KOHA.net

Поддржете го TIME. Зачувајте ја вистината.
СВЕТОТ

Бројот на жртви од најновиот руски напад во Киев се искачи на 38

Украина

Фото: Асошиетед прес

Është rritur në 38 numri i viktimave nga një sulm rus ndaj një magazine në perëndim të Kievit, sulmi më vdekjeprurës i luftës deri më tani këtë vit, ndërsa katër persona rezultojnë ende të zhdukur, ka bërë të ditur presidenti, Volodymyr Zelensky, në rrjetet sociale të dielën.

Sulmi i së premtes mbrëma ndaj magazinës, e cila, sipas zyrtarëve ukrainas, shërbente si objekt për ruajtjen e municioneve, ka shkaktuar shpërthime të fuqishme dhe zjarre masive që u përhapën në dhjetëra shtëpi dhe ndërtesa aty pranë.

Punonjësit e emergjencave vijuan të dielën shuarjen e zjarreve dhe identifikimin dhe neutralizimin e mjeteve shpërthyese në vendngjarje, në fshatin Myla, ka bërë të ditur Zelensky. Ai ka thënë se 20 persona janë plagosur, përfshirë dy fëmijë.

Ndërkohë, ministria ruse e Mbrojtjes ka thënë të dielën se po përgatitet të nisë “sulme masive” ndaj infrastrukturës energjetike të Ukrainës, pas një fushate sulmesh me dronë nga Ukraina ndaj një kompanie të shitjeve online të quajtur “Amazon-i i Rusisë”, si dhe ndaj sektorit të naftës dhe gazit të vendit, për të cilat Kievi thotë se financojnë dhe ushqejnë drejtpërdrejt pushtimin rus të Ukrainës.

Ministria ruse i ka përshkruar sulmet e planifikuara si përgjigje ndaj “sulmeve të vazhdueshme të Kievit ndaj infrastrukturës civile dhe sektorit të karburanteve dhe energjisë së Rusisë”.

Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, është zotuar të dielën për një “përgjigje të përshtatshme” ndaj asaj që ai e ka quajtur “rrugë të përshkallëzimit” të Ukrainës dhe sulmeve ndaj ekonomisë civile të Rusisë.

Peskov u ka thënë mediave shtetërore ruse se Moska po kryen sulme “mjaft sistematike” ndaj asaj që ai e ka quajtur infrastrukturë ushtarake dhe të lidhur me luftën në Ukrainë.

Ukraina ka kryer muajt e fundit sulme vdekjeprurëse ndaj objekteve të kompanisë Ëildberries, shitësit më të madh online në Rusi, duke thënë se kompania shet mallra me përdorim të dyfishtë që kanë ndihmuar përpjekjet e luftës së Kremlinit.

Dronët ukrainas kanë goditur gjithashtu rafineritë ruse të naftës dhe infrastruktura të tjera energjetike, duke shkaktuar një krizë të paprecedentë të karburanteve në një vend që është ndër prodhuesit më të mëdhenj të energjisë në botë.