KOHA.net

Поддржете го TIME. Зачувајте ја вистината.
СВЕТОТ

Најжешкиот август досега, научниците предупредуваат на уште поекстремни температури

Топлината

Фото: Асошиетед прес

Në përgjigje të vlerësimit të Shërbimit të Ndryshimeve Klimatike Copernicus, Kombet e Bashkuara paralajmëruan se, përderisa njerëzimi nuk heq dorë nga lëndët djegëse fosile, planeti do të futet gjithnjë e më thellë në një territor të panjohur klimatik.

Vëzhgimet e Copernicus datojnë që nga viti 1940,  por dëshmi të tjera si mostra e akullit, unazat e pemëve dhe skeletet e koraleve, u mundësojnë shkencëtarëve ta vendosin klimën e sotme në një kontekst shumë më të gjatë historik.

“Njerëzit nuk kanë përjetuar temperatura kaq të larta sa ato të sotmet, me gjasë, për të paktën 100 mijë vjetët e fundit”, tha për AFP-në, Samantha Burgess, nga Qendra Evropiane për Parashikime Meteorologjike Afatmesme, e cila mbikëqyr Copernicus.

Temperatura mesatare globale e ajrit në gusht ishte 16.96 gradë celsius, njoftoi Copernicus, duke tejkaluar me 0.01 gradë celsius rekordin e mëparshëm mujor, të vendosur në korrik 2023. Megjithatë,  Copernicus i konsideroi të dy muajt si muaj rekorde për shkak të diferencës shumë të vogël mes tyre.

Shkencëtarët thonë se aktiviteti njerëzor, kryesisht djegia e qymyrit, naftës dhe gazit e ka ngrohur planetin me rreth 1.4 gradë celsius që nga periudha paraindustriale dhe ka arritur ashpërsinë dhe mundësinë e fenomeneve ekstreme të motit.

Megjithatë, emetimet e gazeve serrë që bllokojnë nxehtësinë arritën nivele rekord në vitin 2025.

“Dëshmitë janë të pakundërshtueshme: ky është çmimi gjithnjë e më i lartë i varësisë së njerëzimit nga lëndët djegëse fosile dhe i krizës globale klimatike që ajo po ushqen”, tha Simon Stiell, shefi i klimës në Kombet e Bashkuara, duke komentuar raportin e Copernicus.

Rekorde edhe në oqeane

Temperaturat e sipërfaqes së deteve në mbarë botën shënuan gjithashtu një rekord të ri dhe u barazuan me nivelin më të lartë të regjistruar  ndonjëherë për muajin gusht, duke zgjatur një periudhë prej tre muajsh me temperatura rekord në oqeanet e botës.

Më shumë se 90 për qind e nxehtësisë së tepër të bllokuar nga emetimet e gazeve serrë është përthithur nga oqeanet. Kjo ka ngadalësuar ngrohjen e tokës, por me kosto të rëndë për jetën detare, shkëmbinjtë koralorë dhe komunitetet bregdetare.

Rekorde të reja u shënuan në zona të nxehta si Atlantiku dhe Mesdheu, si dhe në Paqësorin tropikal, ku fenomeni më i fuqishëm El Nino i regjistruar në epokën moderne po forcohet me shpejtësi.

Këto episode karakterizohen nga ujëra jashtëzakonisht të ngrohta në Paqësor, por ato rrisin edhe mundësinë për kushte ekstreme të motit, mijëra kilometra larg, nga përmbytjet në Peru deri te thatësirat në Afrikë dhe zjarret në Australi.

El Nino, faza më e ngrohtë e një cikli natyror klimatik, zakonisht shkakton një rritje të përkohshme të temperaturave globale, të cilat tashmë janë ngritur për shkak të ngrohjes afatgjate të planetit.

Shkencëtarët presin që rekordet të vazhdojnë të thyhen në muajt e ardhshëm, ndërsa ky fenomen (El Nino) i afrohet intensitetit maksimal rreth dhjetorit. Ata parashikojnë se viti 2027, madje ndoshta edhe 2026, mund të bëhet viti më i nxehtë i regjistruar ndonjëherë. 

“Ndryshimet klimatike e bëjnë çdo El Nino më të nxehtë dhe derisa ta ndalojmë djegien e qymyrit, naftës dhe gazit, këta muaj që thyejnë rekordet do të vazhdojnë vijnë”, tha Friederike Otto, shkencëtare e klimës në Imperial College London.

Verë përvëluese

Copernicus tha gjithashtu se gushti shënoi fundin e “verës më të nxehtë në Evropën Perëndimore”, duke tejkaluar rekordin e vendosur prej kohësh në vitin 2003.

Periudha nga qershori deri në gusht u karakterizua nga valë të njëpasnjëshme të të nxehtit ekstrem, të cilat çuan në mbylljen e shkollave, tharjen e lumenjve dhe krijimin e kushteve për zjarre shkatërruese. 

Mes mesit të korrikut dhe mesit të gushtit, platforma evropiane e monitorimit EuroMomo vlerësoi se në Evropë pati më shumë se 32 mijë vdekje.

Shkencëtarët e rrjetit “World Weather Attribution” arritën në përfundim se një valë veçanërisht e fuqishme e të nxehtit në qershor do të kishte qenë “pothuajse e pamundur” pa ndikimin e ndryshimeve klimatike.

Por temperaturat ekstreme u ndjenë në të gjithë botën.

Të mërkurën, Administrata Kombëtare Oqeantike dhe Atmosfera e SHBA-së njoftoi se Shtetet e Bashkuara kanë përjetuar verën më të nxehtë të regjistruar ndonjëherë.

Ndërkohë, rajone ku jetojnë rreth  900 milionë njerëz përjetuan korrikun më të nxehtë të regjistruar ndonjëherë, sipas një analize të AFP-së bazuar në të dhënat e Copernicusit.

“Përjetuam verë të jashtëzakonshme,  jo vetëm në Evropë por edhe në pjesë të tjera të botës, ku u thyen rekorde që kishin qëndruar për gati një shekull”, tha Burgess, shkencëtare e oqeaneve dhe drejtuese strategjike në Qendrën  Evropiane për Parashikime Meteorologjike Afatmesme.

Klima do të “vazhdojë të bëhet gjithnjë e më ekstreme, përderisa nuk ndalim rrjedhën e emetimeve globale”, shtoi ajo.