Gjykata Administrative e Kosovës ka vendosur në favor të Komunës së Prishtinës, pas një padie të cilën e kishte bërë Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal në vitin 2024 ndaj vendimit të komunës për themelimin e tri drejtorive të reja.
Po në këtë vit me vendim të kryeqytetit ishin themeluar tri drejtori të reja, përkatësisht “Drejtoria për Transformimin e Kryeqytetit”, “Drejtoria e Pronës dhe Kadastrit” që ishte fuzionim i Pronës dhe Kadastrit dhe “Drejtoria e Planifikimit, Urbanizimit dhe Mjedisit”, po ashtu fuzionim i drejtorive të Urbanizmit dhe të Planifikimit Strategjik.
MAPL-ja kishte dërguar Komunës së Prishtinës kërkesën për rishqyrtim të aktit.
“Duke pasur për bazë se Kryetari i Kryeqytetit të Prishtinës, konform nenit 82.2 të Ligjit Nr. 03/L040 për Vetëqeverisje Lokale, nuk ka ndërmarr asnjë veprim konform kërkesës së MAPL-së për rishqyrtim dhe harmonizim të aktit me legjislacionin në fuqi, Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal, konform nenit 82 të Ligjit Nr. 03/L-040 për Vetëqeverisje Lokale, dërgon Vendimin Nr. 14.030/01.21504/24 për ndryshim/plotësimin e vendimit Nr. 01-031-13761 të datës 19.01.2016 në gjykatën kompetente për të vendosur lidhur me këtë çështje”, thuhej në shkresën e MAPL-së.
Gjykata, në vendimin që mban datën e 15 korrikut, e ka refuzuar si të pabazuar kërkesëpadinë e MAPL-së.
исто така
Почина поранешниот градоначалник на Призрен, Еќрем Криезиу
Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, duke e publikuar një pjesë të vendimit, ka shkruar se pushteti qendror, sipas tij, ka tentuar që të bllokojë çdo iniciativë për zhvillimin e kryeqytetit.
“Pothuajse për çdo iniciativë që kemi ndërmarrë për zhvillimin e Kryeqytetit, kemi pas bllokada nga Vetëvendosje! Ja edhe një tentim prej tyre! Gjykata edhe këtë herë i dha të drejtë Kryeqytetit! Edhe një betejë institucionale e fituar! Vetëvendosje, po e përsëris: ju jeni fatkeqësia e këtij vendi. Keni ardhur në pushtet tu linçu, fabriku e tu tentu me denigru njerëz. Njëjtë keni me perfundu si bllokues qe instrumentin e vetëm mbijetues e keni shpifjen dhe linçimin”, ka shkruar ai.