Presidenti turk, Recep Tayip Erdogan po e çon Turqinë drejt “aventurave të rrezikshme në Siri”, ka deklaruar të enjten ministri izraelit i Mbrojtjes, Israel Katz, pas një sulmi ndaj një baze ajrore siriane në fillim të kësaj jave.
Izraeli ka goditur të martën bazën ajrore Abu al-Duhur në Siri, duke paralajmëruar se Siria ishte pranë shkeljes së një “status quo-je të dakordësuar me Izraelin për çështjet e sigurisë”, duke lejuar vendosjen e trupave turke në bazën ajrore.
Katz, në një postim në X, ka thënë se vendi i tij nuk do të “lejojë asnjë entitet të kërcënojë sigurinë e tij”.
Ministri i Jashtëm sirian, Asaad al-Shaibani, ka thënë se i kishte bërë të qartë Izraelit se nuk kishte plane për ngritjen e një baze ushtarake turke dhe se objekti po rehabilitohej për t’u përdorur nga Forcat Ajrore Siriane.
“Nuk kishte asnjë synim për të krijuar atje një bazë turke, as për të vendosur një prani të përhershme ushtarake turke apo për të dislokuar trupa turke në atë objekt”, ka thënë al-Shaibani në një intervistë për Axios të mërkurën.
исто така
Ердоган го предупреди Израел да не ги „саботира“ дипломатските напори за Иран
Sulmet e së martës vijnë pas përkeqësimit të tensioneve të sigurisë mes Izraelit dhe Turqisë dhe retorikës gjithnjë e më të ashpër mes dy vendeve për Sirinë, ku ushtritë e të dyja vendeve janë aktive.
Turqia ka hedhur poshtë të mërkurën ato që i ka quajtur “akuza të pabaza” nga Izraeli lidhur me praninë e saj ushtarake në Siri, pasi Izraeli ka thënë se Siria ishte pranë lejimit të vendosjes së trupave turke atje.
Turqia, e cila ka ushtrinë e dytë më të madhe të NATO-s dhe është shndërruar në një nga aleatët kryesorë të presidentit sirian, Ahmed al-Sharaa, e akuzon Izraelin se po përpiqet të destabilizojë Sirinë dhe të minojë administratën e saj të re. Ankaraja zyrtare ka bërë vazhdimisht thirrje për presion dhe masa ndërkombëtare ndaj Izraelit, në mënyrë që ai të respektojë integritetin territorial të Sirisë.
Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, ka thënë ndërkaq se Izraeli e kishte paralajmëruar Sirinë përpara sulmit që të mos lejonte praninë turke në bazë.
“Mesazhi ynë ishte shumë i qartë. Mos e bëni. Me sa duket, ata nuk e kuptuan plotësisht mesazhin”, ka thënë Netanyahu të mërkurën.
исто така
Нетанјаху се плаши од продажба на американски авиони на Турција
Ndërkaq ministri i Jashtëm sirian, al-Shaibani, ka thënë se Izraeli nuk kishte asnjë justifikim legjitim për bombardimin.
Ai ka shtuar se oficerë ushtarakë turq e kishin vizituar bazën në kuadër të trajnimeve dhe bashkëpunimit më të gjerë ushtarak.