KOHA.net

Поддржете го TIME. Зачувајте ја вистината.
Арбери

ЦИК го започнува својот мандат со празно место

ЦИК

Фото: Дритон Пачарада

Përbërja e re e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve ka nisur mandatin pa u kompletuar. Nëntë anëtarë janë betuar të hënën para ushtrueses së detyrës së presidentit, Albulena Haxhiu, ndërsa ulësja e dhjetë vazhdon të mbetet e papërcaktuar. Atë e pretendojnë si Lëvizja Vetëvendosje ashtu edhe Partia Demokratike. Organizata Demokracia në Veprim ka kërkuar që KQZ-ja të kompletohet siç përcaktohet me Kushtetutë

Nëntë nga dhjetë anëtarët e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve janë betuar të hënën para ushtrueses së detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, për të nisur zyrtarisht mandatin e tyre.

Pavarësisht ceremonisë, tryeza vendimmarrëse e institucionit që organizon zgjedhjet ka mbetur e mangët.

Haxhiu nuk e ka emëruar ende anëtarin e dhjetë, për ulësen e të cilit pretendojnë si Lëvizja Vetëvendosje, ashtu edhe Partia Demokratike.

Organizata që monitoron punën e KQZ-së, Demokracia në Veprim, ka kritikuar Haxhiun për moskompletimin e përbërjes së institucionit.

“Për DnV-në, argumenti se KQZ-ja mund të funksionojë edhe me 10 anëtarë nuk mund të shërbejë si arsyetim për moskompletimin e saj. Kushtetuta e ka përcaktuar përbërjen e KQZ-së dhe respektimi i saj nuk mund të varet nga vlerësimi nëse mungesa e një anëtari e pengon apo jo punën e përditshme”, thuhet në reagimin e kësaj organizate. 

KQZ-ja, në përbërje të plotë, duhet t’i ketë 11 anëtarë: dhjetë të nominuar nga partitë politike dhe kryetarin e Komisionit. 

Mandati i anëtarëve të Komisionit lidhet me ciklet zgjedhore. 

Para procesit elektoral të 28 dhjetorit 2025, edhe LVV-ja edhe PDK-ja përfaqësoheshin me nga dy anëtarë. E pas zgjedhjeve të fundvitit, partia e parë i nominoi te presidentja e atëhershme Vjosa Osmani tre emra për anëtarë të Komisionit.

Osmani nuk mori vendim lidhur me këtë çështje, ndërsa përgjegjësia i mbeti ushtrueses së detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu. Para zgjedhjeve të 7 qershorit, Haxhiu emëroi dy anëtarë nga Vetëvendosja, ndërsa PDK-ja mbeti me një përfaqësues dhe një ulëse mbeti e zbrazët.

Sipas Demokracisë në Veprim, Kushtetuta është e qartë në këtë çështje. 

“Emërimi duhet të bëhet në përputhje me modelin strikt të përfaqësimit të grupeve parlamentare, të zbatuar në praktikën institucionale deri në ciklin e fundit, ku grupet përfaqësohen fillimisht në mënyrë të barabartë dhe vendet shtesë plotësohen sipas radhës së grupeve më të mëdha”, thuhet në reagimin e Demokracisë në Veprim.

E hulumtuesi në Institutin e Kosovës për Drejtësi, Naim Jakaj, thotë se Haxhiu duhet ta zbatojë Kushtetutën në këtë rast. 

“Zonja Haxhiu, si ushtruese e detyrës së presidentes, do të duhej të zbatonte Kushtetutën e Kosovës. Në nenin 139 të Kushtetutës, ku thuhet se gjashtë grupet më të mëdha parlamentare duhet të kenë nga një anëtar në KQZ. Meqenëse ka katër grupe më të mëdha parlamentare që janë shqiptare, atëherë dihet edhe nga formulimi kushtetues dhe nga praktika përbërja e KQZ-së. Në këtë drejtim, zonja Haxhiu do të duhej që LVV-së t’i takonin dy anëtarë në KQZ, dy anëtarë të PDK-së, një LDK-së dhe një Aleancës. Kjo është përbërja kushtetuese nga partitë shqiptare. Ndërkohë, nga komunitetet nuk ka pasur ndonjë problem”, ka thënë Jakaj.

Betimin të hënën e dhanë Hysen Durmishi dhe Violeta Salihu nga Lëvizja Vetëvendosje, Rashit Qalaj nga Partia Demokratike e Kosovës, Ilir Fetahu nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Muharrem Nitaj nga Aleanca, Stefan Filipovic nga Lista Serbe, Yildiray Bayrami nga Partia Demokratike Turke e Kosovës, Delvir Tairi nga Koalicioni Vakat dhe Abedin Neziraj nga Iniciativa e Re Demokratike e Kosovës. 

Në ceremoni ishte i pranishëm edhe kryesuesi i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi.