KOHA.net

Поддржете го TIME. Зачувајте ја вистината.
фудбал

Шпанија не се согласува со казната, се обраќа до CAS

Шпанија

Federata e Futbollit e Spanjës do t’i drejtohet Gjykatës së Arbitrazhit Sportiv (CAS), pasi FIFA refuzoi t’ia heqë sanksionet për thirrjet islamofobe të tifozëve spanjollë në ndeshjen miqësore ndaj Egjiptit në mars. 

FIFA e gjobiti federatën spanjolle me afro 20 mijë euro dhe e detyroi ta mbyllte të paktën 15 për qind të stadiumit për miqësoren e ardhshme të Spanjës. 

Sanksionet lidhen me incidentet në stadiumin “RCDE” afër Barcelonës, në shtëpinë e klubit të Espanyolit, shkruan “Reuters” të premten. 

Disa tifozë kanë bërë thirrje “nëse nuk kërcen, je mysliman”, gjatë miqësores që shërbeu si përgatitje për Kupën e Botës. Ai ballafaqim u mbyll 0:0.

Pasi thirrjet e tilla u përsëritën, në ekranin e madh të stadiumit u shfaq paralajmërimi për mesazhin dhe sjelljen diskriminuese. 

Futbollisti spanjoll i krahut, Lamine Yamal, i cili është mysliman, i dënoi thirrjet në atë kohë. Ai i quajti mungesë respekti dhe të patolerueshme, ndërsa për tifozët që bënë thirrje tha se janë “injorantë dhe racistë”. 

Policia spanjolle nisi hetimet ditën tjetër ndërsa FIFA nisi procedurë disiplinore ndaj Federatës spanjolle. 

Federata ka thënë se fjala “mysliman” nuk është “fyese” dhe sjellja e tyre duhet të vlerësohet me nenin 17 të FIFA-s që lidhet me mesazhet politike, ideologjike, fetare ose fyese, e jo me nenin 15, e cila lidhjet me diskriminimin dhe abuzimin racor. 

Megjithatë, Komiteti Disiplinor i FIFA-s e ka refuzuar këtë argument. 

Tani Federata spanjolle do ta apelojë vendimin në CAS, që është autoriteti më i lartë për mosmarrëveshje sportive. 

“Gjatë gjithë procedurave, Federata spanjolle ka reaguar menjëherë, me përkushtim dhe në mënyrë efektive prej momentit kur u njoftua për incidentet”, ka thënë një zyrtar i lartë i Federatës spanjolle për “Reutersin”. 

“Për më shumë, masat janë marrë për t’u siguruar që thirrjet e tilla të mos përsëriten dhe tifozët e pranishëm në stadium të mos pajtoheshin me sjellje të tillë”. 

Zyrtari i Federatës spanjolle po ashtu tha se dënimet janë të rënda. 

“Reutersi” ka provuar ta kontaktojë FIFA-n për përgjigje.