Surroi: Përshëndetje! Në PIKË, mysafir Avni Spahiu, gazetar shumëvjeçar, përkthyes, shkrimtar, diplomat. Avni, mirë se vjen!
Спахиу: Mirë se të gjeta, faleminderit!
Surroi: Është qershori i vitit 1982, New York, është kampionati botëror, sa do të fillojë kampionati botëror i futbollit, apo sa do të përfundojë, s’e di saktësisht, më duket fillimi ka qenë, dhe ne takohemi në New York. Unë jam rrugës duke u kthyer në Kosovë, mbas qëndrimit pesëvjeçar në Meksikë.
Ti je korrespondent i “Rilindjes” në New York takohemi te Bardh Pula, në banesën e tij në Manhattan, i cili është përfaqësuesi i EXIMKOS-it. Dikur pasdite takohemi me Ali Kryeziun, i cili është diplomat në OKB, në përfaqësinë e Jugosllavisë atëherë.
Kjo është pika sipërore e përfaqësimit të Kosovës, momenti kur ”Rilindja” ka korrespondentin e vet në Amerikë; EXIMKOS-i e ka përfaqësuesin e vet, ka diplomat si Ali Kryeziu dhe prej atij momentit kulmor fillon dalëngadalë një lloj erozioni.
Ti atë erozion ende nuk e kishe parë, ndonëse e dinim se kishte filluar një lloj represioni i madh në Kosovë. Edhe ti do të kthehesh së shpejti prej Amerikës. Si e shihje në atë kohë Kosovën?
Спахиу: Së pari, faleminderit që më ktheve në atë kohë, sepse është një kohë e gjatë që ka kaluar prej atëherë dhe mua më kujtohet, megjithatë, takimi im i parë me ty. Ishte, sa më kujtohet rruga 62 ku jetonte Bardhi në Manhattan, në Avenynë e 2-të, kurse unë jetoja në Avenynë e 2-të, por në rrugën 49. Ishim shumë afër dhe këmbenim vizita. Edhe, patjetër që më kujtohet ai takim, sepse më la mbresa, të ta them të drejtën tash, po të them hapur, edhe biseduam për shumë gjëra dhe ato më janë ngulitur në kohë.
Natyrisht, kjo ishte koha që t’i kthehem pyetjes tënde esenciale ishte koha kur Kosova po bënte përpjekje t’i krijonte institucionet e veta dhe duke bërë ato që vinin gjitha republikat në ish ish-Jugosllavi për të themeluar përfaqësitë e veta, përfaqësuesit e vet në nivele të ndryshme, natyrisht në këtë kuadër ishte edhe emërimi i korrespondentëve jashtë vendit. Para meje në New York ishte Maksut Shehu
Surroi: Prej aty kthehet kryeredaktor, dhe ty të dërgoi.
Спахиу: Mund të them që ai ishte personi që më dërgoi, se unë isha i ri në “Rilindje”, tre-katër vjet kishin kaluar dhe menjëherë do të shkoja në atë post, në atë mision, në OKB.
Surroi: Ti ke qenë korrespondenti i tretë, më duket, ke qenë ti, ka qenë Jusuf Buxhovi...
Спахиу: Jusuf Buxhovi ka qenë në Gjermani...
Surroi: Nehat Islami, në botën arabe...
Спахиу: Nehat Islami ka qenë në Lindjen e Mesme dhe kështu, ishte për mu në atë moshë ishte diçka e papritur, por edhe një nderim i madh dhe fillova punën atje në OKB.
Misioni im është që të ndiqja atë që ndodhte në OKB, por edhe në SHBA. Natyrisht se Washingtoni në atë kohë ishte ndryshe nga ai Washington që pamë më vonë, edhe sot, sepse kishte një paracaktim, sidomos ndaj Jugosllavisë. E konsideronte një vend, në atë kohë, në Luftën e Ftohtë, Jugosllavia paraqiste për të diçka të pranueshme, dhe natyrisht në qarqe më të lartë kuptohej edhe problemi i Kosovës, por në qarqet në të cilat gjendeshim ne, kishte pak një mungesë e të kuptuarit se çfarë po ndodhte. Ndodhën demonstratat, një vit më parë, 1981-n natyrisht, dhe kureshtja e tyre ishte se çfarë është duke ndodhur në fakt dhe çfarë kërkojnë shqiptarët në atë kohë.
Më kujtohet që në atë kohë, kisha rastin të takoja shumë përfaqësues të ndryshëm të jetës politike amerikane, të cilët i takoja kryesisht në disa prej restoranteve të miqve tanë, Siç ishte Bruno (Selimaj), Shaqir Gashi edhe shumë të tjerë, dhe ata kishin restorante ekskluzive dhe aty vinin figura të rëndësishme, jo vetëm të artit e të aspektit shoqëror, por edhe të politikës.
Surroi: Bruno dhe Shaqiri kanë qenë një lloj konsullate e vogël e Kosovës, edhe për shqiptarët në përgjithësi.
Спахиу: E kështu ishte në atë kohë.
Surroi: Ti mbetesh edhe disa vjet në New York, deri në vitin 1984...
Спахиу: 1985.
Surroi: 1985, dhe u ktheve në periudhën bukur të vështirë të presionit, posaçërisht ndaj “Rilindjes”, ndaj institucioneve të asaj kohe. Ideja e deinstitucionalizimit të Kosovës filloi kështu, me “Rilindje” dhe me njerëz, po e përmendim me këtë rast Ali Kryeziu, që kthehet... rrugës për në Kosovë, arrestohet, si gjoja pjesë e një grupi nacionalist, grupi intelektual së bashku me Ekremin (Kryeziu), së bashku me Ukshin Hotin dhe ishte ideja që dekapitimi, domethënë të hiqen gradualisht kokat e intelektualëve në Kosovë.
Momenti i kthimit tënd, sepse njeriu kur largohet dhe kur kthehet, i sheh dallimet thelbësore. Cilat kanë qenë dallimet thelbësore?
Спахиу: Së pari dua të them që para se të kthehesha, kisha oferta që të punoja në Amerikë, të ndalesha, domethënë edhe nga miqtë e mi, siç është, edhe Elez Biberaj e të tjerë.
Por, më dukej diçka e pamundur, që unë të rrija atje e të vazhdoja jetën në atë, sepse Amerika thonë është vend për t’u parë, por jo për të jetuar, sepse kërkon të përballosh një stres të jashtëzakonshëm, jeta është shumë dinamike, etj., kështu që vendosa që, natyrisht, mbaroi mandati, dhe të kthehesha në Prishtinë, në redaksinë e politikës së jashtme.
Natyrisht, tani ishte një atmosferë pak më e rëndë, më e vështirë, edhe për gazetarët si edhe për shoqërinë Kosovare në tërësi. Më kujtohet e kisha bërë një fejton për Fan Nolin, për shqiptarët e Amerikës, i cili u desh të kalonte nëpër shumë filtra dhe mori, besoj një muaj derisa mori një dritë kuqe dhe atë me disa vërejtje të evitohet kjo, mirëpo ai fejton doli, por ne e ndienim atë presion tërë kohën, në shkrimet tona, ndonëse përpiqeshim të jemi në anën e së vërtetës, nganjëherë hasnim në probleme serioze. Por, ajo që është me rëndësi është se kishte një solidaritet të brendshëm në “Rilindje” mes gazetarëve, mes punëtorëve, kështu që kjo ishte një ndihmë dhe një satisfaksion, do të thosha, që të punoja, dhe i kalonim me lehtë të gjithë ato sfida që po i ndodhin “Rilindjes”, por edhe Kosovës në përgjithësi.
Ne kishim mision dhe përpiqeshim nga ato rrethana të bënim më të mirën që të informojmë objektivisht ne rrethanat e atëhershme, sa na lejohej hapësira, por mendoj që ajo nisi diçka në “Rilindje” e cila do të zhvillohej më tutje, në aspektin e njëfarë lloj, do të thosha, rebelimi, rezistencë etj., Aty filloi bërthama për të vepruar me tutje dhe vërtet ishte një kohë e rëndë, jo koha më e rëndë e Kosovës, por një kohë që po ndryshonte në dëm të Kosovës.
Surroi: Ndoshta ka qenë koha më e poshtër për gazetari.
Спахиу: Точно.
Surroi: Një ndrydhje e jashtëzakonshme ka qenë e njerëzve. Bile dy prej njerëzve të cilët kanë qenë censuruesit më të mëdhenj, sot janë qytetarë amerikanë, me qenë paradoksi më i madh, lufta i çoi atje.
Por, nga “Rilindja” dolën, siç tha ti, lëvizjet e para. Për shembull Zenun Çelaj, ka qenë njëri prej njerëzve, i cili ka qenë aktiv në mbledhjen e nënshkrimeve për “Apelin 215”.Më vonë, njëri prej aktivistëve më të mëdhenj të KMDLNJ-së.
Kati i katërt, i kulturës, ishte pjesa themeluese e LDK-së, aty në “Elidë”. Një pjesë e redaksisë së “Rilindjes” e kalonte një kohë bukur të madhe në “Elidë” atë kohë.
Kjo periudhë, pra, ishte e natyrshme. Ramush Tahiri e filloi në atë kohë aksionin për kthimin e librezave të LKJ-së, dhe “Rilindja” ka qenë organizata e parë e shpërbërë e LK-së dhe në këtë situatë ishte e natyrshme atëherë që të gjenden opsionet për shumë gjëra të tjera, pra edhe të improvizohet.
Dhe misioni i parë diplomatik është i yti dhe imi, për në OKB, kur na thërret KMDLNJ-ja, dhe na thotë hipni në autobus dhe nisuni për në për në Gjenevë. Ishte sesioni i Nënkomisionit për të Drejtat e Njeriut, nënkomisionit vjetor. Një organizatë na kishte krijuar një sllot prej pesë minutash për të folur për shkeljen e drejtave të njeriut, ishte korriku apo gushti i vitit 1990.
“Rilindja” u mbyll, televizioni u mbyll. U shpartallua komplet sistemi kushtetues i Kosovës, dhe ne nisemi në autobus, 24 orë për në Gjenevë.
Спахиу: Me muzikë folkorike.
Surroi: Me muzikë folkorike, “Prej Stambolli Azem Mala, krejt shqiptarëve u bën të fala”. Si po të kujtohet ai moment?
Спахиу: E tha mirë atë në fillim që shumë gjëra u nisën nga “Rilindja”. U iniciuan, të cilat pastaj do të organizoheshin, do ta formësonin atë që quhej opozita, në atë kohë.
Por më kujtohet se një nga formimet e para, që është krijuar në këtë zhvillim të asaj kohë ishte formimi i KMDLNJ-së, dhe në atë këshill ishim 11 anëtarë në atë fillim. Kishte disa edhe prej “Rilindjes”, natyrisht Zenuni printe, kishte edhe të tjerë, unë isha njëri ndër anëtarët. Dhe atëherë filluam t’i informonim...
Surroi: Zeqë Cana ka qenë...
Спахиу: Bajram Kelmendi, Pajazit Nushi... më duket edhe Rugova ka qenë në fillim të Këshillit, me sa mbaj mend, edhe natyrisht, tash të kaloj te ai udhëtimi i famshëm.
Ne u dërguam nga KMDLNJ-ja që të shkonim në Gjenevë në sesionin e nënkomisionit për të drejtat e njeriut, që është një institucion i OKB-së, dhe të përpiqeshim disi që ta arrinim të prezantonim atë që po ndodhte në Kosovë.
Natyrisht, ishte një punë jo lehtë, sepse ne nuk ishim të akredituar në atë kohë dhe s’kishim drejt fjale në atë sesion. Natyrisht, gjetëm mirëkuptim të një organizatë joqeveritare e të drejtave të njeriut që quhej “Libertine”, nga Londra, me kujtohet, të cilët pranuan të na jepnin pesë minuta në kuadër të fjalës së tyre dhe ne e shfrytëzuam këtë. Por, ata kishin një kusht: që të flitet edhe për Sri Lankën, sepse atë e kishin...
Surroi: ...për Timorin Lindor,
Спахиу: ...Timorin Lindor në fakt, po edhe...
Surroi: ...për të cilin, as ti as unë, s’dinim gjë.
Спахиу: S’dinim, por ata e bënë atë pjesë, kështu që ne ishim ndoshta të parët që folëm edhe...
Surroi: ...për Timorin Lindor, e ishte fjalia e parë...
Спахиу: ...po, ashtu, kështu që ishte me të vërtetë një diçka që ne e morëm si sukses të madh, sepse ishte hera e parë që dëgjohej zëri i Kosovës në forume ndërkombëtare. Me sa di unë, me sa më kujtohet, atëherë ishte koha kur u vra në një atentat në Bruksel, Enver Hadri, në atë kohë më duket, kështu që ishte një kohë e tendosjeve shumë të mëdha, ndonëse ishim në atë forum të lartë ndërkombëtar, nuk përjashtohej mundësia që do të pasonin edhe masat, kur të ktheheshim në Kosovë.
Por e bëmë atë, e bëmë edhe raportin si gazetarë, tani në rolin tjetër, por derisa, më kujtohet që pas kësaj erdhe në Prishtinë, për shkak se kishe një revistë, dhe ishte sulmuar, domethënë mediat në Kosovë edhe domosdoshmërisht do të ishe këtu.
Por, mua më kujtohet që një ditë më vonë, derisa po dërgoja një raport, më thanë se me s’është “Rilindja” dhe se s’mund ta dërgoja dhe ta botoja. Kjo ishte një goditje shumë e rëndë. E imagjinoja se çfarë do të thotë për Kosovën mohimi i kësaj të drejtë elementare për informim, dhe cilat do të ishin tani pasojat dhe rrjedhojat që do të ndodhin në shoqërinë kosovare.
Surroi: Dhe pasojat s’kishin të mbaruar, sepse prapa tyre vinte mbyllja e universitetit, e shkollave, domethënë ishte një procesion, nëse mund ta quajmë ashtu, i represionit të Serbisë, ndërkohë, episodi i ardhshëm në të cilin ne takohemi është nja tre vjet më vonë.
Jemi në Atlanta, është, më duket shkurti i 1993-s. Ish-presidenti Carter organizon takimin në Qendrën e tij, dhe më fton të flas në emër të Kosovës, dhe dikush fliste në emër të Maqedonisë. I kishin izoluar si kriza të veçanta, për të cilat duhej pasur kujdes. Domethënë, në atë kohë, nëse njeriu e shikon, ne mbërritëm për 5 minuta të lajmëronim diçka, brenda 5 minutave të dedikuara për Timorin Lindor, kaq ishte vëmendja, asokohe, ndaj krizës në ish-Jugosllavi.
Kjo përpjekja jonë për internacionalizim, gjendej në këso forume, përfshirë në këtë eminent të Qendrës Carter dhe ti ishe në vizitë me presidentin Rugova, ti ishe përkthyesi i tij, këshilltari i tij bashkë me disa anëtarë, nëse mbaj mend, Alush Gashi, edhe disa të tjerë, ishit në Boston dhe atëherë u nisët për në Atlantë dhe ne takohemi në Atlanta.
Atëherë për një moment, Javier Pérez de Cuéllar, që ishte ish-Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, jemi në autobus, ne po presim të nisemi për Qendrën Carter, dhe del Ibrahimi, del ti, edhe dalin të tjerët, edhe pyet Pérez de Cuéllar, kush është ky? I thashë, ky është presidenti i Kosovës. “Ka president Kosova?”, se s’e dinte. “Po, more”, i thashë, e afër ishte (Olusegun) Obasanjo, i cili ka qenë ish-diktator i Nigerisë, ish-president i Nigerisë, dhe në atë përzierje, ngadalë, hap pas hapi, hymë edhe ne.
Në atë perspektivë të diplomacisë paralele si të dukej Rugova dhe si dukej kjo gjendje?
Спахиу: Kjo ishte ajo periudha e fillimit të lëvizjes të rezistencës...
Surroi: ...paqësore
Спахиу: ...paqësore në Kosovë. Ishte një politizim total i shoqërisë Kosovare dhe një angazhim i plotë në të gjitha aspektet e jetës. Prandaj ne po bënim përpjekje të para diplomatike, hapat e para diplomatikë, si diplomaci joformale në atë kohë.
Andaj këto vizita kishin për qëllim që të bënim të njohur për opinionin ndërkombëtar dhe për vendimmarrësit ndërkombëtarë, gjendjen në Kosovë dhe për perspektivën e zgjidhjeve eventuale të kësaj krizë.
Andaj, vizitat në SHBA gjithmonë ishin parësore, kishin rëndësinë e parë në këtë kuadër.
Surroi: Ishin bukur në nivel i ulët, në atë kohë.
Спахиу: Natyrisht, natyrisht. Ishte rudimentare do të thosha. Këto janë fillet. Edhe më kujtohet, derisa po vinim nga New York u në Atlanta, me një aeroplan, ishte një aeroplan i vogël...
Surroi: Prej Bostonit a prej New Yorkut?
Спахиу: Prej Bostonit.
Surroi: Se keni qenë darkë, dhe hipet në një aeroplan privat...
Спахиу: Vjen stjuardesa e më thotë: “A mund të dilni në këtë anën tjetër?”
Po i them: “pse?” Tha për shkak të balancës.
I thashë kryetarit Rugova: “Edhe kjo po e di që unë e ruaj balancën këtu”.
Ishte një nga vizitat e para dhe çdo takim ishte njëfarë lloj inkurajimi. Sepse në Amerikë ishin të gatshëm të dëgjonin, të paktën të na dëgjonin se çfarë kishim për të thënë dhe shpesh edhe habiteshin, që në kuadër të atij tmerri që po ndodhte në ish-Jugosllavi ata dëgjonin të vetmin zë racional, nga ana e kosovarëve, që ishim për një politikë ndryshe, për politikë që përpiqej të ruante popullsinë nga tmerri që mund të krijonte në atë kohë agresioni kundër Kosovës dhe përpiqeshim ta evitonim sa ishte e mundur.
Dhe edhe në vizitat e tjera, domethënë gradualisht Shtetet e Bashkuara shkonin duke u interesuar gjithnjë më shumë për atë gjendje dhe të ofrojnë madje edhe solucione të ndryshme, sidomos edhe nga shoqatat të ndryshme dhe nivele të ndryshme, që ofronin propozime për zgjidhje konkrete dhe kjo hapi rrugën edhe për vizita të kongresmenëve e të përfaqësuesve amerikanë në Kosovë, madje edhe të zyrtarëve.
Surroi: Në fakt, ajo ka qenë prej fillimit, domethënë prej vitit 1990, Dole, D’Amato, këtu ka qenë roli i madh i Lobit tonë shqiptaro-amerikan atje i cili e nxiti këtë vizitë.
Спахиу: Në vitin 1990 mora një telefonatë nga Ambasada amerikane në Beograd, të cilët kërkonin që unë ta takoja një njeri i cili vjen në Kosovë inkognito, dhe ta njoftoja për gjendjen në Kosovë dhe çfarë po ndodhte.
Pranova. U takova me të. Ky kishte qenë Lantos me bashkëshorten e vet, ka Annette dhe aty u njoftuam. Por unë ende nuk e kisha qartë se ishte pesha e emrit tij në Washington. Dhe nga fundi më pyeti: “A ke frikë që më takove?” Thashë “ne nuk po mendojmë më për këtë aspekt, po punojmë edhe...”
Tha, nëse ndodhë diçka, unë do ta bëj çështje të madhe. Atëherë e mora vesh që është një person shumë... një vit më pas, kur erdhi zyrtarisht me DioGuardin në Prishtinë iu bë një pritje madhështore para “Grandit”. Dhe unë s’mund ta afrohesha nga turma dhe ai prej largu tha: “A e sheh ndryshimin që po ndodh”. Kjo më kujtohet, në atë kohë.
Surroi: Tom Lantos ka qenë personalitet, sepse ka qenë një njeri i cili ka mbijetuar holokaustin në Hungari edhe ka qenë zë i jashtëzakonshëm për të përndjekurit në botë, për të drejtat e njeriut. Kemi pasur një fat të madh me të. Por, politika amerikane, kemi pasur fatin e madh që është trasuar me presidentin Bush plakun dhe Kërcënimin e tij të Kërshëndellave, kjo ka qenë marrëveshja mes SHBA-së dhe neve që SHBA-ja do ta përkrahë Kosovën në rezistencën e vet paqësore. Nëse Kosova inicion veprime të dhunshme, atëherë e humb këtë përkrahje.
Спахиу: Ashtu është. Edhe rëndësia e Rugovës tani si lider joformal, për ata, për bashkëbiseduesit, gjithnjë fitonte peshë. Më kujtohet para kësaj të Bushit një takim i parë me Clintonin, i cili, në atë Lutje të Mëngjesit, s’ka ndonjë rëndësi tepër të madhe si ngjarje në Washington, por aty merr pjesë Presidenti amerikan dhe bën disa takime, domethënë të përzgjedhura me përfaqësues nga mbarë bota dhe Rugova u takua aty edhe me nënpresidentin Al Gore, unë isha i pranishëm në atë takim, dhe ata hapur shfaqën admirimin e tyre për rezistencën paqësore të shqiptarëve në Kosovë dhe dhanë premtimet e para që do të përpiqemi ta ndihmojmë popullin e Kosovës në aspiratat e tij pa përmendur pavarësinë, natyrisht, ishte një kohë tjetër...
Surroi: Jo, ata ishin eksplicitë që përkrahnin vetëm autonominë.
Спахиу: Autonominë, vazhdimisht e theksonin, por kur bisedonin vetëm me Rugovën, i thosha, kryetarët po përkrahin autonominë. Thoshte, “Jo, pavarësinë”. Kishte aq besim saqë ishte i patundur në këtë aspekt.
Natyrisht, edhe politika amerikane filloi gradualisht të avanconte në çështjen e Kosovës dhe në atë kuadër ishte edhe ky paralajmërimi i Bushit të vjetër, për vijat e kuqe në Kosovë.
Surroi: Një analizë pak më cinike e veprimeve të asaj kohe do të thoshte që edhe SHBA-së i konvenonte, sepse nuk kishte ndonjë investim të madh politik në Kosovë, do të thotë, përderisa të mos ketë trazira, sepse bota funksionon në atë formë cinike, nëse ka trazira, atëherë vëmendja shkon te trazirat. Nëse ka dhunë, shkon te dhuna. Nëse ka luftë, shkon te lufta.
Në Kosovë nuk kishte, domethënë ishte një konflikt intensiteti të ulët që nuk merrte vëmendje, ndonëse duhet thënë që në Kongres kemi pasur një përkrahje të jashtëzakonshme, shumë të madhe falë veprimeve të përhershme shqiptaro-amerikane, edhe tonat kemi qenë çdo muaj pothuajse në Washington dhe në takimet me ta.
Por, a ke ndier ndryshim me paraqitjen e aksioneve të para të UÇK-së, domethënë fillon një ndryshim në pikëpamjen amerikane.
Спахиу: Në një takim në Departamentin e Shtetit me ish-Sekretarin e atëhershëm Shtetit Warren Christopher i cili ishte në ditët e fundit të administrimit të tij të shërbimit si sekretar...
Surroi: ...dhe i cili ka qenë në Dayton...
Спахиу: ...në Dayton, ka qenë shumë i angazhuar, ai e tha një fjali që na mbushi pak me optimizëm. Tha: “Kam pasur shumë dëshirë që unë të isha ai që do ta zgjidhë këtë çështje. Por tani vjen Madeleine Albright dhe ajo do të merret me këtë çështje dhe do ta çojë deri në fund”.
Ishte shumë sinjifikativ në atë kohë. Por, madje e tha edhe një fjali;. Tha: “Ne do të ndërhynim, mirëpo na duhet një pretekst, një shkas”, të cilin në atë kohë kur doli sheshazi Ushtria Çlirimtare e Kosovës, e lidha me atë se ky ishte shkasi, në fakt, që do t’i jepte mundësinë SHBA-së që të ndërhynte.
Nga ana tjetër Rugova vazhdimisht tërhiqte vërejtjen në këto takime se në qoftë se nuk na ndihmoni tani, gjendja do të radikalizohet, dhe do të dalin njerëzit e tjerë, të cilët do të rezistojnë ndryshe nga ne, dhe atë e merrnin seriozisht këtë çështje dhe këtu ishte ajo ndoshta kthesa e madhe që amerikanët duan të kuptonin se zgjidhja e vetme ishte një mëvetësimi i Kosovës në kohën kur të gjitha elementet federalë të ish-Jugosllavisë u shpërbënë dhe po i krijonin shtetet e tyre.
Surroi: Në fakt, nëse mund ta korrigjoj, më duket ky ishte momenti kur ata kuptuan që duhet të jenë pak më aktivë, sepse ende nuk e kishin pjekur idenë e pavarësisë së Kosovës.
Спахиу: Kjo ide piqet shumë, shumë vonë, gati në fund të luftës në Kosovë. Por në atë kohë, ishte investimi që të përkrahet Rugova funksionoi deri në një pikë, kur më kjo nuk krijonte stabilitetin në Kosovë, dhe dalja e atëhershme i vuri amerikanët para një dileme se çka do të bëjnë më tutje, por megjithatë vazhdoi komunikimi thelbësor me partneritet me Rugovën.
Surroi: Ti ke qenë në atë kohë shumë afër në vizitat në Washington.
Спахиу: Po, madje jam duke e shkruar një libër, duke u marrë me këtë për këto udhëtime me Rugovën, e kam për aspektin e politikës së jashtme dhe nga fundi, pritja që i bëhej Rugovës ishte e një përfaqësuesi të lartë shtetëror, me sigurim, po ashtu edhe me nivelin e takimeve. Gjithnjë më mirë. Dhe po krijohej përshtypja se angazhimi amerikan tani do të ishte konkret duke pasur parasysh edhe ato që po ndodhnin në Bosnjë, të gjithë ato krime dhe po piqej mendimi që Kosova mund të jetë ajo pika më tragjike në tërë këtë shthurje të ish-shtetit jugosllav, prandaj duhej parandaluar këtë, aq më tepër duke pasur parasysh se Kosova paraqiste një alternativë politike të dëshmisë se ata janë populli më proamerikan në rajon dhe do të ishin mirënjohës në këtë aspekt, po qe se Amerika do të bënte. Ishte edhe në interesin e Amerikës, natyrisht, që në atë gjeopolitikë që kishte filluar të krijohej në rajon, në mungesë të ish-shtetit jugosllav
Surroi: Por, ndonëse filloi lufta, nuk kishte shumë dinamikë amerikane. Vetëm me Kërcënimin e tetorit të vitit 1998, kur u aktivizua NATO-ja dhe u dha urdhri, kur Solanës iu dha e drejta që të aktivizojë forcat ajrore, vetëm atëherë ë u kuptua se SHBA-ja ka hyrë seriozisht në këtë punë.
Спахиу: Mirëpo, në atë kohë, e di që nga Amerika erdhën diplomatë të nivelit të fortë, Hill dhe të tjerë, Holbrooke të cilët u takuan edhe me përfaqësues të UÇK-së, madje edhe në front të luftës.
Ata po e studionin situatën, po njiheshin me rrethanat, me këtë forcë ushtarakë që po krijohej në Kosovë, me pikëpamjet e tyre pos atyre të anës paqësore që përfaqësonte Rugova. Kështu që po përpiqeshin të krijonin një pasqyrë të qartë se çfarë vërtet përfaqësonte UÇK-ja dhe kjo më kujtohet, në fillim kishte hezitim duke e quajtur kështu e ashtu UÇK-në, por pastaj e konsoliduan mendimin e tyre, e kristalizuan mendimin dhe tani kërkonin të gjenin mënyra që drejtpërdrejt të angazhoheshin.
Kjo mori kohë, siç e dimë edhe ne deri te konferenca e Rambouilletsë.
Surroi: Kishte nevojë... ne kemi shprehur përkrahje të plotë për UÇK-në që ishte problem asokohe për SHBA-në, sepse ishte diskrepancë e madhe mes UÇK-së dhe Rugovës edhe në tone, edhe në fjalor, edhe në mënyrë... meqenëse jemi te fjalori, edhe ti ke qenë gjithmonë afër në përkthim Rugova ka qenë bukur, i kufizuar në shprehje, ka qenë shumë ekonomik të themi ashtu. Si të ka lënë përshtypje në atë relacion me diplomatët amerikanë?
Спахиу: Ishte thjeshtësia e të shprehurit dhe qartësia.
Edhe ndodhte që ai i linte nganjëherë fjalitë e papërfunduara.
Surroi: Si i përktheje ti?
Спахиу: Po e mora guximin, dhe e kreva fjalinë. Kur dolëm i tha, “Shihe”, kuptonte anglisht, “e plotësove fjalinë, po unë me qëllim e lash të paplotësuar”. Ata le ta marrin le t’ia gjejnë atë pjesën tjetër.
E kishte këtë mënyrë të shprehurit, njëfarë lloj urtësie, e cila nuk mund të refuzohej nga bashkëbiseduesit. Më kujtohet në Londër një herë ka qenë ai ministri shtetëror Douglas Hogg. I bëmë takimet në tri nivele.
Kur kaluam te Douglas Hogg, ai kategorikisht, tha që opsioni i pavarësisë është joreal. Ne si Angli e përkrahim autonominë substanciale për Kosovën, porse nuk është reale të kërkohet pavarësia. Por, Rugova vazhdimisht insistonte, duke i thënë faleminderit për mbështetjen tuaj ky është opsioni ynë.
Në fund të kaloi mirë. Në nivelin e dytë ishte Douglas Hurd, që ishte Sekretar i shtetit dhe ai dëgjoi prezantimin, por nuk kundërshtoi sikur Hogg, pavarësinë, por tha do të përpiqemi t’ju ndihmojmë. Dhe në nivelin e tjetër, të tretë, ishte takimi me Margaret Thatcher, edhe kur hymë në takim, ajo ishte e vetme, ulur në një fotele, e pas saj ishte një që merrte shënime, sekretari i saj. Dhe ne po flisnim për Kosovën, ajo dremiti, filloi të dremitej.
Edhe ne po mendojmë që kjo s’po na dëgjon se çfarë edhe erdhëm në një moment kur i thamë se në Kosovë janë mbyllur shkollat, se nxënësit tanë ndjekin mësimet nëpër shtëpi, garazhe, nëpër vendet alternative, jo të përshtatshme, por nuk e kemi pranuar që të mbyllet shkolla për shqiptarët, por kemi rezistuar. dhe në këtë moment ajo siç dremitej, u zgjua.
“Përsëritmani edhe njëherë këtë”. U çua në këmbë, tha: “Kjo është e patolerueshme, midis Evropës të ndodhë kjo, që t’i mohohet e drejta e edukimit, tha kjo nuk mundet... edhe tërë ajo që po ndodh në Kosovë, kërkon një përgjigje të fortë, dhe unë mendoj (që në atë kohë), që duhet të bombardohet Beogradi, në qoftë se vazhdon me këtë politikë”.
Po ashtu edhe takimi me kryetarin e politikës së jashtme të Parlamentit britanik, ishte po ashtu i këndshëm në këtë frymë, që Britania e Madhe duhet të bënte diçka që ta ndihmonte Kosovën në momentet më të vështira të saj.
Surroi: Tash po e ndërrojmë këndin e shikimit.
Mbaron lufta. Ti vazhdon në gazetari, bëhesh drejtor i Radio Kosovës për fillim dhe Kosova bëhet shtet i pavarur dhe ti je ambasadori i parë i emëruar për në Washington.
E ndryshon këndin e vështrimit në një ndryshim epokal, fillon shekulli 21 dhe nga perspektiva krijon një relacion të ri mes Kosovës dhe SHBA-së.
Спахиу: E vërtetë kjo ishte diçka, do të thosha e papritur në atë kohë sepse ishim në atë entuziazmin e pavarësimit, të shtetësisë së Kosovës. Ende ishte koha e kremtimeve dhe s’po mendonim se do të duhej të krijonim tani institucionet, etj., e edhe diplomacinë e re.
Kështu që kur mora, me telefonoi presidenti Fatmir Sejdiu, për të cilin kam një respekt të veçantë, dhe më tha se me pajtimin e të gjithëve jemi të mendimit që ti duhet të jesh ambasador në Washington. Dhe kjo me erdhi si befasi e madhe, jo vetëm për mua, por edhe për familjen, se ishte diçka që krijonte ndryshim të madh edhe në ecurinë e jetës sonë edhe familjare, por edhe individuale.
Por, natyrisht ishte një privilegji jashtëzakonshëm dhe nuk hezitova që të jem pjesë e dhjetë diplomatëve të parë të Kosovës. Më kujtohet që më vonë, pata kuptuar se isha ambasadori i parë i dekretuar i Kosovës, jo në Amerikë, por në përgjithësi, dhe i pari, natyrisht, në SHBA dhe atje kishim sfida si diplomatë të rinj që po mësonim hapat.
Natyrisht, më ka shërbyer edhe ajo pjesë e diplomacisë joformale që kishin vitet ‘90, por edhe gazetaria.
Tani mirë e tha, nga ana tjetër e gazetarisë, por ato edhe ndihmojnë njëra-tjetrën e plotësojnë. Kështu që arritëm të themelonim ambasadën për një kohë relativisht të shkurtër. Natyrisht, kishim edhe ndihmën e DASH-it, të miqve tanë në Washington. Dhe filluam rutinën tonë të përditshme si diplomatë, në cilën prioritet ishte ruajtja dhe forcimi i miqësisë me SHBA-në. Ishte një kohë kur mbretëronte një mirëkuptim i plotë mes Kosovës dhe të Amerikës, që konsideroheshim si pjesë e një esence mes dy vendeve dhe, natyrisht, e dyta ishte angazhimi për njohje të Kosovës.
Në këtë aspekt, po ashtu kishim ndihmën e Shtëpisë së Bardhë dhe të DASH-it.
Surroi: Në fakt, shtetet që na kanë përkrahur në pavarësi, të gjitha janë vënë në dispozicion përfshirë Francën, Gjermaninë, Mbretërinë e Bashkuar, dhe State Departmenti e kishte listën e shteteve ku do të insistonte.
Спахиу: Mua më kujtohet, kur shkuam, kishim vetëm 37 njohje ndërkombëtare, dhe ne, gjatë asaj kohe, morëm edhe disa dhjetëra njohje të reja gjatë asaj kohe dhe e di që ka qenë një angazhim specifik i DASH-it, por edhe i miqve tanë. Mua më kujtohet në një vizitë e Eliot Engelit, mikut tonë të madh, përfaqësuesit në një vizitë e tij në Amerikën Latine, ai ishte angazhuar enkas për njohjet ndaj Kosovës dhe më informoi kur u kthye dhe do të kemi njohje nga ky vend, ky vend, ky vend. Që ndodhi në fakt.
Por kjo tregon se ishte një ndihmë, një mbështetje e pakursyer e palës amerikane, sa i përket Kosovës, shtetit të ri, që u formua, u themelua po ashtu edhe me ndikimin amerikan.
Surroi: E tash, të hapësh ambasadë, është të ndërtosh një shtëpi të re, edhe ty të dërguan..., ndryshe është kur shkon ambasador në një vend tashmë të etabluar dhe ti vazhdon por kur duhet menduar për të blerë veturën, për ta gjetur rezidencën, për ta gjetur ambasadën, si t’u duk kjo sfidë?
Спахиу: Kjo ishte interesant, se unë në atë kohë kisha vetëm një banesë dhe s’kisha kurrfarë përvoje që të merrem me patundshmëri e këto gjëra, por isha i detyruar. Madje duhej të merreshim edhe me çështje të thjeshta, siç ishte blerja e kompjuterëve,
Surroi: ...tavolinave e karrigeve...
Спахиу: Por këtu kishim edhe fat. Është Destani, që është biznesmen i njohur, i cili kishte një përfaqësi në Washington, dhe shprehu dëshirën që të na pajiste me...
Surroi: ...Lazimi...
Спахиу: Po, Lazim Destani, miku im. dhe ne u furnizuam, u pajisëm me të gjitha në saje të mirësisë së tij dhe ndihmës së pakursyer për Kosovën. Por, gjetja e vendeve të përshtatshme për ambasadë, sepse duhet të plotësuar disa kritere, sidomos të sigurisë atje kjo mori më shumë kohë edhe më shumë konsulta edhe me DASH-in sepse duhej pasur edhe aprovimin e DASH-it, duhet të vinte njënjë si komision, i cili do të shikonte lokale të vetë aspekti të sigurisë, por edhe banesat, sidomos banesën e ambasadorit, që të siguroheshin që është një vend dinjitoz, jo luksoz, por që është i pranueshëm dhe që të mos kenë, shqetësime për asgjë.
Mendoj që kjo periudhë, kjo kohë e hapjes së ambasadës së parë të Kosovës në SHBA është një kohë që shënon një ngjarje jashtëzakonisht të rëndësishme për shtetësinë e Kosovës, edhe për diplomacinë e Kosovës.
Unë e kam bërë një libër, që është botuar nga KOHA.
Surroi: “Misioni i parë”.
Спахиу: Ku i përshkruaj të gjitha këto peripeci që kemi pasur në atë rrugëtim tonin në Washington.
Surroi: Amerika në të cilën ti ke qenë ambasador është ndryshe prej Amerikës sot. Ku janë dallimet më dramatike, më thelbësore në fakt.
Спахиу: Shihe, gjithmonë kam thënë që duhet të kemi kujdes në raportet me SHBA-në. Shumë ka edhe zëra të tillë që thonë Amerika ka pasur një interes që ka ndihmuar Kosovën, prandaj na ka ndihmuar Po mirë, në rregull, por edhe interesi ynë ka qenë që të jemi me Amerikën kështu që nuk mund të merret si argument.
Por, në një kohë kur të gjithë në Ballkanin Perëndimor, kërkojnë ta bëjnë Amerikën për vete dhe të kenë mbështetjen e Amerikës dhe ne kur e kemi këtë mbështetje të dhënë,ne duhet të kemi edhe kujdes që të mos bëjmë veprime që do të krijonin ndonjë dyshim apo krizë kredibiliteti në raport me SHBA-në. Them që janë bërë disa gabime, jo vetëm nga kjo qeveri, nuk do të thosha, sepse ka pasur lajthitje edhe me qeveritë e mëparshme, sa i përket raporteve me Amerikën, natyrisht gjithmonë në mungesë të konsultimit apo njoftimit për disa veprime konkrete që kemi ndërmarrë kështu që, për fat, këta hapa që kanë qenë, jo shumë produktivë në raport me Amerikën, nuk kanë shkaktuar çarje të mëdha në këto raporte.
Por, duhet me na shërben si vërejtje, se duhet të kemi kujdes me këto raporte.
Surroi: Por kemi të bëjmë me një Amerikë krejtësisht tjetër prej asaj çfarë kemi pasur.
Спахиу: Natyrisht po, ke të drejtë. Ardhja e presidentit Trumpit në krye të administratës amerikane është një çështje me të cilën po merret e tërë bota. Është një stil krejtësisht tjetër i qeverisjes.
Surroi: Dhe jo vetëm i Trumpit, sepse shumë njerëz, të cilët e analizojnë këtë, mendojnë se ky është një moment kthesë, illustrim i një momenti kthesë, në të cilin Amerika, natyrisht prej Obamës së tutje ka paralajmëruar se do të kalojë vëmendja e saj te regjioni i Paqësorit dhe të Lindjes së largët.
Спахиу: Natyrisht, prioritetet ndryshojnë të politikës, tani kemi të bëjmë me një përpjekje ndoshta edhe për të ndryshuar rendin e përgjithshëm global politik dhe gjeopolitik,
Surroi: I cili është shembur.
Спахиу: Vëmendja tani është përqendruar në pjesë të tjera të botës; kemi acarime të shumta; kemi aktualisht edhe një luftë në Iran dhe tendosje të mëdha, në Lindje të Mesme, agresioni rus ndaj Ukrainës dhe është një çështje krejtësisht tjetër që ndoshta që është paramenduar se do të mund të ndodhte.
Jemi para kthesash shumë të rëndësishme. Prandaj si Kosovë ne nuk jemi në qendër të vëmendjes amerikane tashmë, por duhet bërë atë që mundemi, që të kemi njëfarë lloj vëmendje dhe që të mos lejojë Amerika që të përshkallëzohet diçka në Kosovë që do ta rikujtonte të kaluarën.
Surroi: Një koleg yti, edhe meqenëse po i afrohem e fundit, një koleg yti malazez, Miqo Vllahoviqi, të ka përmendur në një kontekst krejt tjetër, në përkthimin e Këngëve të Ali Binakut, të Radovan Zogoviqit. Pse ka qenë kjo me rëndësi?
Спахиу: Kjo ndodhi pas pavarësisë dhe ishte një vizitë e Jevrem Bërkoviqit.
Jevrem Bërkoviqit, i cili vinte...
Surroi: ...i cili ka qenë mik shumë i madh i Kosovës.
Спахиу: ...mik i madh i Kosovës. Po vinte në Kosovë, fitoi një shpërblim ka qenë një Kepi i Shpresës së Mirë...
Surroi: ...I Fahredin Gungës që jepej në Mitrovicë...
Спахиу: ...që jepej si shpërblim, por për krijues të huaj që kishin merita kishin bërë diçka për Kosovën... ai ka qenë një kundërshtar i madh i politikës ekspansioniste të Millosheviqit.
Kështu që, menduam që ta befasonim në njëfarë mënyre dhe bëmë një botim të veprës së tij të Jevremit, por edhe të Zogoviqit, të poezisë së tyre, dhe këto botime ishin në tri gjuhë: shqip, gjuha malazeze, dhe anglishte. Pjesën anglisht më ra hisja që ta përktheja dhe i përdore që të dy versionet, shqip dhe...
Surroi: Dhe, në fakt, përkthyesi i vetëm i Zogoviqit në anglisht je ti.
Спахиу: Ashtu. Pastaj, Bërkoviqi e ka përmendur që i vetmi që i ka përkthyer veprat e tij në anglisht, që është ambasadori i Kosovës në Washington, po kështu që më kujtohet mikut tim Vllahoviq ia dorëzova në takimin tonë të parë këto dy botime dhe ai u befasua, u befasua shumë.
Surroi: Pse ka qenë me rëndësi të përkthehet Zogoviqi në anglisht?
Спахиу: Zogoviqi paraqet një zë më ndryshe në raport me shqiptarët. Këngët e Ali Binakut paraqesin një qasje...
Surroi: ...dhunën koloniale...
Спахиу: ...dhunën koloniale, kolonializmin, diskriminimin që po e pësonin shqiptarët, është një zë i arsyes, në poezinë malazeze, por edhe ish-jugosllave. Po ashtu Bërkoviq është një poet i mirë, i cili ka qëndruar kundër diktatit, kundër diktaturës e tjerë e tjerë, për të cilat edhe ka pësuar dhe ka qenë mbështetje të Kosovës, në atë kohë që ishte shumë e rëndësishme.
Surroi: Avni Spahiu, ishte nder edhe kënaqësi të bisedojmë.
Спахиу: Po ashtu, faleminderit shumë!