KOHA.net

Поддржете го TIME. Зачувајте ја вистината.
Арбери

Градоначалникот на Обилиќ вели дека му се заканиле со смрт од страна на општински директор, а тој го негира тоа.

Халил Тачи

Kryetari i Komunës së Obiliqit, Halil Thaci thotë se është kërcënuar me jetë nga ish-drejtori i Inspeksionit në këtë komunë, Hajrullah Preniqi. Arsyeja për këtë sipas Thaçit është ndërrimi i pozitës që ia ka bërë nga drejtori i Inspekcionit në drejtor të Emergjencave.

Thaçi për KosovaPress konfirmon se ka raportuar rastin në Polici, mirëpo sipas tij, Preniqi ka lidhje të ngushta me prokurorin e rastit dhe kështu “është ngadalësuar procesi i marrjes së masave”.

“Arsyeja është se ai po pretendon me u kthye si shef i Inspeksionit edhe për këtë arsye, menaxhimi i burimeve njerëzore më takon mua si kryetar komune, edhe lëvizjen që unë e kam bërë prej shefit të Inspeksionit e kam dërguar në shef të Emergjencave. Pra, unë nuk e kam dëmtuar asgjë në pagë, as në pozitë, vetëm e kam, arsye se ia kam ndërruar drejtorinë. E kjo është arsyeja që ai po pretendon edhe përmes njerëzve, më ka çuar njerëz domethënë edhe më ka thënë që të hënën, nuk kemi me të lënë në jetë për me ardhur në komunë”, tha Thaçi.

Kryetari pretendon se drejtori në fjalë, Hajrullah Preniqi është recidivist i disa veprave penale.

“Ky Hajrullah Preniqi, është njëri nga recidivistët e disa veprave penale, ka para tre vjetëve, dy-tre apo katër vjetëve që i ka ndodhur një plagosje. Mirëpo ky zotëria e ka djalin e motrës e ka gjyqtar edhe natyrisht që edhe prokurori bie në ndikim të tij. Pra, krejt kjo është një skemë e krimit të organizuar. Ai zotëria është i njohur në komunën e Obiliqit  si problematik, prandaj unë nuk e kam ndërmend me u lëshuar pe në këtë aspekt, unë e kam ndjekur rrugën zyrtare edhe atë çka ma mundëson ligji unë të hënën do ta zbatoj”, shtoi ai për KosovaPress.

Ndërsa Hajrullaj Preniqi për KosovaPress mohoi këto qëndrime të kryetarit Thaçi.

“S'është e vërtetë. Ai mundet me thënë çka do, mund të deklarojë çka do. Mundet ku të dojë me shkua me ato, prej meje s'ka, nuk është i kërcënuar. Ato janë një shantazh i tij”, thekson Preniqi për KosovaPress.

KosovaPress dërgoi pyetje edhe në Policinë e Kosovës lidhur me rastin, por të njëjtit deri në publikimin e lajmit nuk kanë kthyer përgjigje.