KOHA.net

Поддржете го TIME. Зачувајте ја вистината.
Арбери

Пациентите бараат надомест за основните лекови што ги купиле сами

онкологија

Pacientët që janë detyruar t’i blejnë vetë barnat esenciale, tashmë po kërkojnë ndihmë edhe në rrjete sociale. Përmes postimeve anonime, ata po kërkojnë të dinë nëse ka ndonjë pacient që është kompensuar nga Ministria e Shëndetësisë për terapitë që i kanë paguar e që në fakt do të duhej t’i merrnin falas.

Barnat që shteti duhet t’ua sigurojë falas, pacientët me sëmundje të rënda po detyrohen t’i blejnë me paratë e tyre.

Në Klinikën e Onkologjisë, mungesa e barnave nga Lista Esenciale ka detyruar pacientët të shpenzojnë mijëra euro për terapitë e tyre e që duhet t’i marrin falas në klinikë.

Për mungesën e këtyre barnave, KOHA ka raportuar vazhdimisht.

Tash, pacientët që kanë shpenzuar paratë e tyre po kërkojnë përgjigje: A mund të kompensohen për barnat që është dashur t’ua sigurojë shteti?

Përmes rrjeteve sociale, ata po kërkojnë edhe nga pacientët e tjerë nëse dikush ka arritur të marrë kompensim nga institucionet.

“Ne për një vit radhazi kemi paguar barnat esenciale, të cilat kanë kushtuar rreth 1 mijë e 900 euro në muaj. Siç e dimë, këto barna janë pa pagesë. A ka pasur rast që dikush të jetë kompensuar për këto të holla që kemi paguar nga Ministria?” ka pyetur në një grup një pacient.

E disa kanë thënë se po shqyrtojnë edhe mundësinë që të kërkojnë drejtësi përmes rrugëve ligjore.

“A ka ndonjë avokat që mundet me u marrë me këtë lëndë, që me i nxjerr me anë të gjykatës. Nëse Po, mundësisht lene naj nr të kontaktit, ose mesazh që me mujt me ju kontaktut. P.s. Postimin e bëra anonim, që mos me u hakmarrë najsen nga Ministria e Shëndetësisë”, ka shkruar një tjetër person.

Por ka edhe pacientë që tashmë i kanë humbur shpresat se mund të kompensohen për paratë e shpenzuara.

“Krejt kemi ble edhe jena tu ble bile as gajle se kanë kush s’po marke me këto raste”, është shprehur një qytetar.

KOHA pati raportuar edhe më herët se Ministria e Shëndetësisë nuk ka një mekanizëm për rimbursimin e pacientëve që detyrohen t’i blejnë vetë terapitë.

Sipas juristit, Florim Shefqeti, kur një terapi është pjesë e Listës së Barnave Esenciale dhe institucioni dështon ta sigurojë atë, kjo përbën cenim të së drejtës për kujdes shëndetësor, të garantuar me Kushtetutë. Ai pati thënë se pacientët mund të kërkojnë kompensim përmes padisë, ndërsa për dështimet institucionale duhet të ketë edhe hetim nga Prokuroria.

Se pse nuk ekziston një mekanizëm i tillë për rimbursimin e pacientëve, Ministria e Shëndetësisë ende nuk ka kthyer përgjigje.

E ndryshe nga niveli qendror, disa komuna tashmë kanë krijuar skema të veçanta të mbështetjes financiare për pacientët me sëmundje të rënda.

Në Gjakovë, Prizren e Ferizaj, pacientët përfitojnë mbështetje financiare një herë në vit, me shuma që nisin nga 400 euro.