KOHA.net

Поддржете го TIME. Зачувајте ја вистината.
Арбери

Себе: Повлекувањето на американските трупи од КФОР би го загрозило мирот во Косово

Кит Селф

Kongresisti amerikan Keith Self ka deklaruar se tërheqja e trupave të SHBA-së nga KFOR-i do të përbënte kërcënim të drejtpërdrejtë për paqen ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Self, i cili kryeson Nënkomisionin për Evropën në Dhomën e Përfaqësuesve, tha se prania forcave të shtetit të tij vazhdon të jetë vendimtare për sigurinë në rajon.

“KFOR-i është bastioni aktual i paqes ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Të dyja qeveritë e njohin atë si çelës për shmangien e konfliktit”, deklaroi ai, në një takim të Komitetit për Punë të jashtme të Dhomës së Përfaqësuesve të Kongresit Amerikan, transmeton KosovaPress.

Sipas kongresistit republikan, anëtarësimi në NATO është elementi më i rëndësishëm për sigurinë afatgjatë të Kosovës. Deri në arritjen e këtij synimi, ai vlerësoi se misioni i KFOR-it mbetet i pazëvendësueshëm.

Self e cilësoi Kosovën si shtet të pavarur, demokratik dhe partner strategjik të Shteteve të Bashkuara.

Ai u bëri thirrje Greqisë, Rumanisë, Sllovakisë dhe Spanjës që ta njohin pavarësinë e Kosovës. Këto janë 4 shtetet e NATO-s që vazhdojnë të mos e njohin atë.

“Është koha që vendet mosnjohëse ta pranojnë faktin se Kosova është këtu për të qëndruar”, theksoi Self.

Sipas tij, qëndrimi i këtyre shteteve po e pengon integrimin e Kosovës në Aleancën Veri-Atlantike. Ai e konsideroi këtë pengesën më të madhe për stabilitetin e Ballkanit Perëndimor.

Kongresisti kujtoi se ka sponsorizuar Rezolutën 1246 të Dhomës së Përfaqësuesve. Dokumenti mbështet integrimin e Kosovës në NATO dhe forcimin e partneritetit me Shtetet e Bashkuara.
Duke folur për zhvillimet politike në Kosovë, Self u bëri thirrje liderëve që të bashkëpunojnë për zgjedhjen e presidentit.

“Sfidat me të cilat përballet Kosova brenda vendit dhe ndërkombëtarisht kërkojnë funksionimin e institucioneve, veçanërisht zgjedhjen zyrtare të presidentit”, tha ai.
Self përmendi edhe vizitën e tij në Kosovë dhe në vende të tjera të Ballkanit Perëndimor. Ai tha se delegacioni kongresional kishte takuar zyrtarë, opozitarë, përfaqësues të shoqërisë civile, studentë dhe drejtues ushtarakë.

Një pjesë e vizitës ishte përqendruar në pozitën e shqiptarëve në Luginën e Preshevës. Self theksoi se mbrojtja e të drejtave të pakicave është thelbësore për stabilitetin rajonal.

Ai kërkoi lëvizje të lirë ndërmjet Serbisë, Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut. Sipas tij, bllokimi i pikave kufitare për arsye politike është i panevojshëm dhe nxit tensione.

Kongresisti kritikoi Qeverinë e Serbisë për refuzimin e njohjes së Kosovës dhe glorifikimin e kriminelëve të luftës. Ai përmendi nderimet shtetërore të bëra gjatë funeralit të Ratko Mlladiqit, të dënuar për gjenocidin në Srebrenicë.

Self paralajmëroi se lufta hibride, urrejtja dhe diskriminimi vazhdojnë të jenë të pranishme në Ballkan. Mospërgatitja për përshkallëzime të mundshme, sipas tij, mund të ketë pasoja të rënda.

Ai kërkoi që administrata amerikane të propozojë sa më shpejt ambasadorë për Kosovën dhe Maqedoninë e Veriut./KSP