KOHA.net

Поддржете го TIME. Зачувајте ја вистината.
Арбери

Тахири: Утре не треба да се игра со Законот за посебни ситуации

Бесник Тахири

Фото: Дритон Пачарада

Deputeti i Aleancës, Besnik Tahiri, ka thënë se në seancën e së hënës nuk duhet të bëhet lojë me ndryshim-plotësimin e projektligjit për Specialen.

Përmes një postimi në Facebook ka shkruar se të hënën në Kuvendin e Kosovës do të jetë një ditë e gjatë. Sipas tij, aty, me një zë, Kuvendi duhet ta miratojë Ligjin për Specialen në të dyja leximet.

“Por ky ligj duhet të jetë vetëm fillimi i një reagimi proaktiv të shtetit në mbrojtje të historisë dhe të vlerës më të madhe kombëtare, luftës çlirimtare. Nesër nuk duhet të bëhet lojë me asnjërin lexim”, ka thënë ai.

Sipas tij, në leximin e dytë duhet të trajtohet me shumë kujdes nëse ka mbetur diçka pa u përfshirë në Komisionin për Legjislacion, në mënyrë që të bëhet çdo amendament i nevojshëm që e përmirëson ligjin.

Ka shtuar se kjo çështje nuk duhet të shndërrohet në fushëbetejë për interpretime politike, e as në garë se kush po paraqitet më i mirë apo më i zëshëm.

“Nesër duhet të jetë një nisje e re. Në dy vitet që vijnë, shteti i Kosovës duhet të tregojë seriozitet në raport me procesin gjyqësor në Hagë. Kosova duhet të ketë një qasje institucionale, të qëndrueshme dhe të përgjegjshme për mbrojtjen e historisë dhe të vërtetës për luftën çlirimtare. Nesër nuk duhet të jetë fundi i një debati, por fillimi i një pune më të madhe të shtetit për çlirimtarët”, ka shkruar ai.

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës Albulena Haxhiu, ka caktuar për nesër seancën plenare të Kuvendit.

Seanca pritet të mbahet në orën 09:00.

Gjatë së dielës, Grupi Parlamentar i LVV-së ka dorëzuar kërkesë për mbajtjen e seancës, ndër pikat e së cilës do të jetë shqyrtimi i projektligjit për plotësim-ndryshimin e Ligjit për Specialen.

Ndërkaq, Komisioni për Legjislacion do të mblidhet nesër në orën 08:00 për të shqyrtuar projektligjin, ka bërë të ditur kryetari i këtij komisioni, Vigan Qorrolli.