Ndryshimet e Ligjit për Gjykatën Speciale i kanë mbrojtur përfaqësuesit e PDK-së dhe Aleancës, pas shqetësimeve të shprehura nga zyrtarët e Bashkimit Evropian për vendimin e Kuvendit. Në Vetëvendosje kanë thënë se mbështetja për ndryshimet është dhënë me rezerva
Reagimet e zyrtarëve të Bashkimit Evropian lidhur me ndryshimin e Ligjit për Gjykatën Speciale i ka quajtur normale shefja e Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Vlora Çitaku.
Pas mbledhjes së kryesisë së Kuvendit, të hënën, Çitaku ka thënë se me ndryshimet e miratuara, gjykata vetëm sa është kthyer në binarë, e për këtë është shprehur e sigurt që do të binden edhe partnerët evropianë.
“Është normale që ndonjëherë me miq të kemi mospajtime. Po besoj që do të kemi kohë të bisedojmë edhe me përfaqësuesit e BE-së dhe t'ua sqarojmë vullnetin politik të deputetëve të zgjedhur të Kuvendit të Republikës së Kosovës. Kosova me ligj dhe me vullnet kërkon drejtësi. Ne nuk po kërkojmë t'i ikim drejtësisë”, ka thënë ajo.
Plotësim-ndryshimi i Ligjit për Specialen, i sponsorizuar nga PDK-ja, është miratuar në seancën e jashtëzakonshme të thirrur në orën e fundit të së martës. Ai, ndër të tjera, parasheh që vazhdimi i gjykimit në shkallë të tretë ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, të dënuar nga shkalla e parë, të bartet në Kosovë, e Haga të merret vetëm me çështje që kanë të bëjnë me krime kundër njerëzimit.
Këto ndryshime, me votë, i ka përkrahur edhe Lëvizja Vetëvendosje. E shefja e deputetëve të partisë në pushtet, Arbërie Nagavci, përgjegjësinë për Ligjin ia ka veshur PDK-së.
“Ne kemi shprehur rezervat tona në raport me adresimin e kësaj çështjeje me projektligj, sepse kemi besuar që kjo duhet të jetë nëpërmes një strategjie shtetërore në mënyrë që të jemi të suksesshëm në këtë drejtim. Gjithsesi siç e kemi thënë edhe në seancë, ne iu kemi dhënë mbështetje deputetëve të cilët kanë besuar që kjo është rruga e duhur. Kështu që edhe në këtë pikë na nevojitet një koordinim e bashkëpunim për të adresuar qëllimin e përbashkët që e kemi që të japim maksimumin për të adresuar qëllimin e përbashkët që e kemi”, ka thënë Nagavci.
Përfaqësuesi i Aleancës në Kryesinë e Kuvendit, Besnik Tahiri, ka thënë se do të përpiqen që Ligji të gjejë zbatim.
“Kuvendi ka miratuar një ligj, ne zotohemi që si kuvend dhe si qeveri të bëjmë gjithçka që është e mundshme për të mbështetur katër çlirimtarët në Hagë. Nëse nuk e bëjmë këtë atëherë ne biem ndesh edhe me zotimin tonë me deklaratën politike po ashtu biem ndesh edhe me ligjin që është miratuar”, ka deklaruar ai.
Përpos BE-së, javën e shkuar kanë reaguar edhe nga Ambasada e Gjermanisë, duke shprehur shqetësimin lidhur me vendimin e Kuvendit.
Gjykata Speciale është krijuar me ndryshime ligjore e kushtetuese të miratuara në Parlament. Këtyre hapave i parapriu shkëmbimi i letrave mes presidentes së atëhershme, Atifete Jahjaga, me përfaqësuesen e Lartë e BE-së, Catherine Ashton, me anë të së cilave, Kosova mori obligim të krijonte Gjykatën dhe Zyrën e Prokurorit e gjithashtu edhe zotimin për konsultim me autoritetet përkatëse të BE-së për ndryshimin eventual të ligjeve që prekin punën e Speciales.
Собранието ја ратификуваше Размената на писма на 23 април 2014 година, давајќи ѝ статус на меѓународен договор меѓу Косово и ЕУ.