KOHA.net

Поддржете го TIME. Зачувајте ја вистината.
СВЕТОТ

Франција предупредува на ограничувања на движењето по немирите и грабежите

Франција

Franca po përgatitet të vendosë kufizime të pjesshme të lëvizjes në disa zona urbane, pas valës së dhunës, plaçkitjeve dhe dëmtimeve të shumta gjatë protestave të fundjavës.

Kryeministri Sebastien Lecornu tha se masat do të jenë të kufizuara dhe do të zbatohen vetëm në zonat ku paraqitet rreziku për trazira të reja.

Pas një takimi urgjent me zyrtarët e lartë të qeverisë, Lecornu u kërkoi përfaqësuesve rajonalë të shtetit të vendosin kufizime gjatë mbrëmjes, në bashkëpunim me kryetarët e bashkive dhe përfaqësuesit e bizneseve, raporton AP.

 “Përballemi me një situatë të rëndë, por të kufizuar në disa qendra urbane. Prandaj, kam kërkuar vendosjen e kufizimeve të pjesshme dhe lokale të lëvizjes, për të mbrojtur njerëzit, pronën dhe veçanërisht bizneset”, ka deklaruar kryeministri.

Kryeministri tha se qeveria do të përdorë të gjitha mjetet në dispozicion për ta rikthyer rendin, por për momentin kufizimet lokale janë më të përshtatshme sesa shpallja e gjendjes së jashtëzakonshme. 

 “Vendosmëria ime për të rikthyer rendin është absolute. Do të përdorim të gjitha mjetet që ka në dispozicion qeveria. Gjendja e jashtëzakonshme nuk është një mjet politik dhe aktualisht kufizimet lokale të lëvizjes duken më të përshtatshme. Nuk ka kuptim të vendosim kufizime në të gjithë Parisin, pasi kjo nuk pasqyron atë që ndodhi”, ka theksuar ai.

Ndërkohë, presidenti Emmanuel Macron refuzoi dorëheqjen e ministrit të Brendshëm, Laurent Nunez, i cili e kishte paraqitur atë të dielën. Sipas presidencës, Macron vendosi që ministri të vazhdojë detyrën për të garantuar drejtimin e forcave të rendit në këtë situatë.

Megjithatë, presidenti i kërkoi Nunezit të sigurojë transparencë të plotë për mangësitë në planifikimin e operacioneve dhe mbledhjen e informacioneve që paraprinë dhunën.

Ai kërkoi gjithashtu që policia të ndryshojë sa më shpejt taktikat në terren, për të parandaluar përsëritjen e trazirave.

Nunez tha se kishte ofruar dorëheqjen sepse ndihej përgjegjës për atë që kishte ndodhur. Ai pranoi se autoritetet duhet të përmirësojnë aftësinë për të parashikuar protestat dhe për t’iu përgjigjur grupeve të dhunshme që lëvizin shpejt nga një zonë në tjetrën.

Sipas ministrit, në disa qytete të mëdha autoritetet e kishin humbur kontrollin gjatë protestave të së shtunës, kur qindra biznese u plaçkitën. Ai fajësoi për dhunën grupe vandalësh dhe plaçkitësish, si dhe aktivistë të së majtës ekstreme.

Autoritetet vlerësojnë se të paktën 3.000 biznese u dëmtuan ose u plaçkitën gjatë dhunës së fundjavës. Në të gjithë Francën, numri i të arrestuarve arriti në të paktën 2.400 persona.

Protestat kundër rritjes së kostos së jetesës dhe përkeqësimit të kushteve sociale janë shtrirë edhe në vende të tjera. 

Në Belgjikë, të rinjtë protestojnë kundër kostove të arsimit, ndërsa në Portugali dhe Spanjë pakënaqësia lidhet kryesisht me çmimet e larta të banesave dhe qiratë. 

Edhe në Itali janë zhvilluar protesta kundër shtrenjtimit të jetesës dhe luftërave. Ndërkohë, në Tunizi, mijëra qytetarë kanë dalë në rrugë kundër vështirësive ekonomike dhe kufizimit të lirive politike.