Jo të gjithë u pajtuan që ndeshja e xhiros së dytë të Superligës së Kosovës në futboll në mes të Dritës dhe Prishtinës të shtyhet. Megjithatë, pas situatës së krijuar të enjten mbrëma, shtyrja e ndeshjes së planifikuar për fundjavë doli të jetë e qëlluar. Dritës i duhet kohë për ta përgatitur sa më mirë të jetë e mundur atë që mund të jetë “ndeshja më e rëndësishme” e verës, por edhe e gjithë këtij edicioni.
Bëhet fjalë për sfidën e kthimit me Inter Club d’Escaldes. Rrjedhimisht, ndeshja është e rëndësishme edhe për futbollin kosovar në përgjithësi.
Për Kosovën nuk është e njëjtë si të ketë skuadër në Ligën e Konferencës, si mos të ketë. Përfitimet nga kualifikimi eventual i Dritës në fazën e ligës në “Conference League”, nuk janë vetëm për këtë skuadër.
Dhe kualifikimi tani është shumë sfidues. Ndonëse nisi mirë, me gol në minutën e pestë, Drita luajti vetëm 2:2 me skuadrën nga Andorra të enjten mbrëma në “Fadil Vokrri” në Prishtinë. Ishte ndeshja e parë e plejofit kualifikues të Ligës së Konferencës. Kështu “bileta” për fazën e ligës do të ndahet në ndeshjen e kthimit, që zhvillohet në Andorrë të enjten e ardhshme nga ora 19:00.
Pritej që Drita ta bënte në ndeshjen e parë hapin e madh drejt fazës së ligës. Këtë megjithatë nuk e arriti. Paraqitja nuk ishte bindëse dhe rezultati 2:2 e dëshmon këtë.
исто така
Светлината го доживува својот прв пораз
Mund të kenë ndikuar edhe mungesat, e edhe fusha e rënduar. Megjithatë gjilanasit nuk bindën, ndonëse ishin në moment të mirë.
Një javë më parë, Drita fitoi 5:0 ndaj Tre Fiorit të San Marinos. Ishte fitorja bindshëm më e thellë e kampiones kosovare në garat evropiane. Më pas Drita fitoi 5:3 ndaj Llapit në hapje të edicionit në Superligën e Kosovës.
Drita llogaritej favorite edhe ndaj Interit andorrian, por pa e dëshmuar këtë në fushën e lojës.
Kampioni i Andorrës është në momentin bindshëm më të mirë sa i takon futbollit evropian. Për herë të parë është paraqitur në raund të tretë kualifikues, ku e eliminoi skuadrën nga Estonia, Flora. Dhe për herë të parë është në plejof, ku ka rezultat solid para ndeshjes në shtëpi.
Andorra, së bashku me San Marinon dhe Malin e Zi, janë vendet e vetme që nuk kanë pasur ende skuadra në fazën grupore apo fazën e ligës në garat evropiane. Drita vjet u paraqit në fazën e ligës në “Conference League” dhe për më tepër shkoi përtej saj. Ballkani ka garuar dy herë në fazën grupore të Ligës së Konferencës.
“Nuk duhet të dorëzohemi. Duhet të mësojmë nga gabimet, por shpesh po pranojmë gola të lehtë. Futbolli ka të papritura, por duhet të udhëtojmë me vetëbesim dhe kam besim te lojtarët. Mund t’ia dalim. Kemi një javë të plotë për ta përgatitur ndeshjen”, ka thënë Besnik Krasniqi, njëri prej lojtarëve kryesorë te Drita.
исто така
Суперлигата продолжува со силни натпревари, второто место се игра во Клина
Këtë verë, Drita vetëm ndaj Tre Fiorit ishte bindëse. Dhe tani do të përballet në ndeshje vendimtare me skuadrën që kërkon të shkruajë histori. Kapitulli historik eventual i Inter Escaldes, do të jetë dështim për kampionen kosovare dhe futbollin kosovar në përgjithësi.