KOHA.net

Поддржете го TIME. Зачувајте ја вистината.
фудбал

Бран реакции откако Џака призна дека фалсификувал сертификат за вакцинација

Гранит Џака

Granit Xhaka vazhdon të bëjë bujë në Zvicër, por jo vetëm në këtë vend. Kapiteni i Zvicrës dhe Sunderlandit ka pranuar të hënën se nuk ishte vaksinuar për COVID19 dhe në vend të kësaj mori certifikatë false që “dëshmonte” vaksinimin. Kjo ka bërë që për Xhakën të shkruhet në gjithë Evropën. Këtë herë jo në frymë pozitive.

Në fakt javën e kaluar në Zvicër u bë temë vaksinimi apo jo i Xhakës. Prokuroria Publike e Lucernit nisi hetime ndaj tij. Ai dyshohej që mori certifikata të falsifikuara që dëshmonin vaksinimin e tij, pa u vaksinuar fare. Xhaka do të merret në pyetje nga autoritetet zvicerane në fillim të muajit të ardhshëm.

Xhaka bëri të hënën postimin e bujshëm në “Instagram”, duke pranuar se kishte siguruar certifikatën e vaksinimit.

“Ditët e fundit ka pasur shumë raportime për një çështje nga e kaluara ime. Dëshiroj të flas për këtë. Në atë kohë isha thellësisht i shqetësuar dhe kisha dyshime të mëdha lidhur me vaksinimin kundër Covid-19. Ndjeja një mosbesim të thellë ndaj vaksinës dhe isha pushtuar nga frika dhe pasiguria. Në atë gjendje trazirash emocionale, sigurova një certifikatë vaksinimi në vend që t’i zgjidhja pyetjet e mia përmes rrugëve të duhura”, ka shkruar Xhaka.

Ai tani vlerëson se ka gabuar që nuk është vaksinuar. Dhe ka kërkuar falje.

“Sot e shoh qartë se kjo ishte rruga e gabuar. Ishte një gabim. Më vjen keq. Mbaj përgjegjësi për këtë vendim. Po përballem me procesin e sqarimit të fakteve dhe po bashkëpunoj plotësisht me autoritetet përkatëse”, ka shkruar tutje Xhaka.

Javën e kaluar përfaqësues të Xhakës mohuan raportimet se ai nuk ishte vaksinuar. Ndërsa e vërteta po dilte në shesh, Xhaka vendosi të pranojë gjendjen e vërtetë. Mediumet zvicerane kanë shkruar shumë për këtë temë, ndërsa kanë paraqitur fakte që nuk përputheshin.

Nuk është hera e parë që Xhaka bënë bujë në Zvicër, ndër të tjera edhe me veprime kundërthënëse. 

Derisa ka shkruar histori të futbollit në Zvicër dhe është shndërruar në futbollistin më të mirë që ka pasur ndonjëherë ky vend, Xhaka jo rrallë ishte në media edhe për gjëra të tjera. 

Së bashku me Federatën e Futbollit të Zvicrës, Xhaka ka vendosur të mos grumbullohet me Zvicrën për katër ndeshjet e radhës, që luhen këtë muaj dhe në fillim të tetorit.

“Granit Xhaka na njoftoi mbrëmë për situatën dhe deklaroi se do ta trajtonte çështjen publikisht dhe do të merrte përgjegjësinë”, ka thënë presidenti i Federatës së Futbollit të Zvicrës, Peter Knabel. Në një mënyrë, federata zvicerane i ka ofruar përkrahjes kapitenit Xhaka.

“Ne e mirëpresim faktin që Graniti po e ndërmerr këtë hap dhe po përballet drejtpërdrejt me çështjen. Njëkohësisht ramë dakord se është në interesin më të mirë të ekipit që të vazhdojmë me këtë grumbullim pa të. Prioriteti ynë tani është të sjellim qetësi dhe të përqendrohemi plotësisht tek ekipi dhe te ndeshjet e ardhshme të Ligës së Kombeve”, ka shkruar udhëheqësi i federatës zvicerane.

Zvicra u grumbullua të hënën në Belek të Turqisë. Xhaka ka mbetur në Angli.

“Pasi të përfundojë kjo pauzë ndërkombëtare, ne do të rivlerësojmë situatën me Granitin dhe do të diskutojmë hapat e mëtejshëm”, ka theksuar Knabel.

Shkrimet e mediave zvicerane për Xhakën, natyrisht, nuk kanë të ndalur.

“Blick” ka shkruar se pranimi që bëri Xhaka ka polarizuar komunitetin e këtij mediumi. Disa lexues kanë kërkuar pasoja, duke përfshirë largimin e tij nga përfaqësuesja helvetike. Të tjerë kuptojnë situatën e futbollistit dhe e kanë lavdëruar për deklaratën publike.

Shumica e lexuesve të “Blick” kanë vlerësuar se Xhaka duhet të largohet nga përfaqësuesja. 39 për qind ishin kundër këtij veprimi.

Por presidenti i federatës zvicerane ka thënë ndërkohë që nuk është diskutuar pensionimi i Xhakës nga përfaqësuesja. Ai ka thënë se sjellja e Xhakës ka dëshmuar se si duhet një kapiten të reagojë në një situatë të tillë.

Gazeta “20 Minuten” ka pyetur nëse Xhaka është i  denjë që të vazhdojë të jetë kapiten i Zvicrës. 

“Bluewin” ka shkruar për sportistët e tjerë që kanë falsifikuar certifikatën për COVID. Në një tjetër shkrim, ky medium ka paraqitur dënimin që mund t’i caktohet Xhakës. Nëse shpallet fajtor, ai mund të dënohet me burgim deri në pesë vjet apo gjobë financiare. Në fakt gjasat janë të mëdha që Xhaka të gjobitet financiarisht.

Edhe mediumet e mëdha ndërkombëtare kanë shkruar për rastin e Xhakës. “BBC” ka shkruar për hetimin që po bëhet ndaj Xhakës për certifikatën.

“Reuters” ka shkruar se Xhaka është “lënë anash” për certifikatë të rremë për vaksinim. “AP” ka shkruar se kapiteni i Zvicrës, Xhaka, ka pranuar gabimin për falsifikim të vaksinës dhe ka hequr dorë nga ndeshjet e radhës në Ligën e Kombeve.

Shkrime e komente për Xhakën do të ketë edhe në ditët e ardhshme. Ai ka thënë se ka kaluar raste edhe më të vështira në karrierë. Dhe pranimi që ka bërë të hënën duket se do të hapë rrugë për kalim edhe të kësaj sfide.