KOHA.net

Поддржете го TIME. Зачувајте ја вистината.
СВЕТОТ

ЕУ ја покани Канада да стане „прва придружна членка“ на блокот

Урсула фон дер Лајен и Марк Карни

Фото: Асошиетед прес

Kanadasë i është ofruar mundësia të bëhet “anëtarja e asociuar” e parë e Bashkimit Evropian, nga presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen. 

Në një ofertë të paprecedentë, Von der Leyen ka thënë të mërkurën se BE-ja dhe Kanadaja “e shohin botën me të njëjtët sy”, përmes vlerave të përbashkëta demokratike dhe qasjeve të ngjashme ndaj shumë çështjeve të mëdha, nga inteligjenca artificiale te ndryshimet klimatike, lufta në Ukrainë dhe gjeopolitika.

“Ne duam ta çojmë marrëdhënien me Kanadanë në nivelin më të lartë të mundshëm. Duhet urgjentisht t’i rimendojmë partneritetet tona. Prandaj, do të doja të punoja me ju për t’i hapur derën Kanadasë që të bëhet anëtarja e parë e asociuar e BE-së”, ka thënë von der Leyen duke folur në prani të kryeministrit kanadez, Mark Carney, në Parlamentin Evropian në Strasburg. 

Carney, i cili pritet t’i drejtohet Parlamentit Evropian të enjten, ka bërë thirrje për një “aleancë unike” me BE-në, ndërsa Kanadaja po përpiqet të ulë varësinë e saj të madhe nga tregtia me SHBA-në.

Kanadaja dhe BE-ja tashmë kanë një marrëveshje tregtare dhe një sërë marrëveshjesh dypalëshe, por janë afruar më shumë që nga rikthimi i Donald Trumpit në Shtëpinë e Bardhë dhe vendosja e tarifave ndaj aleatëve të vjetër, ndërsa ai ka folur vazhdimisht për mundësinë që Kanadaja të bëhet shteti i 51-të i SHBA-së dhe ka kritikuar ashpër BE-në.

Von der Leyen ka thënë të mërkurën se marrëveshja ekzistuese tregtare BE-Kanada do të përmirësohet dhe do të shndërrohet në një “aleancë për të ardhmen”, me synimin për të krijuar një “hapësirë të përbashkët prosperiteti dhe sigurie ekonomike”.

Ajo tha se të dyja palët do të krijojnë gjithashtu një aleancë teknologjike, do të integrojnë bazat e industrive të tyre të mbrojtjes dhe do ta bëjnë Arktikun një “projekt të përbashkët model”. 

Zyrtarët e BE-së janë veçanërisht të interesuar për energjinë dhe burimet natyrore të Kanadasë. Von der Leyen propozoi bashkëpunim në energji, minerale kritike, bateri, inteligjencë artificiale, kompjuterizëm kuantik, siguri kibernetike dhe siguri ekonomike.

BE-ja me 27 shtete nuk ka pasur kurrë një kategori për anëtarësim të asociuar, megjithëse ka lidhje të ngushta me Norvegjinë, Islandën dhe Zvicrën, duke mundësuar integrim të thellë ekonomik me këto vende, të cilat zbatojnë shumë prej rregullave të BE-së. Mbetet për t’u parë se çfarë do të nënkuptojë anëtarësimi i asociuar, përfshirë edhe marrëdhënien e Kanadasë me tregun e vetëm të BE-së

Kur Mbretëria e Bashkuar po negocionte marrëdhënien e saj me bllokun pas Brexit-it, zyrtarët e BE-së përsëritën vazhdimisht se nuk ekzistonte një status që do t’i mundësonte një vendi të huaj të ishte gjysmë brenda dhe gjysmë jashtë tregut të vetëm.

BE-ja gjithashtu mbrojti me vendosmëri parimin e katër lirive të tregut të saj të brendshëm – lirinë e lëvizjes së mallrave, shërbimeve, njerëzve dhe kapitalit. BE-ja dhe Kanadaja pritet të zhvillojnë një samit në fund të tetorit për ta çuar më tej këtë ide.

Carney parashihet të pritet me entuziazëm të madh kur të mbajë fjalimin e tij në Parlamentin Evropian. Qasja e tij ndaj përballjes me Trumpin ka marrë vlerësime të mëdha nga eurodeputetët.

Muajin e kaluar, Carney ka njoftuar se po ndërpriste bisedimet tregtare me SHBA-në, duke thënë se Kanadaja nuk do të nënshtrohej, dhe më pas vendosi tarifa hakmarrëse ndaj mallrave amerikane me vlerë miliarda dollarë.

Në të kundërt, BE-ja vitin e kaluar pranoi tarifa prej 15% për shumë mallra evropiane, ndërsa hoqi tarifat e veta për të shmangur një luftë tregtare me Trumpin.

Javier Moreno Sanchez, eurodeputet spanjoll socialist, i cili drejton delegacionin e Parlamentit Evropian për Kanadanë, ka thënë se “pa dyshim” BE-ja kishte mësime për të nxjerrë nga qasja e Carneyt, sepse “Trumpi respekton njerëzit që janë të fortë”.

“Kanadezët janë njerëzit më evropianë jashtë Evropës dhe kjo është pika kyç për zhvillimin e marrëdhënies sonë”, ka deklaruar ai.