KOHA.net

Поддржете го TIME. Зачувајте ја вистината.
Арбери

Неизвесноста околу наоѓањето работа ги обесхрабрува младите луѓе да се занимаваат со кариера во природните науки.

FSHMN

Interesimi i të rinjve për shkencat natyrore mbetet nën kapacitetin e paraparë për pranimin e studentëve në Universitetin e Prishtinës. Përderisa këto fusha konsiderohen të rëndësishme për zhvillimin e vendit, sipas të rinjve, pasiguria për perspektivën profesionale ndikon në zgjedhjet kur ata bëjnë. Por, ka nga ta që mendojnë ekskluzivisht për kontributin që mund ta japin për shoqërinë

Pasiguria për të gjetur punë pas diplomimit po i dekurajon të rinjtë për t’u orientuar në studimin e shkencave natyrore. Numri i atyre që janë përcaktuar për drejtimet e Fakultetit të Shkencave Matematiko-Natyrore është nën planifikimet e Universitetit të Prishtinës. E, ata që kanë nisur studimet thanë se kanë synime të qarta profesionale.

Njëra prej tyre është studentja e Fizikës, Eli Kelmendi.

“Unë synoj që studimet me i vazhdu jashtë vendit në fushën e Fizikës Teorike për arsye që në Kosovë ende nuk e kemi një program të specializuar të studimeve Master në atë fushë mirëpo këtë nuk e shoh si largim përfundimtar prej vendi, por si mundësi që me u zhvillu profesionalisht dhe me përdorë këtë zhvillim si kontribut për shoqërinë”, ka thënë Kelmendi.

Bijona Isa studion Biologji Molekulare. Ajo thotë se synon që të kontribuojë për shoqërinë nëpërmjet hulumtimit për terapi të reja që do t’u shërbejnë pacientëve.

“Është shumë e përafërt me mjekësinë, por që nuk merret shumë me punën klinike por më shumë me pjesën shkencore në laboratorë edhe normalisht potencialin e saj si shkencë jetësore për me e pas një të ardhme të mirë për shëndetin e pacientëve edhe sidomos me kriju terapitë reja pse jo edhe diagnostikim më të hershëm të sëmundjeve të ndryshme, d.m.th. ky është synimi imi personal”, është shprehur Isa.

Departamentet në të cilat studiojnë të dyjat, janë në kuadër të Fakultetit të Shkencave Matematike-Natyrore. Sipas të dhënave të Universitetit të Prishtinës, në afatin e parë të regjistrimit për vitin akademik 2026/2027, në këtë fakultet janë pranuar 435 kandidatë, ndonëse është paraparë të regjistrohen 570 studentë të rinj.

Njohësi i arsimit, Xhavit Rexhaj, thotë se pasiguria për perspektivën profesionale është një prej çështjeve që ndikon edhe në interesimin e të rinjve për këto fusha.

“E në Kosovë është krijuar një sistem ku as nuk ka qasje rigoroze e as qasje serioze, as te nxënësit, as në shkollë, as në mësimdhënie e as në sigurimin e kushteve të punës e as në sigurimin e materialeve mësimore, as të pagave dhe gjithë kjo krijon një situatë në të cilët të rinjtë mendojnë pse me shku me studiua një fushë e cila do shumë përpjekje për me përfiu pak? Domethënë, në fund të fundit gjithçka është çka fitoj unë prej kësaj?”, ka theksuar Rexhaj.

Nevoja për profile shkencore në Kosovë sipas Rexhajt është e madhe.

“Kosova ka nevojë për të gjitha fushat, shkencat, rigorozitetin shkencor, qasjen shkencore, studimin e bazuar në eksperiment, në prova, në dëshmi. Kosova nuk i ka të zhvilluara”

Pavarësisht nevojës për profile shkencore, interesimi për studimet në Fakultetin e Shkencave Matematike-Natyrore ka shënuar rënie në vitet e fundit. Kjo është ndikuar edhe nga rregulli për të punësuar në mësimdhënie vetëm të diplomuarit në Fakultetin e Edukimit.