KOHA.net

Поддржете го TIME. Зачувајте ја вистината.
фудбал

Мехмети, „новиот Бускетс“ кој дебитираше за САД

Адри Мехмети

Të parashikosh lëvizjet e lojtarëve të tjerë është dhunti për çdo futbollist. Disa e kanë një “superfuqi” për ta kuptuar se çfarë do të ndodhë dhe ta fitojnë avantazhin falë kësaj aftësie. Për një mesfushor, kjo është e artë. Adri Mehmeti është shembulli më i mirë për këtë dhe ai është vetëm 17-vjeçar. Ai e pranon topin, shikon dhe vendos. Kaq. 

Pa pasur nevojë të vrapojë shumë dhe aq natyrshëm sa të lë pa fjalë. Njësoj si Sergio Busquets dikur, lojtari me të cilin krahasohet tani Mehmeti është duke shkëlqyer në elitën e futbollit amerikan.

Kështu shkruan mediumi i njohur spanjoll, “Mundo Deportivo”, për futbollistin Adri Mehmeti, që tashmë ka debutuar për Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ai luajti si zëvendësues për pak minuta në miqësoren e 26 shtatorit të fituar 4:1 ndaj Perusë. 

Të mërkurën, Mehmeti luajti titullar për herë të parë për SHBA-në. Në fushë, në fitoren 4:2 në miqësore ndaj Kilit, qëndroi 62 minuta. Dhe është duke e fituar besimin e përzgjedhësit Mauricio Pochettino. 

Me rrënjë nga Shqipëria, Mehmeti luajti në tri ndeshje për grupmoshën U15 të “kuqezinjve”. Më pas iu bashkua SHBA-së. 

Ai si shtatëvjeçar iu bashkua të rinjve të New York Yankees dhe tani luan me ekipin e të rriturve të New York Red Bull.

“I mbushur me energjinë e pijes që i jep emrin klubit të tij, Mehmeti jo vetëm që nuk ka trokitur, por ka hyrë me vrull brenda”, ka shkruar “Mundo Deportivo”. 

Mehmeti debutoi në MLS kundër Orlando Cityt më 22 shkurt të këtij viti. Prej asaj kohe është titullar i padiskutueshëm. Ai luan si mesfushor para mbrojtjes, orkestron lojën, por ndonjëherë shkon edhe deri në zonën e rrezikshme të kundërshtarit.

Nuk është punë e tij për të shënuar gola dhe e ka vetëm një gol deri tani. Por, nuk është gol i zakonshëm. Ishte gol kundër Inter Miamit të Lionel Messit. Pasi kishte hyrë në lojë në minutën e 77-të, e kishte barazuar rezultatin në 2:2 dhe i kishte siguruar pikë ekipit të tij në ndeshjen ndaj njërit prej lojtarëve më të mirë në histori. 

Për Mehmetin tashmë janë interesuar Bayern Munichu, Arsenali, Manchester City, Dortmundi dhe Leipzigu.