KOHA.net

Поддржете го TIME. Зачувајте ја вистината.
Арбери

Недостатокот на лекови од есенцијалната листа влијае на 177 пациенти на дијализа

UCCK

Prej rreth tre muajsh, pacientët në dializë ankohen se po përballen me mungesën e një terapie që u nevojitet për trajtim. SHSKUK-ja e ka pranuar mungesën e terapisë, teksa fajin ua ka hedhur, siç është thënë, operatorëve të papërgjegjshëm

Pacientët që trajtohen me dializë po përballen me mungesë të tabletës Sevelamer 800 miligramë, e që përdoret për kontrollimin e nivelit të fosforit në gjak.

Kjo tabletë merret gjatë ushqimit, ndërsa pacientët furnizohen me të nga Shërbimi Spitalor e Klinik Universitar.

Sipas pacientëve, terapia mungon prej rreth tre muajsh.

“Unë këtë tabletë e marr dy herë me ushqim, më ndihmon shumë, pa të nuk guxoj të qëndroj. Po qe tre muaj nuk kam mundur ta marr edhe e kam blerë një kuti. Po kushton 95 euro”, ka thënë një pacient në kushte anonimiteti.

Një kuti e kësaj terapie përmban 180 tableta, ndërsa doza përcaktohet për secilin pacient në varësi të gjendjes së tij shëndetësore.

Mungesën e terapisë e ka konfirmuar edhe SHSKUK-ja.

“Bazuar në të dhënat nga Barnatorja Qendrore, ju njoftojmë se aktualisht, ende nuk kemi një kontratë valide për produktin farmaceutik, Tab Sevelamer 800 mg. Kjo situatë është krijuar për shkak të operatorëve të pandërgjegjshëm, gjë që ka ndikuar në pamundësinë për të finalizuar kontratën në afatin e paraparë”, thuhet në përgjigjen e SHSKUK-së.

SHSKUK-ja po ashtu ka pranuar se tashmë e tre muaj nuk ka furnizim me këtë terapi.

“Nga fillimi i muajit qershor 2026 nuk ka pasur furnizim të rregullt me Sevelamer 800 mg. Gjatë kësaj periudhe, furnizimi ka qenë i herëpashershëm me donacion, ndërsa sasitë në dispozicion u janë shpërndarë pacientëve në mënyrë proporcionale. Nga kjo situatë janë prekur gjithsej 177 pacientë që trajtohen me dializë. Gjatë periudhës së mungesës, Barnatorja Qendrore është furnizuar herë pas here përmes donacioneve. Rreth një jave është pranuar një sasi e vogël e Sevelamer 800 mg, e cila u është shpërndarë pacientëve. Megjithatë, sasitë e pranuara përmes donacioneve kanë qenë të pamjaftueshme për të mbuluar nevojat e plota”, thuhet në përgjigje.

KOHA po ashtu ka biseduar me disa pacientë që marrin hemodializë në spitalin e Ferizajt. Edhe ata janë ankuar se po detyrohen ta blejnë vetë barin.

E, në Spitalin e Përgjithshëm të Pejës situata është më ndryshe. 

Spitali ka shumë muaj që nuk është furnizuar, por për pacientët ka ende tableta në stok. 

“Aktualisht nuk ka mungesë. Më 23.01.2026, Spitali i Përgjithshëm në Pejë është furnizuar nga QKUK-ja me një sasi prej 540 kapsulash. Ndërkaq, nga Operatori Ekonomik (OE) nuk kemi pasur furnizim gjatë vitit 2026. Aktualisht nuk kemi informacion lidhur me afatin e furnizimit të radhës me Sevaren 800 mg”, thuhet në përgjigjen e këtij institucioni shëndetësor.

Sevelameri është pjesë e Listës së Barnave Esenciale. Për mungesën e barnave esenciale, KOHA ka raportuar vazhdimisht.

Më herët, juristi Florim Shefqeti ka thënë për KOHËN se, kur një terapi është pjesë e Listës së Barnave Esenciale dhe institucioni dështon ta sigurojë atë, kjo përbën, sipas tij, cenim të së drejtës për kujdes shëndetësor të garantuar me Kushtetutë.

Sipas tij, qytetarët kanë të drejtë që, përmes padisë, të kërkojnë rimbursimin e shpenzimeve për këtë ilaç.