KOHA.net

Поддржете го TIME. Зачувајте ја вистината.
AUTO

БМВ отпушта илјадници работни места, ја зголемува употребата на вештачка интелигенција и воведува нови модели

BMW

Prodhuesi gjerman i automjeteve luksoze BMW ka prezantuar një plan ristrukturimi që përfshin shkurtimin e vendeve të punës, përdorimin më të gjerë të inteligjencës artificiale dhe lansimin e modeleve të reja, në përpjekje për të përmirësuar performancën dhe për të rikthyer besimin e investitorëve.

Kompania prezantoi të mërkurën një plan afatmesëm që synon uljen e kostove, thjeshtimin e strukturës menaxheriale dhe përshtatjen e strategjisë së produkteve me ndryshimet në tregjet kryesore.

Industria evropiane e automjeteve po përballet me kërkesë të dobët, konkurrencë në rritje nga prodhuesit kinezë dhe ndikimin e tarifave amerikane. 

Për BMW-në, presioni është shtuar veçanërisht në Kinë, një prej tregjeve më të rëndësishme për prodhuesit gjermanë të automjeteve.

Në qershor, BMW-ja dha paralajmërimin e tretë për fitimet brenda pak më shumë se tre vitesh, të lidhur me performancën e dobët në tregun kinez.

Në kuadër të planit të ri, BMW-ja ka nisur një program reduktimi të vendeve të punës që pritet të prekë rreth 8 mijë pozicione në Gjermani.

Kompania synon gjithashtu që deri në mesin e vitit 2027 të reduktojë me 20% numrin e divizioneve dhe pozicioneve menaxheriale që lidhen me to.

Inteligjenca artificiale do të ketë një rol të rëndësishëm në këtë proces. 

Drejtori ekzekutiv i BMW-së, Milan Nedelkoviq, tha se këto masa synojnë t'i mundësojnë kompanisë të përballet me konkurrencën gjithnjë e më të fortë në industrinë e automjeteve.

Presioni financiar pasqyrohet edhe në objektivat e reja të kompanisë.

BMW synon që deri në vitin 2028 të arrijë një marzh fitimi prej 3% deri në 5% në aktivitetin e saj kryesor automobilistik.

Në fillim të viteve 2030, objektivi është një marzh prej 8% deri në 10%, krahasuar me vetëm 2.3% në rezultatet më të fundit.

Aksionet e kompanisë kanë rënë me më shumë se një të tretën gjatë vitit të fundit, duke zbritur në nivelin më të ulët në më shumë se gjashtë vjet.

Përveç reduktimeve, BMW-ja po ndryshon edhe strategjinë e produkteve.

Në Evropë, kompania planifikon të prezantojë nga viti 2028 një automjet elektrik të segmentit hyrës, duke synuar konsumatorët që kërkojnë modele më të përballueshme.

Strategjia për Kinën është e ndryshme. BMW-ja planifikon të rrisë lokalizimin e prodhimit dhe të mbështetet më shumë te partnerët vendas për teknologji, përfshirë sistemet e drejtimit autonom dhe softuerët e integruar.

Kompania po shqyrton gjithashtu mundësinë e eksportimit të automjeteve të prodhuara në Kinë drejt tregjeve të Azisë Juglindore.

Prodhuesit perëndimorë të automjeteve po përballen me një ndryshim të rëndësishëm në tregun kinez, ku konsumatorët po orientohen gjithnjë e më shumë drejt markave vendase.

Kjo ka prekur shitjet e kompanive evropiane, të cilat për vite me radhë e kanë konsideruar Kinën si një prej burimeve kryesore të rritjes dhe fitimeve.