KOHA.net

Поддржете го TIME. Зачувајте ја вистината.
Арбери

Термокос ја започна грејната сезона со еден ден задоцнување, поради струја

радијатор

Ndërmarrja publike “Termokos” ka njoftuar se zyrtarisht ka filluar me ofrimin e shërbimit të ngrohjes për amvisëritë që tashmë kanë qasje në sistemin e tij. Ngrohja e cila do të duhej të fillonte më 15 tetor, nisi të premten. Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, u zotua se do të punojnë në zgjerimin e rrjetit të Termokosit dhe t’u mundësojë edhe qytetarëve të tjerë lidhjen në këtë rrjet

Me një ditë vonesë ka nisur shërbimi i ngrohjes në Prishtinë. Ndërmarrja publike “Termokos” ka bërë të ditur se furnizimi me avull nga KEK-u ka nisur të mërkurën rreth orës 12:00, porse sipas saj, vonesat në rrjet kanë ndodhur për shkak të problemeve me furnizimin me energji elektrike. 

Megjithatë, jo të gjithë qytetarët e kanë ndier menjëherë ngrohjen në banesat e tyre. E për këtë, kryeshefi i Termokosit, Bersant Beka, ka thënë se gjatë ditës do t’i marrin raportet për të parë problemet e mundshme në secilën lagje.

“Tani jemi në procedurë të shikimit të problemeve për secilën lagje, në ndërkohë do t’i marrim raportet dhe do t’i shikojmë”, ka thënë Beka. 

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, gjatë ceremonisë së nisjes së sezonit ngrohës, tha se tashmë gjithçka është në rregull sa i përket furnizimit me ngrohje. 

“Tani ishim me stafin teknik dhe na informuan se procesi i ngrohjes së kryeqytetit është duke shkuar si është më së miri dhe se nuk ka asnjë problem e po shpresojmë të mos kemi as në të ardhmen asnjë problem”, ka deklaruar Rama. 

Gjatë këtij viti, nuk ka pasur zgjerim të rrjetit të ngrohjes, megjithatë për këtë, kryetari Rama nuk është informuar. 

“Ne kemi bërë zgjerimin në pjesë të ndryshme të kryeqytetit, po besoj Termokosi mund të na dërgojë një listë të lagjeve që janë kyçur sivjet për herë të parë. Unë këtë informatë nuk e kam të saktë prandaj edhe s’po jua jap këtë, por e marrim prej Termokosit informatën e saktë”.

Në përgjigjen zyrtare të “Termokosit” thuhet se sivjet nuk ka pasur zgjerim të rrjetit të ngrohjes, pasi ata janë në proces të realizimit të dy projekteve të mëdha kapitale. 

“Projekti i fundit për zgjerimin e rrjetit të ngrohjes ka përfunduar vitin e kaluar. Ndërkaq, në këtë vit nuk ka pasur zgjerim të rrjetit të ngrohjes, pasi që jemi në proces të realizimit të dy projekteve kapitale si “Solar 4 Kosova” dhe projekti për dyfishimin e kapaciteteve, të cilat do të rrisin dukshëm kapacitetin termik të ndërmarrjes, që viteve të ardhshme të zgjerojë rrjetin e ngrohjes dhe të furnizojë me ngrohje edhe mijëra konsumatorë të ri”, thuhet në përgjigjen e Ngrohtores. 

Koha ka pyetur KEK-un për kapacitetin e dyfishimit të furnizimit me avull për Termokosin, mirëpo, nuk ka kthyer përgjigje.