Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) ka gjetur mangësi në procedurat e tenderëve për mirëmbajtje të autostradave në Kosovë për periudhën 2025-2028. Sipas një raporti të ZKA-së, Ministria e Infrastrukturës dhe Transportit nuk ka arritur të sigurojë që prokurimi të realizohet siç do të duhej.
ZKA-ja ka thënë se përshpejtimi i afatit për dorëzim të ofertave nuk e ka arritur rezultatin e synuar.
“Aktiviteti i prokurimit me vlerë të parashikuar prej 15.9 milionë euro për 36 muaj, ishte iniciuar vetëm 36 ditë para skadimit të kontratave ekzistuese, prandaj afati për dorëzimin e ofertave ishte shkurtuar nga 40 në 21 ditë. Megjithatë, ky përshpejtim nuk kishte arritur rezultatin e synuar, pasi hapja e ofertave ishte shtyrë pesë herë dhe procedura ishte zgjatur për rreth pesë muaj për shkak të kërkesave për rishqyrtim, ankesës në Organin Shqyrtues të Prokurimit dhe korrigjimeve në dosjen e tenderit”, thuhet në njoftimin për media të ZKA-së.
Sipas njoftimit, Ministria ka përdorur procedura negocimi për të vazhduar mirëmbajtjen e autostradave. E ka bërë këtë me katër kontrata gjashtëmujore të negociuara, deri në korrik 2026 duke paguar 2.8 milionë euro. Në gjetje është thënë se këto procedura kanë kufizuar konkurrencën dhe kanë kofruar më pak transparencë.
Procesi i auditimit ka evidentuar mangësi edhe në vlerësimin e ofertave. Sipas njoftimit, Komisioni i Vlerësimit nuk ka kërkuar sqarime të nevojshme në disa raste, sipas ZKA-së kjo ka rritur rrezikun që procesi i vlerësimit të mos siguronte trajtim të barabartë të operatorëve ekonomikë.
исто така
НАТО ја разјаснува својата улога во отворањето на мостот во Митровица
Gjithashtu auditimi ka konstatuar se Ministria nuk kishte analizuar të gjitha kombinimet e mundshme të ofertave të përgjegjshme për katër llotet. Sipas auditimit, kombinimi alternativ do të rezultonte me çmim 15 për qind më të ulët sesa kombinimi që veç e ka kontraktuar Ministria. Pra, Ministria nuk ka zgjedhur opsionin më të lirë.
Po ashtu, janë evidentuar edhe dallime të mëdha mes çmimeve të ofertuara dhe çmimeve referente të Ministrisë.
“Në Llotin e tretë, 77 nga 113 pozicione, apo 68% e tyre, ishin ofertuar me çmime mbi 90% më të ulëta se çmimet referente. Në disa raste, pozicione të përllogaritura nga Ministria me 180 apo 240 euro ishin ofertuar me vetëm 0.10 euro për njësi. Për këto devijime nuk ishte kryer analizë e dokumentuar dhe nuk ishin kërkuar sqarime të mjaftueshme nga operatorët ekonomikë, duke rritur rrezikun për vështirësi gjatë zbatimit dhe menaxhimit të kontratave”, thuhet në raport.
Auditimi ka identifikuar edhe rrethana që potencialisht mund të paraqisnin konflikt interesi, pasi kryesuesi i Komisionit të Vlerësimit kishte angazhim profesional të mëhershëm me operatorin ekonomik që ishte shpallur fitues në një nga llotet.
“Ministria nuk kishte bërë vlerësimin apo trajtimin e këtyre rrethanave dhe rasti nuk ishte referuar tek autoriteti kompetent, duke krijuar pasiguri lidhur me paanshmërinë dhe besueshmërinë e procesit të vlerësimit”, thuhet në raport.
исто така
Четири дена пред одлуката на Специјалниот суд, се одржува марш под мотото „Косово чека“
ZKA-ja ka dhënë shtatë rekomandime për Ministrinë e Infrastrukturës.
E sipas dokumentit, ministri Dimal Basha ka thënë se pajtohet me gjetjet në draftraportin e ZKA-së dhe se nuk ka pasur koment për përmbajtjen e tij. Aty është thënë se pas pranimit të raportit final, do të dorëzojë një plan të veprimit për implementim të rekomandimeve.