Presidenti rus, Vladimir Putin, ka thënë të enjten se kishte një shans për një marrëveshje paqeje për t'i dhënë fund luftës në Ukrainë, por rifillimi i bisedimeve ishte më i vështirë për shkak të sulmeve ukrainase ndaj anijeve, dhe thirrjes nga Kievi që avionët civilë të shmangnin hapësirën ajrore ruse.
Putini ka thënë se një numër vendesh, përfshirë SHBA-në dhe Kinën, ishin të gatshme të mbështesnin një zgjidhje paqeje.
“Megjithatë, në fund të fundit, problemi duhet të zgjidhet nga vendet e përfshira në konflikt, Rusia dhe Ukraina”, ka deklaruar ai në një forum ekonomik në Lindjen e Largët të Rusisë.
“Ne jemi mirënjohës për të gjithë ata që përpiqen të kontribuojnë në një zgjidhje. A ka një shans? Sipas mendimit tim, po, ka”, ka shtuar ai.
Por ai ka thënë se sulmet ukrainase ndaj anijeve tregtare civile dhe “kërcënimet e raportuara për sulme ndaj avionëve civilë” ishin “akte të terrorizmit shtetëror”, për të cilat ka thënë se “komplikojnë perspektivat për bisedime dypalëshe paqeje”.
Presidenti ukrainas,Volodymyr Zelensky, ka paralajmëruar këtë javë linjat ajrore se prania e dronëve ukrainas e kishte bërë qiellin rus të rrezikshëm, megjithëse ka thënë se Ukraina do të synonte vetëm objektet ushtarake ruse.
Të mërkurën, Ukraina i ka kërkuar agjencisë së aviacionit të OKB-së t'u kërkojë anëtarëve të ndalojnë operacionet në hapësirën ajrore ruse. Ukraina është shkëputur nga aviacioni civil ndërkombëtar sepse hapësira e saj ajrore konsiderohet e pasigurt që nga pushtimi i Rusisë në vitin 2022.
E në lidhje me bisedimet e paqes të cilat kanë ngecur që nga shkurti, Putini ka thënë se Rusia po vazhdon kontaktet e saj me administratën e presidentit të SHBA-së, Donald Trump, e cila është përpjekur të ndërmjetësojë një marrëveshje paqeje.
“Ne jemi në favor të rivendosjes së marrëdhënieve në shkallë të plotë me Shtetet e Bashkuara.
Megjithatë, kjo nuk varet vetëm nga ne, varet nga pala amerikane. Por nga ajo që kuptoj, ndiej dhe vëzhgoj, presidenti Trump është i përkushtuar ndaj një angazhimi kaq pozitiv dhe konstruktiv”, ka thënë Putini.
Kontaktet po zhvilloheshin midis agjencive të inteligjencës të të dy vendeve dhe përmes të dërguarve të Trumpit, ka shtuar lideri rus.
Kreu i CIA-s, John Ratcliffe, është takuar me shefat e spiunazhit rus në Moskë javën e kaluar, por asnjëra palë nuk ka zbuluar se çfarë është diskutuar.
Pas 4 vjetësh e gjysmë lufte, vija e frontit ka qenë kryesisht e njëjtë dhe nuk janë zhvilluar bisedime paqeje që nga shkurti.
Secila palë ka shtuar sulmet ajrore me rreze të gjatë veprimi thellë brenda territorit të palës tjetër, ndërsa lufta në det është përshkallëzuar ndjeshëm me sulme nga të dyja palët në porte dhe anije tregtare.