KOHA.net

Поддржете го TIME. Зачувајте ја вистината.
СВЕТОТ

Студентските протести ескалираа во Франција, полицијата употреби солзавец

Protesta në Francë

Protestat e nxënësve në Francë janë përshkallëzuar, duke u shtrirë në qytete të ndryshme të vendit dhe duke nxjerrë në rrugë edhe mijëra mësues e prindër. Përveç kërkesave për më shumë fonde dhe kushte më të mira në shkolla, përplasjet me policinë kanë shtuar tensionet në një periudhë të ndjeshme politike në Francë

Dhjetëra mijëra persona kanë dalë në rrugët e qyteteve të Francës në mbështetje të protestave të nxënësve të shkollave të mesme, të cilët kërkojnë më shumë fonde për arsimin dhe përmirësimin e kushteve në shkolla, transmeton agjencia "AP". 

Protestat, që nisën në rajonin e Parisit në mesin e shtatorit, janë përhapur në të gjithë vendin. 
Në total, në rreth 900 shkolla mësimi u pezullua plotësisht apo pjesërisht.

Të martën, turma të mëdha u mblodhën në Marsejë, Strasburg dhe qytete të tjera, ndërsa nxënësit bllokuan sërish hyrjet e shkollave.

Protestat kanë zgjatur prej më shumë se dy javësh dhe janë shoqëruar me mijëra arrestime, shumica të mitur. 

Përplasjet me policinë kanë shtuar shqetësimet për përdorimin e gazit lotsjellës dhe mjeteve të tjera të kontrollit të turmave.

Një nga zërat politikë që ka mbështetur protestat është Aurelien Le Coq, deputet i partisë së majtë “Francë e Papërkulur”, i cili kritikoi ashpër mënyrën e reagimit të policisë.

“Problemi sot është se e vetmja përgjigje e Qeverisë ndaj zemërimit të të rinjve është represioni, dhuna, dërgimi i policisë së trazirave, përdorimi i shkopinjve të gomës, plumbave të gomës dhe gazit lotsjellës. Kjo është absolutisht e papranueshme”, ka deklaruar deputeti. 

Ministri i Brendshëm, Laurent Nunez, ka mbrojtur ndërhyrjen e policisë, duke thënë se reagimi ka qenë proporcional në pothuajse të gjitha rastet. 

Sipas autoriteteve, 715 efektivë të policisë dhe xhandarmërisë janë lënduar gjatë protestave.

Në disa shkolla, prindër dhe mësues janë vendosur mes nxënësve dhe policisë, në përpjekje për t’i shmangur përplasjet. Një prej tyre, Emilia Sichili Suriam, tha se të rriturit duhet të mbështesin të drejtën e nxënësve për të protestuar.

“Janë fëmijët tanë. Mësuesit, prindërit dhe shoqatat, të gjithë kemi të njëjtin qëllim: mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve. Është një e drejtë legjitime të protestosh dhe të kërkosh ndryshime”, ka deklaruar Suria, përfaqësuese e Shoqatës së Prindërve.

Nxënësit kërkojnë më shumë burime për arsimin, më shumë mësues dhe përmirësimin e kushteve në shkolla. 

Ata ankohen për klasa të mbipopulluara, objekte të vjetruara, mungesë të pajisjeve bazë dhe ngarkesë të lartë mësimore.

Në disa raste, nxënësit kanë denoncuar edhe kushte të papërshtatshme higjienike, përfshirë praninë e minjve në ambiente shkollore.

Përballë kritikave, Ministria e Arsimit ka hapur një platformë online ku nxënësit mund të raportojnë në mënyrë anonime problemet që hasin dhe të propozojnë ndryshime.

Protestat zhvillohen në një periudhë të ndjeshme politike në Francë, në prag të zgjedhjeve presidenciale, duke ushtruar presion të mëtejshëm mbi qeverinë dhe duke rikthyer në qendër të debatit problemet e sistemit arsimor dhe pakënaqësinë sociale.