KOHA.net

Поддржете го TIME. Зачувајте ја вистината.
Арбери

Месечните трошоци за бебе се дури 70 проценти од просечната плата

бебето

Nga pelenat, qumështi formulë e deri te çerdhet private e produktet e higjienës, shpenzimet për nevojat bazë të një foshnjeje në vitin e parë të jetës marrin një pjesë të konsiderueshme të të ardhurave mujore të familjeve. Sipas një raporti të një organizate amerikane, këto shpenzime kalojnë 70-përqindëshin e pagës mesatare në Kosovë

Mbi 70 për qind e pagës mesatare në Kosovë shpenzohet për nevojat e një foshnje në vitin e parë të jetës, tregon një hulumtim i kompanisë amerikane të shërbimeve financiare, Remitly.

Në Gjermani, kjo përqindje është 8.7, ndërsa në Britani 4.8 për qind.

Paga mesatare bruto në Kosovë është 713 euro në muaj.

Andi Belegu, baba i dy fëmijëve, thotë se rritja e fëmijëve në Kosovë është kthyer në sfidë tejet të madhe.

“Ky ka qenë një prej raporteve më shqetësuese që kam parë kohët e fundit, pasi që vazhdimisht bëjmë premtime e kërkesa që ta rrisim natalitetin, të shtohet numri i fëmijëve, kemi rrezikun e plakjes së popullsisë që shumë shpejt do të bëhet problem real. Një pjesë e konsiderueshme e të ardhurave tona mujore shkon për blerjen e pelenave. Por, sikur vetëm pelenat të ishin problem, kjo do të ishte shumë më e lehtë për t’u përballuar. Shpenzimet për fëmijët nuk përfundojnë këtu, pasi prindërit duhet të blejnë vazhdimisht edhe produkte të tjera”, ka thënë Belegu.

Pagesa mujore në një çerdhe private, ku fëmijët mund të regjistrohen nga mosha gjashtëmuajshe, sillet nga 150 deri në 180 euro. Në disa raste, mund të shkojë shumë më shumë.

Një pako e vogël pelenash kushton rreth 6 euro, ndërsa paketimet më të mëdha kalojnë 20-euroshin. Qumështi formulë për foshnja nis me rreth 10 euro e shkon deri në mbi 25 euro për paketim, varësisht nga marka dhe sasia. E për një muaj nevojiten disa pako.

Ekonomisti Fidan Qerimi vlerëson se vështirësitë financiare janë një prej faktorëve që ndikojnë në uljen e natalitetit në Kosovë.

“Kur i shohim shpenzimet dhe çmimet për produkte që janë, që kërkohen për një foshnjë, është jashtëzakonisht e papërballueshme, sidomos paga minimale, por nuk është shumë diferencë edhe paga mesatare në raport me pagën minimale. Dhe këto besoj, kjo pjesë e shpenzimeve, domethënë financiare, është një faktor kyç, pse nataliteti në Kosovë është jashtëzakonisht i ulët, për shkak se familjet nuk mund të përballen me këto vështirësi financiare brenda një muaji”, ka thënë Qerimi.
Aktualisht, shtesat e fëmijëve janë 30 euro në muaj, ndërsa familjet që kanë 3 e më shumë fëmijë, marrin nga 45 euro për secilin.

Sipas UNICEF-it, përballimi i shpenzimeve për rritjen e fëmijëve mbetet sfidë për shumë familje në Kosovë.

Rreth 23 për qind e fëmijëve në vend jetojnë në varfëri, kurse 7 për qind në varfëri ekstreme.