KOHA.net

Поддржете го TIME. Зачувајте ја вистината.
Арбери

Селмани ослободен од притвор во Србија

Осман Селмани

Është liruar nga paraburgimi në Serbi, Osman Selmani i cili u arrestua nga autoritetet serbe në korrik të këtij viti. Lajmin e ka bërë të ditur vajza e tij përmes një postimi në Facebook. 

“Me shumë gëzim dhe falënderim ndaj Zotit, ju njoftojmë se sot, më 21.09.2026, babai ynë, Osman Selmani, është liruar nga paraburgimi në Beograd. Sapo u takuam me babanë tonë në pikën kufitare në Merdare. Pas kaq shumë ditësh ankthi, malli dhe pritjeje, ky është një nga momentet më të lumtura për familjen tonë”, thuhet mes tjerash në njoftim.

Selmani u arrestua në pikë kufitare në Mutivodë, nën dyshimin për “Krime lufte”. 

Serbia pretendonte se më 14 qershor 1999 në lagjen “Sofalia” në Prishtinë, ai në bashkëpunim me disa anëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, privuan nga jeta çiftin Vladimir dhe Persa Stanisavljeviq.

Por, familjarët e Selmanit kishin thënë se në kohën kur pretendohet të jetë kryer krimi, e gjithë familja ka qenë në Maqedoni, pasi ishin dëbuar nga forcat serbe.

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD), për këtë rast kishte bërë të ditur se Zyra Ndërlidhëse e Republikës së Kosovës në Serbi kishte informuar menjëherë misionet diplomatike të vendeve të Quint-it të akredituara në Beograd, si dhe Delegacionin e Bashkimit Evropian në Serbi, për arrestimin e kosovarit Osman Selmani dhe procedurat e iniciuara ndaj tij nga autoritetet serbe.

Ministria e Jashtme gjithashtu në vazhdimësi bën thirrje që qytetarët të shmangin kalimin nëpër Serbi.