Në prag të grumbullimit të radhës të përfaqësueses së Kosovës në futboll, erdhi te një zhvillim i papritur.
Është Zyra e Avokatëve “Hodaj & Partners” që ka paraqitur publikisht një pretendim në emër të kapitenit të Kosovës në futboll, Amir Rrahmani.
Përmes një postimi, kjo zyrë ka njoftuar se ka marrë përsipër përfaqësimin ligjor të Rrahmanit “lidhur me çështjet që kanë të bëjnë me sulmet, kërcënimet, fyerjet dhe cenimin e reputacionit të tij nga persona kyç dhe të lidhur brenda Federatës së Futbollit të Kosovës”.
Postimi nuk sqaron nëse pretendimi është për drejtues të federatës apo njerëz të afërt me federatën.
KOHA i ka shkruar FFK-së lidhur me pretendimet dhe është në pritje të përgjigjes.
Kjo zyrë e avokatëve udhëhiqet nga Taulant Hodaj, që për kohë të gjatë ishte drejtues i rëndësishëm i FFK-së. Ai ka mbajtur posti e ushtruesit të detyrës së sekretarit të përgjithshëm të FFK-së.
“Në kuadër të këtij përfaqësimi tashmë janë ndërmarrë veprimet e para ligjore dhe janë paraqitur pranë organeve të drejtësisë, të mbështetur në prova dhe fakte, ndaj personave përgjegjës që janë identifikuar dhe priten të identifikohen. Për më shumë se dy vite, kapiteni Rrahmani është përballur me kërcënime, sulme dhe presione të vazhdueshme. Përkundër kësaj, ai ka zgjedhur që shqetësimet e tij t'i adresojë brenda dhe të mos i bëjë publike, duke vënë interesin e Kombëtares dhe të Kosovës para interesit të tij personal. Nga ky moment, çështjet që kërkojnë trajtim juridik do të adresohen përmes rrugëve institucionale dhe mbi bazën e provave”, shkruan në postimin e “Hodaj & Partners”.
Mbrojtësi i Napolit, Rrahmani, ka disa vjet që është kapiten i Kosovës. Ai ka 67 paraqitje e shtatë gola për Kosovën.
Kishte bërë bujë një përplasje e Rrahmanit me drejtuesit e tifozëve të Kosovës, “Dardanët”. Ka mbetur e pasqaruar edhe situata në Bukuresht, pas ndeshjes së Kosovës me Rumaninë. Ajo ndeshje ishte ndërprerë pasi lojtarët e Kosovës lëshuan fushën për shkak të thirrjeve “pro-serbe” të tifozëve rumunë. Pjesë e diskutimeve para vendimit për të mos vazhduar ndeshjen ishin Rrahmani, por edhe presidenti i FFK-së, Agim Ademi dhe Hodaj. Ndeshja ishte regjistruar më pas me rezultat zyrtar 3:0 në të mirë të Rumaninsë. Pra doli që vendimi për të mos vazhduar ndeshjen, ndonëse këtë e kërkoi arbitri, nuk ishte i duhuri dhe i kushtoi Kosovës. KOHA ka mësuar se ka pasur tensione në kampin e Kosovës kur lojtarët refuzuan të dalin në fushë, pasi fillimisht u larguan në drejtim të zhveshtores.
Prej 24 shtatorit deri më 4 tetor, Kosova i luan plot katër ndeshje të Ligës së Kombeve. Mbetet të shihet nëse Rrahmani do të vazhdojë të luajë për Kosovën. Por situata e krijuar të premten vështirë se do të kalojë pa rrjedhoja të tjera.