KOHA.net

Поддржете го TIME. Зачувајте ја вистината.
Арбери

Косово без глас во Генералното собрание на ОН, се очекува Вучиќ да започне дипломатска офанзива

ок

Pamundësinë e Kosovës për të marrë pjesë në debatet e Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara pritet ta shfrytëzojë presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq. Ai ka thënë se do të flasë lidhur me situatën e sigurisë së serbëve në Kosovë, pastaj atë që e ka quajtur trajtim i padrejtë ndaj Serbisë nga komuniteti ndërkombëtar e edhe për verdiktin e Gjykatës Speciale në Hagë

Ndonëse Kosova nuk është anëtare e Organizatës së Kombeve të Bashkuara, ajo do të jetë temë diskutimi në Asamblenë e Përgjithshme të saj.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka paralajmëruar se në fjalimin e tij të mërkurën, kryesisht do të flasë për çështje që kanë të bëjnë me Kosovën. 

Vuçiq ka bërë të ditur se Asamblesë do t’i drejtohet lidhur me, siç ka thënë, situatën e sigurisë së serbëve në Kosovë, trajtimin e padrejtë ndaj Serbisë nga komuniteti ndërkombëtar e edhe për verdiktin e Gjykatës Speciale në Hagë. 

Në sesionin e 81-të të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së ku po marrin pjesë liderë të të gjitha shteteve, Vuçiq pritet të nisë një ofensivë diplomatike kundër Kosovës, një javë pas vendimit dënues ndaj ish-krerëve të UÇK-së në Hagë e një muaj para zgjedhjeve parlamentare në Serbi.

Në orët e para të mëngjesit të së mërkurës, sipas kohës lokale në Kosovë, në podiumin e OKB-së doli kryeministri i Kroacisë, Andrej Plenkoviq.

Ai tha se Kroacia mbështet zgjerimin e Bashkimit Evropian mbi bazën e meritave. Në fjalimin e tij, Plenkoviq theksoi se transformimi evropian kërkon përballje të sinqertë me të kaluarën dhe jo glorifikim të kriminelëve të luftës. 

“Nderimet ushtarake dhe zyrtare që iu dhanë Mlladiçit në Serbi ishin një fyerje për viktimat e tij dhe për vendimet e gjykatave ndërkombëtare, pjesëmarrja e përfaqësuesve shtetërorë dhe duartrokitjet publike që shoqëruan ceremoninë janë krejtësisht të papajtueshme me vlerat e një unioni që Serbia kërkon t’i bashkohet”, ka deklaruar Plenkoviq.

Ratko Mlladiq, i dënuar për krime lufte, krime kundër njerëzimit dhe gjenocid në Srebrenicë, u varros më 7 shtator në Beograd me nderime shtetërore dhe ushtarake.

Për këtë çështje foli edhe Denis Beqiroviq, anëtar i Presidencës së Bosnjë-Hercegovinës.

Ai kërkoi nga OKB-ja dhe Bashkimi Evropian që të dënohet sjellja e Serbisë.

“Përbindëshi Ratko Mladiq nuk është hero, por një kriminel lufte i dënuar. Glorifikimi institucional i këtij krimineli lufte është një akt kundër-civilizues dhe i papranueshëm. Kjo nënkupton që lidershipi shtetëror i Serbisë identifikohet me njërin nga kasapët më të mëdhenj në historinë evropiane. Është një tregues se Serbia nuk e ka braktisur ideologjinë dhe politikat që çojnë në agresion dhe gjenocid”, ka thënë Beqiroviq. 

E kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama pritet që Asamblesë t’i drejtohet të premten.

KOHA qysh javën e kaluar i ka dërguar pyetje Kryeministrisë në Shqipëri se a do ta mbrojë pozicionin e Kosovës. Por deri tash nuk ka marrë përgjigje.

Përgjatë tërë verës në Tiranë u organizuan protesta për të kundërshtuar projektin luksoz turistik në Zvërnec, i cili është investim i vajzës së presidentit të Shteteve të Bashkuara Donald Trump. Gjithashtu, qeveria e udhëhequr nga Rama është përballur edhe me akuza për korrupsion. Një ditë më parë lidhur me pretendime të ngjashme është arrestuar shefja e Shërbimit Informativ Vlora Hyseni. 

Në Nju Jork, gjatë zhvillimit të Asamblesë, po qëndron edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

Në margjinat e ngjarjes, Kurti ka njoftuar për takime me presidentin e Turqisë, Rexhep Erdogan, dhe kryeministrin e Kroacisë, Andrej Plenkoviq. Ai ka zhvilluar edhe takime me përfaqësues amerikanë e britanikë.

Por, ndryshe nga Serbia, Kosova nuk ka mundësi të marrë pjesë si anëtare në debatin e përgjithshëm të OKB-së, për shkak se nuk është anëtare e organizatës pasi qëndrimi i Serbisë karshi Kosovës mbështetet nga Kina dhe Rusia, dy anëtare të përhershme të Këshillit të Sigurimit të OKB-së me të drejtë vetoje.