KOHA.net

Поддржете го TIME. Зачувајте ја вистината.
колона

Премин на река кон други реки

Pas zgjedhjes së presidentes, sfida themeltare për Kosovën është kalimi nga euforia e politikës reaktive e improvizuese në një politikë shtetërore

1.

Kosova ndërpreu krizën institucionale në prag të mesnatës së 6 tetorit, me zgjedhjen, në minutat e fundit, të dr. Justina Shiroka-Pulës si presidente të Kosovës. Kështu, vendi i shmang zgjedhjet e katërta parlamentare në më pak se dy vjet dhe Qeveria ka mandat të plotë e mund të përqendrohet në detyrat e veta. Në postin e presidentit është zgjedhur një person me pjekuri jetësore e profesionale që do ta marrë detyrën si kurorëzim të karrierës e jo fillim të saj, çka krijon pritjen e arsyeshme për më shumë maturi. Për më tepër, me dr. Shiroka-Pulën kemi jo vetëm një ish-funksionare të lartë të PDK-së, pra një person që nuk paraqitet si zgjatim politik i pushtetit të tanishëm, por edhe një person që për nga natyra dhe përvoja jetësore ka dëshmuar përpjekjen për t’i afruar njerëzit e për t’iu afruar atyre, jo për të krijuar ndasi apo për t’i thelluar ato.

Ky është aspekti pozitiv i fundit të ngërçit gati dyvjeçar institucional. Edhe sikur të ishte i vetmi, do të kishte peshë të veçantë, sepse sfidat politike me të cilat ballafaqohet vendi janë të menjëhershme.

2.

Sfidat nuk do të presin. Ato u shfaqën në vetë mënyrën se si rrodhën orët e zgjedhjes së presidentes së re të vendit. Ajo u zgjodh në momentet e fundit të afatit kushtetues dhe pothuajse njëkohësisht me skadimin e afatit politik (të vendosur nga demonstruesit jashtë dhe nga kërcënimi i shpërndarjes së Kuvendit të Kosovës brenda) për miratimin e ligjit për ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar (më tej po e përdor emërtimin e shkurtër “Gjykata speciale”).

Ligji, si për nga përmbajtja, ashtu edhe për nga mënyra e miratimit, nuk e ka përmbyllur çështjen e përgjigjes institucionale e ligjore ndaj dënimit të katërshes së UÇK-së në shkallë të parë të Gjykatës speciale të Hagës; përkundrazi, do të gjenerojë sfida të reja.

E para prej sfidave është konceptuale. Ligji të cilin e ka miratuar Kuvendi i Kosovës është përgjigje e drejtpërdrejtë ndaj aktgjykimit në shkallë të parë dhe rrjedhimisht shndërrohet në përpjekje për të ndryshuar kuadrin ligjor mes aktgjykimit të shkallës së parë dhe atij të Apelit. Edhe nëse ndryshimet synohen të zbatohen pas Apelit, ndërhyrja në arkitekturën e gjykatës gjatë një procesi të papërfunduar mund të perceptohet si përpjekje për të ndikuar në rrjedhën e drejtësisë. Juristët të cilët dizajnuan këtë sistem paralel të Gjykatës, paneli i gjykatësve, si dhe shtetet perëndimore që qëndrojnë prapa kësaj Gjykate mund ta konsiderojnë këtë si presion ndaj pavarësisë së gjyqësorit.   

E dyta është juridike e kushtetuese. Ky ligj mund të kontestohet për procedurën e miratimit dhe për përputhshmërinë me marrëveshjen ndërkombëtare mbi të cilën është ngritur Gjykata speciale dhe me amendamentin kushtetues (neni 162 i Kushtetutës së Kosovës). Nëse ligji i nënshtrohet kontrollit kushtetues dhe konstatohen shkelje, mund të shfuqizohen dispozitat përkatëse ose ligji në tërësi dhe Kosova mund të mbetet pa përgjigjen juridike që pretendoi se po ndërtonte, tashmë edhe me koston e një përplasjeje kushtetuese.

3.

Dy sfidat e tjera që i ka sjellë ligji janë të natyrës politike.

E para le të quhet kushtimisht e jashtme. Gjykata speciale është ngritur mbi një marrëveshje ndërkombëtare, të formalizuar me këmbimin e letrave mes Kosovës dhe BE-së. Ndryshimi i mandatit ose i arkitekturës së saj kërkon, rrjedhimisht, një proces që nis me marrëveshje politike me BE-në dhe, kur prek bazën kushtetuese, përfshin edhe amendamentimin e Kushtetutës së Kosovës. Kosova mund ta gjejë shpejt veten në përplasje me BE-në dhe Mbretërinë e Bashkuar lidhur me një sërë temash: pavarësinë e gjyqësorit, trajtimin e krimeve të luftës, ballafaqimin me të kaluarën e kështu me radhë.

Sfidën e dytë ta quajmë të brendshme. Ligji për specialen u miratua në një proces që ishte më afër shantazhit sesa debatit politik. Metafora më mbresëlënëse e mënyrës së miratimit të ligjit ishte pengimi i një deputeti për t’u larguar nga Kuvendi, qortimi se duhej ta votonte medoemos ligjin dhe bartja e tij fizike përtej barrierave, me udhëzime kërcënuese për votën që duhej të jepte brenda. Politikisht, zgjedhja e presidentes u kushtëzua me miratimin e ligjit për Specialen; pa të, vendi rrezikonte zgjedhjet e katërta. Ligji nuk qe produkt i një pune juridike konsensuale të partive politike të përfaqësuara në Kuvend. Ishte më shumë produkt i kërcënimit, në masë të madhe politik, por nuk mungoi as ai fizik. Kështu, ndonëse u miratua me shumicë votash, nuk krijoi frymë përbashkimi; më shumë do të ketë krijuar shijen e hidhur të detyrimit.

Të dyja sfidat politike mund të kenë rrjedhën e tyre ditëve në vijim. Nëse ligji i nënshtrohet vlerësimit juridik e kushtetues, ky proces mund të shoqërohet edhe me një vlerësim negativ nga BE-ja. Por, edhe po të kalojë pa vërejtjen më të vogël, ligji për Gjykatën speciale nuk do t’i përmbushë vetvetiu qëllimet e shpallura: mbrojtjen e UÇK-së, mbrojtjen e katër të dënuarve në shkallë të parë, ruajtjen e luftës çlirimtare. Ndryshimet synojnë të ndërhyjnë në kompetencat për mjetet juridike pas Apelit. Por ndryshimi i gjykatës kompetente nuk e ndryshon përmbajtjen e aktgjykimit, pra njërin prej burimeve mbi të cilat do të shkruhet historia.

4.

Në fakt, sfida themeltare për Kosovën është kalimi prej politikës reaktive e improvizuese në një politikë shtetërore. Ligji për specialen ishte produkt reaktiv, gati i panikut, ndaj një aktgjykimi që dihej se do të shpallej më 16 shtator e për të cilin nuk kishte përgatitje serioze politike e as shtetërore. Vendi u zhyt në një eufori pritjeje (të lirimit), pastaj eufori zhgënjimi (me aktgjykimin), pastaj eufori fajësimi e vetarsyetimi (forcat e errëta brenda e jashtë vendit) dhe në fund eufori zgjidhjesh (Ligji për specialen). 

Sot do të duhej të ishte dita e parë pas euforisë. E në të mund të konstatohet se:

Aktgjykimi ndaj katër të dënuarve në shkallë të parë mund të ndryshojë vetëm përmes mjeteve juridike; në këtë fazë, përmes Apelit.

Sfida juridike në Hagë nuk është si të mbrohet UÇK-ja nga dënimi kolektiv, për faktin e thjeshtë se aktgjykimi nuk përmban një dënim të këtillë. Sfida juridike e mbrojtjes në Apel është të kundërshtojë përfundimet për ekzistencën e ndërmarrjes së përbashkët kriminale, për pjesëmarrjen dhe përgjegjësinë individuale të secilit, si dhe gabimet e tjera faktike e juridike që mund të kenë ndikuar në aktgjykim.

Ligji i miratuar në Kuvend nuk e ndryshon vetvetiu aktgjykimin e shkallës së parë dhe nuk e zëvendëson procesin e Apelit. 

Procesi gjyqësor, duke filluar me botimin e aktgjykimit, do ta vendosë shoqërinë kosovare para një procesi të ri të ballafaqimit me të kaluarën. Si çdo proces i këtillë, do të jetë traumatik dhe do të kërkojë maturi e kohezion shoqëror — pikërisht atë që mungoi nga ditët para aktgjykimit e deri mbrëmë në mesnatë.

Dhe, po. Në këtë ditë të parë pas euforisë gjithsesi është lajm i mirë që Kosova nuk shkon në zgjedhje të parakohshme.

Në mesnatën e 6 tetorit vendi e kaloi një lumë të rëndësishëm. Sot sheh lumenjtë e tjerë përpara.