KOHA.net

Поддржете го TIME. Зачувајте ја вистината.
СВЕТОТ

Канада продолжува со идејата за членство во ЕУ, Трамп се заканува на Европа

Марк Карни и Доналд Трамп

Фото: Асошиетед прес

Kryeministri kanadez, Mark Carney, ka përkrahur të enjten mundësinë që vendi i tij të bëhet anëtari i parë i asociuar i Bashkimit Evropian, duke thënë se lidhjet më të ngushta me kontinentin, do të siguronin që asnjë vend të mos mund të kontrollonte tregjet e Kanadasë apo të cenonte sovranitetin e saj.

Në fjalimin e tij para Parlamentit Evropian, Carney ka vlerësuar vazhdimisht bashkëpunimin mes Evropës dhe Kanadasë, por mbi këtë fjalim rëndonte marrëdhënia me SHBA-në, e cila ka përcaktuar ekonominë e Kanadasë për dekada, por që kohët e fundit është duke u përkeqësuar gjithnjë e më shumë.

Tarifat e vendosura nga Trumpi, kërkesat për lëshime ekonomike dhe deklaratat e përsëritura për ta bërë Kanadanë shtetin e 51-të të SHBA-së, e kanë shtyrë Otavën zyrtare të zvogëlojë varësinë nga fqinji i saj dhe të kërkojë një marrëdhënie shumë më të thellë ekonomike, të sigurisë dhe politike me Evropën.

“Nuk po propozoj një bllok të tretë që synon të bëhet rival i një fuqie të madhe, por thjesht me sjellje më të kulturuar... Ne nuk kërkojmë pushtet për të dominuar të tjerët. Përkundrazi, ne po ndërtojmë qëndrueshmëri, në mënyrë që askush, askush të mos mund t'i kontrollojë tregjet tona të hapura, të cenojë sovranitetin tonë, të kërcënojë integritetin tonë territorial apo të minojë liritë, demokracitë dhe shtetin tonë të së drejtës”, ka deklaruar Carney. 

Të mërkurën, presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen ka propozuar që Kanadaja të bëhet anëtarja e parë e asociuar e BE-së, një status që aktualisht nuk ekziston në traktatet e bllokut dhe që do të duhej të krijohej. Ajo ka thënë se Evropa dëshiron ta çojë marrëdhënien me Kanadanë në “nivelin më të lartë të mundshëm”.

Por kjo marrëdhënie duket se nuk i ka pëlqyer presidentit amerikan, Donald Trump.

I pyetur nga gazetarët të mërkurën mbrëma, Trumpi ka sugjeruar se marrëveshja e propozuar mes BE-së dhe Kanadasë mund të jetë një “akt armiqësor” teksa ka kërcënuar me tarifa të larta ndaj Evropës nëse do të bindet se synimet e saj nuk janë miqësore.

“Nëse ata e bëjnë këtë, mendoj se do të jetë një akt armiqësor. Do të vendosë tarifa shumë serioze ose do ta ndalojë tregtinë me Evropën për shumë gjëra. Kështu që, nëse Evropa e bën këtë me ndonjë qëllim të keq, do të vendosë tarifa shumë të larta ndaj tyre”, ka deklaruar Trumpi.

I pyetur për komentet e Trumpit, Carney ka thënë të enjten se kanadezët janë të bashkuar në refuzimin e përpjekjeve të jashtme për t’ua diktuar atyre zgjedhjet.

Carney do të presë liderët e BE-së në një samit në Montreal më 29-30 tetor, ku parashihet që të dyja palët të diskutojnë më në detaje marrëdhënien e re të propozuar.

Kanadaja dërgon rreth 70% të eksporteve të saj në Shtetet e Bashkuara, duke e bërë atë shumë të ekspozuar ndaj tarifave të Trumpit. Otava zyrtare është kundërpërgjigjur dhe ka refuzuar kërkesat që, sipas Carneyt, kërcënojnë sovranitetin kanadez.

Ndërkohë, Evropa ka ndjekur një rrugë tjetër, duke hequr dorë nga masat hakmarrëse dhe duke pranuar tarifa deri në 15% për shumicën e eksporteve të BE-së drejt SHBA-së.