KOHA.net

Поддржете го TIME. Зачувајте ја вистината.
Арбери

Експертите повикуваат на подготовка на државата во однос на стареењето на населението

стареење

Фото: Илустрација

Kosova po përballet me ndryshime demografike. Një në nëntë persona është mbi 65 vjeç, ndërsa numri i të moshuarve pritet të rritet edhe më tej në vitet e ardhshme. Ekspertët kanë thënë se kjo kërkon përgatitje të sistemit shëndetësor dhe social për t’iu përgjigjur nevojave të popullsisë që po plaket

Një në nëntë persona në Kosovë është mbi 65 vjeç, kurse numri i të moshuarve është rritur ndjeshëm në pak më shumë se një dekadë, tregojnë statistikat zyrtare.

Ndryshimet demografike janë diskutuar edhe në konferencën “Plakja e shëndetshme – shkenca, kujdesi dhe inovacioni social”, që u mbajt të shtunën në Prishtinë.

Ekspertët kanë kërkuar përgatitjen e sistemit shëndetësor dhe social për nevojat e një popullsie që po plaket.

“Sipas parashikimeve të Agjencisë së Statistikave të Kosovës për periudhën 2025–2060, pritet që rreth 31 për qind e popullsisë, në një popullsi prej rreth një milion banorësh, të jenë mbi moshën 65-vjeçare. Kjo do të nënkuptonte rreth 350 mijë persona mbi 65 vjeç. Këto të dhëna tregojnë një mesazh të qartë: koha për të vepruar dhe për të avokuar është tani”, ka thënë Agron Gashi, drejtor ekzekutiv i Institutit të Evropës Juglindore për Politika Shëndetësore dhe Sociale.

Gashi ka thënë se koncepti i pleqërisë së shëndetshme nuk duhet të kufizohet vetëm te zgjatja e jetëgjatësisë, por duhet të përfshijë funksionalitetin, pavarësinë dhe cilësinë e jetës.

“Investimi duhet të bëhet shumë më herët, përmes parandalimit, aktivitetit fizik, mosstimulimit të duhanit dhe, nëse kemi ndonjë sëmundje, përmes kontrolleve dhe menaxhimit të duhur të saj”, është shprehur Gashi.

Plakja e popullsisë nuk është sfidë vetëm për Kosovën.

Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, ky është trend global që kërkon riorganizimin e sistemeve shëndetësore dhe sociale.

Shefja e Zyrës së OBSH-së në Prishtinë, Isme Humolli, ka thënë se plakja e shëndetshme është një prej prioriteteve të organizatës dhe pjesë e planit të punës për vitet 2026-2030.

“Të dhënat e fundit tregojnë se numri i personave të moshës 60 vjeç e tutje është në rritje e sipër dhe ka një dinamizëm jashtëzakonisht të lartë. Në vitin 2019, numri i njerëzve të moshës 60 vjeç e lart ishte një miliard. Ky numër është duke u rritur dhe në vitin 2030 pritet të ketë 1.4 miliard persona të moshës 60 vjeç e mbi, ndërsa në vitin 2050 pritet të jenë 2.1 miliardë”, ka thënë Humolli.

Në konferencë kanë ekspertë, studiues dhe profesionistë të fushave të shëndetësisë dhe politikave sociale. Ata kanë vënë theksin te qasjet shkencore, praktikat e kujdesit dhe inovacionet sociale, e që mund të kontribuojnë në përmirësimin e cilësisë së jetës së personave të moshuar.

Егзона Мема