KOHA.net

Поддржете го TIME. Зачувајте ја вистината.
Арбери

Мајка штрајкува: Ако собирам 12 вреќи ѓубре дневно, а не добивам плата, ова е штета

технички работник

Punëtorët teknikë të shkollave fillore në Prishtinë kanë hyrë sërish në grevë, duke kërkuar që t’i marrin pagat pa vonesa dhe zbatimin e vendimit për pagën minimale. Ndonëse Komuna njoftoi se sot ka ekzekutuar pagat për muajin shtator, sindikata thotë se ato nuk janë në përputhje me vendimin e Qeverisë. Për të premten, punëtorët kanë paralajmëruar protestë para Komunës së Prishtinës

Si nënë vetushqyese, Naime Cubaj, thotë se paga që merr me vonesë nuk i mjafton për ta mbajtur familjen e saj 6-anëtarëshe. Cubaj që punon si mirëmbajtëse në shkollën fillore “Dardania”, thotë se vonesa e pagës, si dhe pagat nën nivelin minimal, ia kanë vështirësuar edhe më shumë përballimin e shpenzimeve familjare.

Për këtë arsye, ajo së bashku me punëtorët teknikë të shkollave fillore në kryeqytet, kanë nisur sërish grevën këtë të mërkurë.

“Me ardh edhe me punu pa pare tmerr. Se veç bërllokun që e largojmë na me nga 12 thasë edhe mos me të pagu në fund është shumë vështirë. Po bëhen 2 muaj e ne pa paga. Unë jam nënë vetushqyese, pa babë, kjo është tmerr i tmerrit. Fëmija po lypin me u ushqye e me pi prej meje. Ku janë pagesat..., jo rryma, jo atë, jo atë. Me mbet dy muaj pa rrogë e me ardh me punu kjo është trup”, ka deklaruar Cubaj. 

Udhëheqësi i punëtorëve teknikë në këtë shkollë, Milaim Sopi, tregon arsyet pse ai, 

bashkë me 11 punëtorë të tjerë, iu bashkuan grevës.

“Shkaqet kryesore janë vonesat për pagesën e pagave të punëtorëve dhe moszbatimi i vendimit të qeverisë për pagën minimale. Me sa e dimë na, vendimi është te kryetari i komunës, i cili nuk po e nënshkruan, nuk po e zbaton vendimin e Qeverisë së Kosovës për pagën minimale”, është shprehur Sopi. 

Në një përgjigje për KOHËN, Komuna e Prishtinës ka bërë të ditur se Drejtoria e Financave i ka ekzekutuar pagat për këta punëtorë të mërkurën. 

“Sipas pyetjeve të parashtruara lidhur me grevën e punëtorëve teknikë në shkollat e kryeqytetit, ju njoftojmë se Drejtoria e Financave ka konfirmuar që pagesat janë ekzekutuar sot, më 14.10.2026”, kanë bërë të ditur nga Komuna e Prishtinës. 

E kryetari i Sindikatës së Sektorit Privat, Jusufi Azemi, thotë se ekzekutimi i pagave u bë pas nisjes së grevës dhe paralajmërimit për protestë. Megjithatë, ai thotë se greva do të vazhdojë pasi, sipas tij, Komuna e Prishtinës nuk e ka zbatuar vendimin e Qeverisë për pagën minimale. 

“Dje ka qenë data 13 dhe këta punëtorë nuk i kanë marrë pagat. Në momentin që ne kemi njoftuar se në grevë kanë filluar edhe shkollat fillore, sot nga presioni i grevës mendoj, Komuna e Prishtinës prapë ka ekzekutuar paga për muajin shtator edhe për shkollat fillore dhe të mesmet, mirëpo nuk i ka ekzekutuar konform vendimit të Qeverisë së Kosovës, që i bie, i ka transferuar 391 euro e është dashur t’i transferojë 456 euro. Vendimi i sindikatës dhe shoqatave sindikale është që ne do t’i kthehemi punës vetëm atëherë kur do të kryhen të gjitha borxhet ndaj këtyre punëtorëve”, ka thënë Azemi. 

Sindikalistët kanë paralajmëruar protestë para Komunës së Prishtinës edhe të premten, nga ora 11:00. 

Që nga 1 shtatori, në grevë janë edhe punëtorët teknikë të shkollave të mesme, me kërkesën që të zbatohet vendimi i Qeverisë për pagën minimale.