Presidenti amerikan, Donald Trump, ka minimizuar rreziqet që paraqet inteligjenca artificiale, pas disa ditësh paralajmërimesh të forta nga ekspertët.
“Ka shumë forca negative që po e ngrenë këtë çështje, edhe pse nuk duhet ta bëjnë, dhe po flasin për gjëra që nuk do të ndodhin”, ka thënë Trumpi gjatë një vizite në Irlandë.
Një nga paralajmërimet ka ardhur nga një ish-studiues i kompanisë Anthropic, i cili ka thënë se “ka një mundësi të madhe që të gjithë të vdesim në të ardhmen e afërt” nëse ritmi aktual i zhvillimit të inteligjencës artificiale vazhdon.
Të shtunën, drejtues të lartë të industrisë kanë rënë dakord me shqetësimet dhe kanë vërë thirrje për ngadalësimin e zhvillimit.
Trumpi nuk ka folur drejtpërdrejt për këtë ide por ka thënë se “Ne po e kryesojmë Kinën në AI... dhe, sinqerisht, dua që të vazhdojë kështu, sepse kush fiton në AI, fiton”.
Trumpi ka folur në të njëjtën ditë kur studiuesi i AI-së, Jacob Coxon, i cili ishte larguar nga Anthropic disa ditë më parë, i ka thënë BBC-së se punonjësit që po zhvillonin këto sisteme ishin “vërtet të frikësuar” për të ardhmen e njerëzimit.
Coxon, i cili ka punuar gjithashtu në OpenAI, e ka mirëpritur idenë e ngadalësimit të zhvillimit, por ka thënë se kjo do të duhej të koordinohej me Kinën.
Të shtunën, Elon Musk, pronari i xAI-së, dhe Sam Altman nga OpenAI kanë mbështetur paralajmërimin e kreut të Anthropic, Dario Amodei, se ritmi i zhvillimit duhet të ngadalësohet “për të zvogëluar rrezikun që diçka të shkojë seriozisht keq”.
Drejtori ekzekutiv i Anthropic ka thënë se çdo ngadalësim duhet të jetë i kufizuar, në mënyrë që Kina të mos arrijë përpara.
Çështjet që lidhen me inteligjencën artificiale kanë nxitur një debat të ashpër dhe paraqesin një dilemë për shumë liderë botërorë.
Nga njëra anë, sektori shihet si një mundësi e madhe për të nxitur rritjen ekonomike dhe si një mënyrë për të përmirësuar sistemet e vjetruara digjitale dhe mënyrat e punës.
Por ka pasur edhe një sërë rastesh kur inteligjenca artificiale duket se ka shkuar seriozisht keq.
Në gusht, OpenAI ka thënë se kishte ngadalësuar trajnimin e disa prej modeleve të saj më të avancuara të AI-së, me qëllim përmirësimin e sigurisë.
Kompania që ka krijuar ChatGPT ka thënë se po shtonte masa të reja pasi agjentët e saj të AI-së kishin anashkaluar masat mbrojtëse dhe kishin hakuar kompaninë e re teknologjike Hugging Face.
Po në të njëjtin muaj është bërë e ditur se dy prej mjeteve më të fuqishme të AI-së në botë kishin krijuar profile të rreme njerëzish për t’i mashtruar ata gjatë përpjekjeve për sulme kibernetike.
Instituti i Sigurisë së AI-së në Mbretërinë e Bashkuar (AISI) ka thënë se, në rastin më serioz, Mythos
AI i Anthropic u përpoq të fitonte qasje në një shërbim duke dërguar mesazhe private, pasi kishte krijuar llogari të rreme që imitonin njerëz realë, dhe më pas kishte fshehur provat.
Administrata Trump argumenton se SHBA-ja duhet të ruajë dominimin global në teknologji si çështje të sigurisë kombëtare, megjithëse ka pranuar se duhet treguar vigjilencë ndaj rreziqeve që paraqet kjo teknologji në zhvillim.
Thirrja e drejtuesve të mëdhenj të kompanive të AI-së gjatë fundjavës ka nxitur debat në Uashington, ku ligjvënësit po përballen me presion për të trajtuar rreziqet e mundshme që lidhen me zhvillimin e shpejtë të inteligjencës artificiale.
Të dielën, kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve, Mike Johnson, republikani më i lartë në këtë dhomë, ka bërë thirrje për kujdes ndaj përpjekjeve për të nxituar rregullimin e AI-së. Gjatë një interviste për CNN, ai ka argumentuar se një gjë e tillë mund të “mbytë inovacionin amerikan”.
“Nëse Kongresi thjesht nxiton dhe ndërhyn përmes një seance të jashtëzakonshme për të tentuar të rregullojë AI-në, ne do ta humbasim garën me Kinën dhe ky shtë një kërcënim për çdo amerikan”, ka thënë ai. “Pra, duhet të gjejmë ekuilibrin. Duhet të kemi njerëz të matur në drejtimin e timonit”.
Udhëheqësi i pakicës demokrate në Dhomën e Përfaqësuesve, Hakeem Jeffries, ka bërë ndërkaq thirrje për “veprime vendimtare” nga ligjvënësit.