Lura Pollozhani, hulumtuese e lëvizjeve sociale në Ballkan, e ka cilësuar si abuzive dhe jodemoraktike gjuhën e kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, ndaj të rinjve protestues, duke thënë se dialogu i kërkuar nga ai është farsë.
Sipas saj, Rama nuk i ka marrë asnjëherë seriozisht kërkesat e nxënësve dhe studentëve, ndërkohë që ka theksuar se kryeministri po ndjek metoda të përdorura nga liderë autoritarë të rajonit, teksa përmendi si shembull atë në Serbi, Aleksandër Vuçiq.
“Ka qenë gjuhë abuzive dhe aspak demokratike, ka filluar me një përqeshje dhe më pas me një armiqësim ndaj protestuesve. Nuk i ka marrë fare parasysh seriozisht kërkesat e studentëve. Dialogu është farsë, sidomos në këto ditë sepse deklaratat që e pati kryeministri para oficerëve ishte një kthesë konsekuente në aspektin e protestave sepse deklaroi që jo vetëm do t’u jepte para policëve, por ishin edhe ndëshkimet. Ndëshkimet në demokraci më duken të pabaza... Edhe Vuçiqi e ka pasur idenë e targetimit të OJQ-ve, kjo tregon se shumë po merr nga libri i autoritarëve në rajon”, ka thënë ajo në Interaktiv.
Pollozhani ka thënë se përmes dhunës policore ndaj protestuesve, Qeveria synon të krijojë frikë ndaj kujtdo që do të protestojë në të ardhmen.
“Arsyeja pse Qeveria, kryeministri ka zgjedhur këto metoda është të ngrehë frikë me gjithë këtë dhunë që çdo njeri që i kujtohet të bëjë protesta të mendohet dy herë. Kjo dhunë ka një mesazh dhe mesazhi është ‘mos guxo prapë’”.
Sipas saj, prapa dhunës së ushtruar nga Policia kundrejt protestuesve qëndron qëllimi i Ramës që të parandalojë mobilizime të tjera shoqërore kundër tij.
“Nuk ka arsye tjetër pse të përdoret kaq shumë dhunë”, ka thënë ajo.