KOHA.net

Поддржете го TIME. Зачувајте ја вистината.
фудбал

Ненадејното заминување на капитенот Рахмани од репрезентативниот тим на Косово

Амир Рахмани

Kosova do të ketë kapiten të ri dhe lider të ri të mbrojtjes në kampanjën e re në Ligën e Kombeve, që fillon më vonë këtë muaj.

Të premten mbrëma Amir Rrahmani njoftoi për tërheqjen nga ekipi përfaqësues i Kosovës. Tërheqja nuk është përfundimtare, por edhe mund të shndërrohet në të tillë. 32-vjeçari luan për Napolin në Serie A, ndërsa ka fituar dy tituj të Italisë me këtë skuadër. Te Kosova ishte lider i mbrojtjes për shumë vjet, ndërsa i kishte edhe disa episode që sollën komente të shumta.

Se Rrahmani mund të largohet nga ekipi përfaqësues, kishte shenja më herët të premten. Me postimin e mbrëmjes ai nuk la dyshime.

Futbollisti prishtinas është i pakënaqur me drejtuesit aktualë të Federatës së Futbollit të Kosovës dhe për këtë arsye ka vendosur të tërhiqet.

Ai u është drejtuar “tifozëve të vërtetë të Kosovës”.

“Pas 10 vjetëve në Kombëtare, nga të cilat shtatë si kapiten, ju njoftoj se nuk do të jem më pjesë e Kombëtares së Kosovës, përderisa FFK-në e udhëheqin personat aktualë”, ka shkruar Rrahmani.

Ai ka lënë të kuptohet se gjërat që e kanë munduar, e që nuk i ka bërë publike, nuk ka mundur t’i zgjedhë brenda familjes kosovare të futbollit. Ka akuzuar edhe për mungesë kompetence nga përgjegjësit në federatë.

“Për shkak të shumë faktorëve, kundërshtimeve të vazhdueshme dhe mungesës së njerëzve kompetentë për të adresuar problemet dhe ankesat tona, situata ka mbetur pa përmirësime për shumë vite”, ka shkruar tutje Rrahmani.

Më shumë se qartësim të gjendjes, postimi krijon dilema për atë që vërtet e ka munduar dhe e mundon mbrojtësin me përvojë.

“Dhe çka mora në këmbim? Sulme të vazhdueshme dhe të koordinuara për më shumë se dy vjet nga ata të cilët do të duhej të na mbronin. Drejtësia do ta vërtetojë një ditë. Ky vendim vjen nga nevoja për të ruajtur integritetin tim si kapiten dhe futbollist profesionist, por mbi të gjitha vlerat e mia si njeri”, ka shkruar Rrahmani, pa cekur se prej kujt i janë bërë sulmet. Ai ka pasur një përplasje me drejtuesit e tifozëve të Kosovës, “Dardanët”. Ka pasur edhe një debat jo të lehtë me drejtues të federatës pas vendimit për të mos e vazhduar ndeshjen me Rumaninë në Bukuresht. Ishin edhe disa episode të tjera gjatë karrierës dekadëshe të tij te Kosova.

Në përshkrimin e fotografisë së publikuar, Rrahmani ka shkruar: “Faleminderit për gjithçka, Kosovë. Gjithmonë me ty, gjithmonë për ty”.

FFK-ja nuk është deklaruar për vendimin e akuzat e Rrahmanit. KOHA nuk ka mundur të vërë kontakt me drejtuesit e federatës, me gjithë përpjekjet.

Se Rrahmani mund të largohet nga ekipi përfaqësues u la të kuptohet kur zyra e avokatëve, “Hodaj & Partners” njoftoi të premten se ka marrë përsipër përfaqësimin ligjor të mbrojtësit, “lidhur me çështjet që kanë të bëjnë me sulmet, kërcënimet, fyerjet dhe cenimin e reputacionit të tij nga persona kyçë dhe të lidhur brenda FFK-së”.

Sipas një postimi të kësaj zyre, “për më shumë se dy vjet, kapiteni Rrahmani është përballur me kërcënime, sulme dhe presione të vazhdueshme. Përkundër kësaj, ai ka zgjedhur që shqetësimet e tij t'i adresojë brenda dhe të mos i bëjë publike, duke vënë interesin e Kombëtares dhe të Kosovës para interesit të tij personal”.

Këtë zyrë e drejton Taulant Hodaj, ish-ushtrues i detyrës së sekretarit të përgjithshëm të FFK-së.

Rrahmani te Kosova i ka 67 paraqitje e shtatë gola. Shumicën e paraqitjeve i kishte si kapiten. Ai në fakt bëri karrierë ndërkombëtare në nivelin senior edhe te Shqipëria. Në vitin 2016 iu bashkua përfundimisht Kosovës. Dhe ka kontribuuar shumë në sukseset që i kishte Kosova.

Nëse largimi do të jetë i përhershëm, mbetet të shihet. Por karriera 10-vjeçare e Rrahmanit te Kosova po përfundon, përkohësisht apo përgjithmonë, mes akuzave e pakënaqësive.