Përfaqësues të institucioneve publike qendrore dhe lokale, të institucioneve shkollore, universiteteve, mësimdhënësve, prindërve, nxënësve e studentëve kanë nënshkruar të premten deklaratën e zotimit për hartimin e një strategjie të re 10-vjeçare shtetërore të arsimit.
Siç ka njoftuar Ministria e Arsimit, deklarata e zotimit për “Arsimin 2035+” përmban 5 pika, në të cilat arsimi konsiderohet projekti më i rëndësishëm zhvillimor i Kosovës, që zbatimi strategjia shtetërore e arsimit tejkalon mandatet qeverisëse, që palët do të mbështesin dhe zbatojnë reformat për arsim cilësor e për angazhim për konsensus të gjerë shoqëror.
Teksti i plotë i kësaj deklarate:
ZOTIMI PËR ARSIMIN 2035+
Ne, përfaqësuesit e institucioneve publike qendrore dhe lokale, institucioneve shkollore, universiteteve, mësimdhënësve, prindërve, nxënësve dhe studentëve, të bashkuar rreth vizionit për arsimin e Kosovës, deklarojmë se:
1. Arsimi është projekti më i rëndësishëm zhvillimor i Kosovës dhe kërkon bashkëpunim përtej dallimeve institucionale, politike dhe shoqërore.
2. Strategjia Shtetërore e Arsimit 2035+ do të hartohet si një proces i përbashkët, ku secili prej nesh do të ofrojë kontributin e vet me përkushtim të plotë.
3. Zbatimi i Strategjisë Shtetërore të Arsimit 2035+ mbetet një proces i vazhdueshëm, i cili shkon përtej çdo mandati qeverisës dhe mbështetet në bashkëpunimin e të gjitha institucioneve dhe akterëve të arsimit.
4. Zotohemi të mbështesim dhe të zbatojmë reforma që garantojnë arsim cilësor, mundësi të barabarta për çdo fëmijë dhe e lidhin arsimin me zhvillimin e Kosovës.
5. Angazhohemi për të ndërtuar një konsensus të gjerë shoqëror duke e zgjeruar këtë partneritet me sektorët e tjerë publikë, forcat politike, sektorin privat, shoqërinë civile, komunitetin akademik, dhe partnerët zhvillimorë.
Потписници:
Hajrulla Çeku, Ministër i Arsimit dhe Shkencës
Muhamet Gjoka, Kryesues i Kolegjiumit të Drejtorëve komunalë të arsimit
Rrahman Jashari, Kryetar i SBASHK-ut
Mentor Alishani, Kryesues i Konferencës së Rektorëve
Linda Dula Halilabazi, Nënkryetare e Këshillit të Prindërve të Kosovës,
Merita Dili Hasani, Sekretare e Kolegjiumit të drejtorëve të institucioneve parashkollore, Donart Humolli, Nënkryetar i Parlamentit Studentor të Universitetit të Prishtinës
Kaon Krasniqi, Kryetar i Asamblesë së Fëmijëve të Kryeqytetit.