KOHA.net

Поддржете го TIME. Зачувајте ја вистината.
Арбери

Над 43 илјади дозволи за Косовари во ЕУ во 2025 година

аеродром

Фото: Илустрација

Që nga viti 2021, mbi 200 mijë persona nga Kosova kanë emigruar drejt vendeve të ndryshme të Evropës. Sipas të dhënave të Eurostatit, mbi 43 mijë qytetarë të Kosovës janë pajisur me lejeqëndrimi në vendet e BE-së gjatë vitit të kaluar, ku prin Gjermania. Emigrimi i të rinjve dhe i personave të kualifikuar po vlerësohet nga sociologët si “ikje e trurit”, ndërsa demografët paralajmërojnë se ky trend mund të ketë ndikime të mëdha në strukturën e popullsisë

Mbi 43 mijë qytetarë të Kosovës janë pajisur me lejeqëndrimi në vendet e Bashkimit Evropian gjatë vitit 2025, sipas të dhënave të Eurostatit. 

Shifrat dëshmojnë vazhdimin e trendit të emigrimit. Që nga viti 2021, mbi 200 mijë persona nga Kosova kanë emigruar drejt vendeve të ndryshme të Evropës. 

Edhe në vitin 2025, lejet e qëndrimit për arsye familjare kanë qenë në krye të listës, me 24 mijë e 511 leje. Në vitin 2021, për të njëjtën arsye ishin lëshuar 25 mijë e 264 leje. 

Në të dyja vjetët, Gjermania ka qenë shteti që ka lëshuar numrin më të madh të lejeve të qëndrimit për qytetarët e Kosovës. 

Demografi Besim Gollopeni thotë se emigrimi po ndikon edhe në ritmet e rritjes së popullsisë në Kosovë. 

“Emigrimi sjell ndryshime të rëndësishme në dinamikën demografike të Kosovës, veçanërisht në lindshmëri, strukturën e familjes dhe shpërndarjen hapësinore të popullsisë. Largimi i të rinjve dhe i personave në moshë riprodhuese kontribuon në uljen e numrit të martesave dhe lindjeve, duke ndikuar në ritmet e ripërtëritjes së popullsisë. Në të njëjtën kohë, emigrimi ndryshon strukturën dhe funksionimin e familjeve, përmes ndarjes së anëtarëve të familjes, rritjes së familjeve me një ose më pak anëtarë rezidentë dhe rritjes së rolit të remitancave në mirëqenien familjare”, ka thënë Gallopeni. 

Ish-zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Valdet Hoxha, ka thënë se Kosovën po e lënë persona të kualifikuar për pozita të ndryshme, që mund t’i nevojiten tregut të punës. 

“Natyrisht që përveç shqetësimit të gjithmbarshëm të migrimit të të rinjve tanë, shqetësimi ndoshta edhe më kryesor është për shkak se nga Kosova dalin kryesisht qytetarët tanë të kualifikuar për pozita të ndryshme që janë aq të nevojshme për tregun tonë, por që ky është një risk i madh për ne, pra po them është e pamenaxhueshme, sepse për fatin tonë të keq kërkesa e vendeve të zhvilluara është shumë e madhe në raport me profesionet, me kualifikimet e këtyre qytetarëve që po ia mësyjnë atyre vendeve”, ka theksuar Hoxha. 

E sociologu Genc Xërxa dukurinë e emigrimit e cilëson si ikje të trurit.

“Kemi ikjen e trurit, duke e ditur se mbi 40.000 qytetarë të shoqërisë sonë, kryesisht të rinj, kanë fituar lejeqëndrimi në Bashkësinë Evropiane. E i bie që profilet e ndryshme po kërkojnë punë, siç janë ato në profilet e mjekësisë apo shëndetësisë, pastaj kemi edhe teknologjinë informative. Edhe kjo tregon për një dobësi apo edhe për një problem mjaft të madh në sektorin apo tregun tonë të punës, duke e ditur se profilet e gatshme edhe të arsimuara po na ikin”, ka vlerësuar Xërxa. 

Sipas të dhënave të Eurostatit, lejet e qëndrimit vijojnë me arsyen e edukimit, me 997 leje të lëshuara, për arsye punësimi 13.650, ndërsa për arsye të tjera 2.589. Në të gjitha këto kategori, Gjermania prin me numrin më të madh të pajisjeve me lejeqëndrimi. 

Ndërsa në vitin 2021, të dhënat janë pothuajse të njëjta, përveç kategorisë së punësimit, ku Sllovenia printe me 5.081 pajisje me lejeqëndrimi. 

Edhe numri i të huajve që po zgjedhin Kosovën si vend për t’u punësuar po rritet. 

Bazuar në draftin e Strategjisë së Migracionit, referuar periudhës 2026-2030, të cilin e ka finalizuar Ministria e Punëve të Brendshme, në periudhën janar-qershor janë lëshuar mbi 6 mijë lejeqëndrimi, prej të cilave 53 për qind për qëllime pune. 

Në vitin 2021 ishin 2.122, ndërkaq në vitin 2025 ky numër është dyfishuar, duke shkuar në 5.087.