KOHA.net

Поддржете го TIME. Зачувајте ја вистината.
СВЕТОТ

Франција воведе полициски час во некои области по насилните протести

Франка

Policia e Parisit vendosi të hënën orë policore gjatë natës në dy zona të kryeqytetit francez, në përpjekje për ta parandaluar dhunën e mëtejshme, pas një fundjave të shënuar nga trazirat më të rënda në Francë prej vitesh, të cilat shënjestruan bashkitë, ndërtesa të tjera publike dhe mijëra biznese në të gjithë vendin.

Urdhri synon t’i mbrojë “njerëzit dhe pronën nga dhuna dhe plaçkitjet”, thuhet në deklaratën e Policisë së Parisit.

Sipas vendimit ndalohet hyrja apo qëndrimi i kujtdo në Place de la République, ku të shtunën ndodhën trazira, si dhe në zonën tregtare Les Halles, e cila ka qenë objekt i plaçkitjeve.

Ora policore do të jetë në fuqi nga ora 23:00 e së hënës deri në orën 06:00 të së martës. Përveç kësaj, tubimet dhe demonstratat janë të ndaluara nga ora 20:00, njoftoi Policia e Parisit.

Më herët të hënën, kryeministri francez Sebastien Lecornu kishte bërë thirrje për shtetrrethime “shumë të kufizuara” dhe “lokale”.

Në veri të Francës, autoritetet lokale vendosën kufizim lëvizje për fëmijët dhe adoleshentët në disa qytete, përfshirë Lille, duke filluar nga e hëna dhe për dy ditët e ardhshme, nga ora 20:00 deri në orën 06:00. Edhe Nice, në Rivierën Franceze, vendosi orë policore gjatë natës për të miturit, nga ora 21:00. Po ashtu u vendos orë policore edhe në Lyon nga ora 21:00 të hënën deri në ora 06:00 të martën. Ndalohen tubimet e marshimet në qendër qyteti. 

Lecornu mbrojti mënyrën se si policia e trajtoi trazirën, duke thënë se “pavarësisht skenave të dhunës së rëndë dhe dëmeve të mëdha materiale, askush nuk u vra dhe kjo është një mrekulli”.

Protestat masive në Francë shpesh shoqërohen me dhunë duke çuar në përleshje me policinë. Trazirat e së shtunës rikujtuan ato që pasuan vrasjen e një adoleshenti nga policia në vitin 2023, kur autoritetet vendosën shtetrrethime lokale, si dhe dhunën gjatë lëvizjes së jelekëve të verdhë, e cila nisi në vitin 2018 për shkak të çmimeve të karburanteve dhe pakënaqësive më të gjera ekonomike.

Udhëzimet e kryeministrit vijnë pasi ministri i Brendshëm, Laurent Nunez, ofroi dorëheqjen të dielën.

Por presidenti francez Emmanuel Macron e refuzoi atë “duke pasur parasysh nevojën për vazhdimësinë e drejtimit të forcave të rendit në rrethanat aktuale”, thuhet në një deklaratë të zyrës së Macronit të hënën.

Ai e udhëzoi Nunezin “të ndërmarrë të gjitha hapat e nevojshëm për të siguruar transparencë të plotë lidhur me dështimet në planifikim dhe mbledhjen e informacioneve, të cilat çuan në dhunë”, thuhet në deklaratë.

Macron kërkoi gjithashtu që të zbatohen “sa më shpejt të jetë e mundur taktika të reja policore në terren”, për t'i dhënë fund dhunës.

Të dielën në mbrëmje, grupe njerëzish u vunë zjarrin koshave të mbeturinave, biçikletave dhe objekteve të tjera në rrugë, si dhe plaçkitën biznese në Paris, Lyon, Marseille dhe qytete të tjera. Kjo pasoi dhunën gjatë protestave mbarëkombëtare të së shtunës kundër rritjes së kostos së jetesës dhe kushteve të këqija në shkolla. Të paktën 2.400 persona u arrestuan në të gjithë vendin.

Autoritetet vlerësuan të hënën se të paktën 3.000 biznese ishin dëmtuar ose plaçkitur në disa qytete.

Në Marseille, prefekti ndaloi çdo protestë ose tubim tjetër, nga mesdita deri në orën 20:00 të së hënës.

“E paraqita dorëheqjen time sepse jam përgjegjës për gjithçka që po ndodh”, tha Nunez në radion France Inter. “Tani çështja e vërtetë është të sigurohemi që kjo të mos ndodhë më. … Është e qartë se duhet të jemi më të përgatitur për të parashikuar llojin e mobilizimit që po zhvillohet.”

Nunez fajësoi për dhunën “turmat e ngatërrestarëve dhe plaçkitësve” dhe “aktivistët e së majtës ekstreme”, duke thënë se strategjia policore duhet të përshtatet.

Autoritetet thanë se grupe prej qindra personash kërkuan përplasje me policinë dhe shënjestruan ndërtesa publike, përfshirë bashkitë dhe zyra të tjera publike.

Nunez pranoi se autoritetet kishin “humbur kontrollin” në disa qytete të mëdha të shtunën.

“Nuk mund t'i shikosh pronarët e dyqaneve në sy, kur qindra biznese janë plaçkitur, dhe të thuash se nuk e kemi humbur kontrollin në disa prej këtyre qyteteve të mëdha”, tha Nunez.

Flakët përfshinë godinë komunale të shekullit XIX në Limoges, në Francën qendrore, duke shkaktuar shembjen e çatisë dhe duke e shkatërruar pothuajse të gjithë ndërtesën.

Të hënën, ekipet e pastrimit dhe zjarrfikësit larguan xhamat e thyer dhe mbeturinat e tjera nga rrugët e Parisit.

Ouri Zagoury, pronar i një dyqani të videolojërave pranë Place de la République në Paris, tha se e kishte mbyllur dyqanin të shtunën pasdite, por më pas pa në kamerat e sigurisë se plaçkitësit po hynin me forcë në të.

“Kishte aq shumë njerëz që hynin dhe dilnin. Dhe megjithëse e telefonova policinë, më thanë të mos ndërhyja, se do të vinin, por nuk erdhën kurrë, gjë që është një tjetër problem”, tha Zagoury.

Jordan Bardella, president i partisë së ekstremit të djathtë Tubimi Kombëtar, vuri në dukje dështimin e qeverisë për të parandaluar dhunën.

“Qeveria ka dështuar, kreu i shtetit ka dështuar në detyrën e tij thelbësore për ta mbrojtur popullin francez”, u tha ai gazetarëve.

“U bëj thirrje tani qytetarëve të Francës që, përtej të drejtës së tyre për të protestuar, ta përdorin fuqinë e votës së tyre”, tha Bardella.

Ai po zhvillon fushatë së bashku me udhëheqësen e së djathtës ekstreme, Marine Le Pen, sondazhet e së cilës prej muajsh e kanë paraqitur atë si kandidaten kryesore për zgjedhjet presidenciale të pranverës së ardhshme.