KOHA.net

Поддржете го TIME. Зачувајте ја вистината.
Арбери

Далечински „состаноци“, брза акција и гласање по полноќ – карактеристики на вонредната седница

Широка-Пула

Фото: Дритон Пачарада

Në më pak se një orë, deputetët e Kuvendit të Kosovës zgjodhën të parën e shtetit e miratuan në lexim të dytë plotësim-ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara të Kosovës, duke tejkaluar kështu ngërçin politik gati dyvjeçar në vend. Por, seancës së jashtëzakonshme i parapriu një sagë diskutimesh e refuzim ofertash nga kryeministri Albin Kurti, e kreu i partisë opozitare, Bedri Hamza

Me vrap për të kapur minutat e fundit të afatit për zgjedhjen e presidentit, deputetët e Kuvendit të Kosovës kryen të gjithë hapat e zhvillimit të seancës e procesit të votimit.

Në më pak se një orë, sa zgjati seanca e jashtëzakonshme e së martës, përveç zgjedhjes së presidentes, ligjvënësit shqyrtuan e votuan në lexim të dytë edhe plotësim-ndryshimin për Gjykatën Speciale.

Gjithçka u zhvillua në shpejtësi: nga përgatitja e kabinave e kutisë së votimit, te paraqitja e kandidaturave, shqyrtimi në komision i tyre, votimi e numërimi i votave.

Me gjithë ngutin, zgjedhja e presidentes së re nuk u arrit të përmbyllet para mesnatës së 6 dhe 7 shtatorit.

E me t`u zgjedhur presidente, akademikja Justina Shiroka-Pula u zotua se do të punojë për unitet, drejtësi, zhvillim e përforcim të institucioneve.

“Do ta mbroj Kushtetutën, interesin e Republikës dhe dinjitetin e qytetarëve tanë. Besoj në Kosovën, njerëzit e saj dhe besoj së bashku mund të ndërtojmë të ardhme më të mirë për brezat që vijnë. Zoti e bekoftë Republikën e Kosovës”, tha Shiroka-Pula.

Por, deri te dakordimi për kandidaten për presidente e votimin e projektligjit, kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, e ai i PDK-së, Bedri Hamza, arritën pa u takuar fizikisht e komunikimin e zhvilluan përmes konferencave për shtyp.

Njëra pas tjetrës, dy ofertat e para të bëra nga Kurti u refuzuan nga Hamza.

Oferta e fundit, ajo që presidente të jetë ish-deputetja e ministrja e PDK-së, Justina Shiroka-Pula, u pranua, e për kusht kundërkandidate u propozua deputetja Eliza Hoxha.

Emri i Shiroka-Pulës për postin e të parës së shtetit nuk ishte i ri. Ai, siç ka raportuar KOHA qysh në mars të këtij viti, ka qenë emri që ka pasur mbështetjen më të madhe në diskutimet për presidente konsensuale brenda Partisë Demokratike të Kosovës.

Shiroka-Pula u zgjodh presidente në rundin e parë të votimit, me 81 vota për nga 84 deputetë sa gjithsej morën pjesë në votim.

Zgjedhja e saj bëri që të tejkalohet ngërçi politik gati dyvjeçar në vend.