KOHA.net

Поддржете го TIME. Зачувајте ја вистината.
Арбери

КПК ги поништува меморандумите за соработка со граѓанското општество и медиумите

kpk

Mungesa e prokurorëve dhe numri i lëndëve të pazgjidhura kanë qenë ndër çështjet e ngritura në mbledhjen e Këshillit Prokurorial të Kosovës. Para anëtarëve të KPK-së të hënën kanë raportuar për punën e tyre Prokuroria Themelore në Prishtinë dhe ajo në Gjakovë. KPK-ja po ashtu ka marrë vendim edhe për shfuqizimin e memorandumeve të bashkëpunimit me shoqërinë civile dhe mediat

Këshilli Prokurorial i Kosovës ka vendosur të hënën në mbledhjen e 302-të të shfuqizojë të gjitha memorandumet e bashkëpunimit me organizatat e shoqërisë civile dhe mediat.

Vendimi është marrë me propozim të Kryeprokurorit të Shtetit, Zejnullah Gashi, sipas të cilit këto memorandume kanë krijuar pabarazi mes organizatave dhe mediave, dhe se në disa raste edhe është shkelur integriteti i hetimeve dhe dinjiteti i të dyshuarit.

“Besimi i qytetarëve në sistemin e drejtësisë duhet të tregohet me argumente duke ndërtuar aktakuza të mirëfillta që janë të bazuara në prova materiale e që të marrin epilog, e që duhet të jenë gjithmonë aktgjykime dënuese të plotfuqishme dhe vetëm atëherë krijohet besimi i publikut në institucione të drejtësisë e jo me shou, jo me situata”, ka thënë Gashi.

Propozimin e ka kundërshtuar anëtari i KPK-së, Milot Krasniqi.

Por me 6 vota për dhe 1 kundër është miratuar shfuqizimi i këtyre memorandumeve dhe lidhja e tyre në të ardhmen do të bëhet pas rregullimit me akt nënligjor.

Në mbledhjen e së hënës kanë raportuar zëvendëskryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Arianit Salihu, për punën e kësaj prokurorie gjatë vitit 2025, si dhe kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Gjakovë, Enis Gashi.

Salihu ka deklaruar se formulari për raportim nuk parasheh të dhëna të veçanta për Njësitin për Krime Ekonomike dhe Korrupsion.

Ai ka raportuar edhe për numrin e lëndëve të bartura, të pranuara dhe të zgjidhura në Departamentin për Krime të Rënda, Departamentin për të Mitur dhe Departamentin e Përgjithshëm.

“Në Departamentin për Krime të Rënda, lëndë të bartura janë 683, të pranuara 469 dhe të zgjidhura 444 lëndë. Kurse, në Departamentin për të Mitur janë të bartura 567, të pranuara 825 dhe të zgjidhura 611, ndërkaq Departamenti i Përgjithshëm ka bartur 4 mijë e 160 lëndë, ka pranuar 7 mijë e 307 dhe ka zgjidhur 6 mijë e 689 lëndë”, ka raportuar ai.

Sipas Salihut, në Prokurorinë Themelore në Prishtinë aktualisht janë 46 prokurorë, ndërsa parashihet të jenë 74.

E, kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Gjakovë, Enis Gashi, ka thënë se gjatë vitit 2025 ky institucion ka zgjidhur mbi 2 mijë lëndë. Në këtë prokurori, sipas tij, të angazhuar janë 10 prokurorë.

Si një prej sukseseve, Gashi e ka veçuar zgjidhjen e rasteve përmes procedurës së ndërmjetësimit, ku gjatë vitit 2025 janë zgjidhur gjithsej 618 lëndë.

“Konsideroj që është mënyra më e mirë, më e mundshme, më e shpejtë dhe më e lehtë, dhe me më pak shpenzime. Për të gjitha rastet, kur lejohet me ligj, prokurorët janë të inkurajuar vazhdimisht t’i analizojnë këto raste, se kur ka mundësi të zgjidhjes në këtë mënyrë, të referohen për ndërmjetësim përmes referentit dhe pastaj përmes ndërmjetësuesit të zgjidhen në mënyrë të tillë”, ka thënë Gashi.

Po ashtu, Këshilli Prokurorial i Kosovës ka caktuar prokurorin Besnik Jakupi anëtar të Komisionit për Vlerësimin e Performancës së Prokurorëve të Shtetit, ndërsa Besart Mustafën anëtar rezervë të këtij Komisioni.

Caktimi i Jakupit është bërë pas dorëheqjes së prokurorit në Zyrën e Kryeprokurorit të Shtetit, Aleksandër Lumezi.