndërkohë që qytetarëve të Serbisë si lajm kryesor nga kjo vizitë ua servon deklaratën për mosnjohje të pavarësisë së Kosovës.
Deklarata e Zelenskit nuk pati ndonjë jehonë jashtë Kosovës dhe Serbisë. Hedhja e vezëve ndaj kryeministrit Kurti në Kuvend ishte lajm shumë më i pranishëm në mediat ndërkombëtare sesa pohimi i Zelenskit se nuk do të ndryshojë qëndrimin rreth pavarësisë së Kosovës.
Në vend të shprehjes së zemërimit ndaj Ukrainës, politikanët kosovarë duhet të zgjohen nga gjumi dhe të riaktivizohen edhe në skenën ndërkombëtare, ku Kosova pothuajse është harruar. Jo vetëm se Kosova nuk ka kontakte direkte me Ukrainën (jo me fajin e Kosovës), por me Kosovën nuk po merren shumë as partnerët e saj kryesorë ndërkombëtarë. Sepse nuk dinë si të merren me Kosovë e si ta marrin atë seriozisht kur vetë në Kosovë dominon sjellja joserioze. Kosova vazhdon të humbë kohë në taktizimet e partive politike, ndërkohë që nuk ka bërë asgjë në disa vite për të forcuar subjektivitetin e saj ndërkombëtar. Sikur së paku ta kishte shfrytëzuar rastin të jetë anëtare e Këshillit të Evropës, së paku aty do të ishte bashkë me Ukrainën. Kosova duhet të ketë kujdes, sepse nëse ndodh zgjerimi i BE-së pa Kosovën, atëherë numri i vendeve të BE-së që nuk e njohin pavarësinë do të rritet nga 5 sa janë sot, në 10, pasi 5 nga 10 vendet kandidate (Bosnja e Hercegovina, Serbia, Ukraina, Moldavia dhe Gjeorgjia) nuk e njohin pavarësinë. Ndoshta edhe ky fakt ka ndikuar që për vendet e reja anëtare të kufizohet e drejta e vetos. Sikur Kosova të ishte më aktive, sikur vendet e Quintit do të ndienin se duhet ndihmuar Kosovën, atëherë ato ose do të ndikonin tek Ukraina që të mos shprehet kundër Kosovës ose do të dilnim me reagime duke refuzuar krahasimet mes Kosovës dhe pjesëve të okupuara të Ukrainës. Por e gjithë kjo nuk duhet të merret nga Kosova si arsyetim për t’ia kthyer shpinën Ukrainës. Populli i saj i vuajtur, por krenar e meriton mbështetjen edhe të Kosovës. Dhe në këtë mënyrë Kosova qëndron krah miqve të saj ndërkombëtarë që janë edhe miq të Ukrainës.